Trump shpalli tarifa 30% për produktet e BE-së, reagon Von der Leyen: Vendimi rrezikon zinxhirët e furnizimit transatlantik! Jemi gati për kundërpërgjigje

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.
Në një deklaratë zyrtare, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e tij në rast se tarifat hyjnë në fuqi nga 1 gushti.
“Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve në të dy anët e Atlantikut,” deklaroi ajo.
“Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian”, theksoi Ursula von der Leyen.
Von der Leyen shtoi se BE-ja ka qenë gjithmonë në favor të dialogut dhe një zgjidhjeje të negociuar, duke nënvizuar gatishmërinë për të arritur një marrëveshje para afatit të përcaktuar më 1 gusht.
Megjithatë, ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.
“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme,” thuhet në deklaratë.
Presidentja e Komisionit përmbylli mesazhin e saj duke theksuar se BE-ja do të vazhdojë të thellojë partneritetet e saj globale, të bazuara në rregullat e tregtisë ndërkombëtare dhe respektin e ndërsjellë.
Ky reagim vjen pas vendimit të Presidentit Trump për të vendosur tarifa të reja ndaj Bashkimit Evropian dhe Meksikës, duke ngjallur shqetësime të thella në tregjet ndërkombëtare dhe duke rritur frikën për një luftë tregtare të gjerë mes fuqive ekonomike botërore.
Po ndodh...
83 mandatet nuk janë imunitet për shokët dhe shoqet e Ramës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
