BE zhbllokon 10 miliardë euro për Hungarinë pas ndryshimit të qeverisë

10 July 2026, 17:25 / BOTA ALFA PRESS

BE zhbllokon 10 miliardë euro për Hungarinë pas ndryshimit

Hungaria pritet të marrë rreth 10 miliardë euro nga fondi i rimëkëmbjes së Bashkimit Evropian, i krijuar gjatë pandemisë së COVID-19, pasi shtetet anëtare miratuan sot programin e reformave dhe investimeve të paraqitur nga qeveria e re në Budapest.

Përfaqësuesit e vendeve anëtare, të mbledhur në Bruksel, i dhanë dritën jeshile planit, i cili synon të forcojë luftën kundër korrupsionit dhe të rrisë transparencën në përdorimin e fondeve publike dhe në procedurat e prokurimit publik.

Fondet e destinuara për Hungarinë, që arrinin në dhjetëra miliarda euro, ishin bllokuar gjatë qeverisjes së ish-kryeministrit nacionalist Viktor Orban për shkak të shkeljeve të sundimit të ligjit dhe vlerave themelore të Bashkimit Evropian.

Qeveria e re e kryeministrit Péter Magyar ka nisur një kurs të ri politik dhe kishte shprehur pritshmërinë që fondet të zhbllokoheshin sa më shpejt.

Sipas BE-së, nga paketa prej 10 miliardë eurosh, rreth 6,5 miliardë euro do të jepen në formën e granteve, ndërsa 3,5 miliardë euro si hua.

Komisioni Evropian theksoi se disbursimi i fondeve do të bëhet në bazë të përmbushjes së reformave të rëna dakord.

Pagesat do të kryhen vetëm pasi Hungaria të arrijë objektivat dhe etapat e përcaktuara në planin e saj të reformave dhe investimeve.

Po ndodh...

ide