Balluku dhe 25 persona drejt gjyqit, zbardhet dëmi prej 5 miliardë lekësh, 1.8 milionë euro pasuri të sekuestruara
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dorëzuar në gjykatë kërkesën për gjykimin e dosjes penale ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë çështje.
Lajmi u bë i ditur nga drejtuesi i SPAK, Klodian Braho, gjatë një komunikimi me gazetarët, ku ishin të pranishëm edhe dy prokurorët që kanë ndjekur hetimet, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet janë përqendruar në 10 procedura tenderimi, ndërsa dëmi ekonomik që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit të shtetit vlerësohet në mbi 5 miliardë lekë.
Në kuadër të kësaj dosjeje, Balluku është marrë e pandehur së bashku me 25 persona fizikë dhe dy subjekte juridike.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i SPAK bëri të ditur se për hetimin e kësaj çështjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe dhjetë hetues, të cilët kanë punuar pa ndërprerje.
“Ju njoftoj për mbylljen e hetimeve për Belinda Ballukun dhe ju bëj me dije se sot çështja do të dërgohet në gjykatë. Vlerësojmë se kjo mënyrë komunikimi i shërben më mirë informimit të publikut”, deklaroi Braho.
10 tendera nën hetim, përfshihen Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe
Detajet e dosjes u prezantuan nga prokurori Dritan Prençi, i cili konfirmoi se kërkesa për gjykim është depozituar në gjykatë dhe se hetimet kanë përfshirë dhjetë procedura prokurimi.
Mes tyre janë procedurat për Tunelin e Llogarasë, lotet e Unazës së Madhe dhe prokurimi i lidhur me shoqërinë Albcontrol.
Duke u ndalur te një prej procedurave, me fond limit rreth 18 miliardë lekë, Prençi deklaroi se, sipas hetimeve, Balluku, në cilësinë e ish-ministres, kishte vijuar të ndiqte dhe orientonte procesin, pavarësisht se kompetencat përkatëse u ishin kaluar strukturave të tjera.
Sipas prokurorit, dyshimet lidhen me paracaktimin e kompanisë “Intecar SRL” si fituese e procedurës.
“Qëllimi ka qenë paracaktimi i kompanisë ‘Intecar SRL’”, deklaroi Prençi, duke paraqitur përfundimet e hetimit.
Në këtë procedurë, sipas SPAK, janë evidentuar edhe veprime të anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Gentian Gjylit, Mirzeta Kashnicës dhe Evis Berberit, të cilët kanë marrë pjesë në shpalljen e fituesve.
Ndërkohë, Viola Haxhiademi, në cilësinë e personit përgjegjës, dyshohet se ka miratuar një preventiv me çmime të fryra, në kundërshtim me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe rregullat për analizat teknike.
“Nga provat e administruara ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur gabim me rreth dy miliardë lekë”, u shpreh prokurori.
Prençi shtoi se edhe në procedurat e tjera të lidhura me projektin janë konstatuar veprime që, sipas hetimeve, bien në kundërshtim me ligjin dhe preventivin e rishikuar.
Sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK, ish-zëvendëskryeministrja përballet me akuza që lidhen me korrupsionin në nëntë raste, fshehjen e pasurisë në dy raste dhe pastrimin e parave.
Në kuadër të hetimeve janë sekuestruar edhe pasuri me vlerë rreth 1.8 milionë euro.
Ndërkohë, në dosjen e dorëzuar në gjykatë përfshihen gjithsej 25 persona fizikë dhe dy subjekte juridike, për të cilët SPAK ka kërkuar gjykimin.
Me përfundimin e hetimeve dhe depozitimin e kërkesës për gjykim, dosja ndaj Belinda Ballukut dhe personave të tjerë kalon tashmë në fazën gjyqësore. Do të jetë gjykata ajo që do të shqyrtojë provat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme dhe do të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve.
Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, të gjithë personat e marrë të pandehur prezumohen të pafajshëm.
Po ndodh...
Çfarë janë socialistët pa Ramën, "mut"?!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128

