Berisha: Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët, Rama varrosi reformën territoriale për të manipuluar zgjedhjet

23 July 2026, 17:22 / POLITIKË ALFA PRESS
Berisha: Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët, Rama varrosi

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediat jashtë Parlamentit, hodhi akuza ndaj kryeministrit  Rama, duke pretenduar se Kuvendi nuk përfaqëson qytetarët shqiptarë, por “kartelet e drogës dhe qeveritarët më hajdutë të Evropës”.

“35 vite pluralizëm. Sot, në këtë Parlament… që nuk përfaqëson qytetarët shqiptarë, por përfaqëson kartelet e drogës dhe qeveritarët më hajdutë të Evropës dhe më gjerë. Protestuesit paqësorë u shpallën terroristë”, deklaroi Berisha.

Duke u ndalur te reforma territoriale, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se hodhi poshtë një proces njëvjeçar, i cili sipas tij kishte mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, për t’i hapur rrugë manipulimit të zgjedhjeve.

“Sot Edi Rama kaloi edhe reformën territoriale… Varrosi një punë njëvjeçare, serioze, të mbështetur fuqimisht nga komuniteti ndërkombëtar. E varrosi sepse do me çdo kusht jo një reformë në interes të qytetarëve, por një reformë në interes të manipulimit të zgjedhjeve dhe të rrëmbimit të votave me çdo kusht“, u shpreh ai.

Berisha shtoi se, sipas tij, veprimet e kryeministrit tregojnë se ai ndodhet në fund të karrierës së tij politike.

“Ai ishte sot, me gjithë këto veprime, i pakallur. Këto janë përpëlitjet e fundit të një njeriu që do të përfundojë në galeritë më të errëta të historisë. Edi Rama nuk shpëton më”, deklaroi kreu i PD-së.

Po ndodh...

ide