"Republika e gardheve" kundër Republikës së qytetarëve

Gardhet që rrethojnë Kuvendin nuk mbrojnë demokracinë. Ato janë simboli i një ndarjeje më të thellë: ndarjes mes pushtetit politik dhe qytetarit.
"Nuk na përfaqësoni!" është thirrja që jehon përballë Kuvendit të Shqipërisë nga qytetarët që protestojnë prej 54 ditësh.
Kjo nuk është thjesht një parrullë proteste. Është sfida më e rëndë që mund t’i bëhet një
Parlamenti në një sistem demokratik. Sepse një Kuvend nuk legjitimohet vetëm nga numri i deputetëve apo nga një shumicë parlamentare. Ai legjitimohet nga besimi i qytetarëve se aty përfaqësohet vullneti i tyre.
Rrugët e bllokuara që të çojnë drejt Kuvendit kanë një domethënie shumë më të madhe sesa një masë sigurie. Ato janë metafora e një sistemi politik që, përballë pakënaqësisë qytetare, zgjedh të mbyllë rrugët në vend që të hapë rrugën drejt ndryshimeve reale nga përgjegjësia politike e qeverisë deri te një reformë e vërtetë zgjedhore.
Kur institucionet mbrohen nga qytetarët, në vend që qytetarët të mbrohen përmes institucioneve, kemi hyrë në një krizë të thellë të përfaqësimit.
Kjo protestë nuk është thjesht kundër një qeverie të radhës. Ajo është kundër një klase politike dhe një kaste pushteti që për më shumë se tri dekada ka përcaktuar fatin e vendit, duke e mbajtur qytetarin jashtë vendimmarrjes reale.
Pas pak fillon seanca plenare e fundit për këtë legjislature, do të fillojë teatri i radhës i kuvendi që nuk përfaqëson qytetarët sepse është produkt i marrëveshjeve Rama -Berisha
Kjo është arsyeja pse zemërimi qytetar nuk lidhet vetëm me një emër.
Kjo është arsyeja pse thirrja është kundër një kulture politike që e ka mbajtur peng, kundër Edi Ramës, kundër Sali Berishës dhe vasalëve të tyre politik.
Por sa më i madh bëhet mosbesimi publik, aq më shumë pushteti shtrëngon masat e propagandës. Sa më të forta bëhen kërkesat për llogaridhënie, aq më shumë ato trajtohen si kërcënim. Dhe kur qytetarët thërrasin para Kuvendit "Nuk na përfaqësoni!", përgjigjja nuk është reflektimi, por gardhet dhe kordonët e policisë.
Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm kush qeveris. Problemi është mënyra se si është ushtruar pushteti në 35 vite.
Prandaj beteja që zhvillohet sot, pas 54 ditësh protestë, nuk është thjesht për rotacion politik.
Sfida e vërtetë është ndërtimi i një Republike ku asnjë lider të mos jetë më i madh se Kushtetuta, ku asnjë parti të mos jetë më e rëndësishme se shteti dhe ku asnjë qytetar të mos detyrohet të qëndrojë pas gardheve për t’i kujtuar Parlamentit se sovraniteti buron prej tij.
Sepse në fund, kjo nuk është vetëm një përballje mes qeverisë dhe protestuesve.
Është përballja mes një modeli të vjetër pushteti dhe kërkesës për një Republikë të re.
Në protestë sot është Republika e qytetarit kundër kastës politike.
Po ndodh...
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë
ide
"Republika e gardheve" kundër Republikës së qytetarëve
Dumbabistët e rinj
Nga rotacioni i elitave te zëvendësimi i elitave
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128