Transferim të të burgosurve në Shqipëri nga Britania, ja procedurat

27 Mars 2023, 19:35 / AKTUALITET ALFA PRESS

Transferim të të burgosurve në Shqipëri nga Britania, ja

Dakordësia mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij britanik, Rishi Sunak, për ndërmarrjen e një procesi me qëllim final transferimin nga Anglia të të gjithë të burgosurve shqiptarë, nuk duket shumë premtuese në sytë e juristëve.

“Kam përshtypjen se e gjitha kjo është për një konsum politik të ditës dhe nuk do të prodhojë asnjë efekt masiv”, u shpreh juristi.

Referuar të dhënave të Ministrisë britanike të drejtësisë, në burgjet e këtij vendi ndodhen aktualisht gati 1300 shqiptarë, ku dominojnë në masën 77 % të dënuarit për çështje droge.

Sipas juristit, Jordan Daci, numri i personave që do të mund të transferohen, do të jetë minimal, për shkak të filtrave ligjore të procesit.

“Procedura duhet të përfshijë edhe njohjen e vendimit për efekte të ekzekutimit pasi tek e fundit, po marrim një rast, nuk është rasti i Mbretërisë, por mund të ketë vende që dënojnë vepra që ne nuk i dënojmë. Elementi tjetër është pëlqimi i të dënuarit. Një i dënuar nuk mund të ekstradohet nëse nuk e dëshiron”, tha Daci.

Sipas juristit dhënia ose jo e pëlqimit, është e ndërvarur edhe me kushtet që ofrojnë burgjet shqiptare, por edhe faktit që disa nga të dënuarit janë rezidentë në Britani, si edhe mund të jenë ende në vijim të procesit gjyqësor.

Në përfundim, sipas juristit Daci, vendimmarrja për lejimin ose jo të transferimit të një burgosuri do të jetë gjyqësore dhe jo politike.

Po ndodh...