Të gjithë po e lexojnë gabim këtë protestë

23 July 2026, 13:46 / IDE NGA RED VARAKU

Ka një keqkuptim të madh në mënyrën se si po tentohet te imponohet leximi i kësaj proteste. Në ligjërimin e saj mazhoranca e konsideron si një protestë kundër qeverisë e organizuar nga segmente të opozitës së vjetër, ndërsa për opozitën është një protestë e qytetarëve drejtuar kundër kësaj mazhorance .
Ndërkohë vërteta është që protesta nuk ka lidhje as me njërën as me tjetrën, por ajo po përpiqet të prodhojë diçka krejt tjetër, një model të ri përfaqësimi politik.
Për këtë arsye, establishmenti po përpiqet me çdo kusht ta trajtojë si vazhdim të konfliktit të zakonshëm mes PS-së dhe PD-së. Sepse në momentin që protesta futet në atë kornizë, ajo humbet arsyen e ekzistencës dhe kthehet në një episod të zakonshëm të politikës shqiptare.
Por ndryshe nga protestat klasike, kjo protestë nuk është ndërtuar rreth një lideri. Nuk ka dalë në shesh për të promovuar një figurë politike apo për të përgatitur rotacionin e radhës. Është përpjekur të ndërtojë legjitimitetin mbi disa kërkesa konkrete, duke e zhvendosur debatin nga individi te kauza. Ky është ndryshimi i parë dhe ndoshta më i rëndësishmi.
Ndryshimi i dytë lidhet me përfaqësimin. Protesta nuk po kërkon të jetë opozita e re. Ajo po përpiqet të paraqitet si zëri i qytetarëve që nuk ndihen më të përfaqësuar as nga qeveria dhe as nga opozita tradicionale. Pikërisht këtu qëndron potenciali i saj politik, por edhe rreziku më i madh. Nëse arrin ta ruajë këtë identitet, fiton një legjitimitet që partitë nuk e kanë më. Nëse e humbet, bëhet një protestë si gjithë të tjerat.
Edhe mënyra e organizimit nuk është e zakonshme. Në vend të një shpërthimi të fortë e të shkurtër, është zgjedhur presioni i vazhdueshëm. Nuk kërkohet spektakli i një dite, por konsumimi gradual i autoritetit politik. Është një strategji që nuk matet me numrin e njerëzve në një mbrëmje, por me aftësinë për ta mbajtur gjallë krizën e legjitimitetit.
Edhe narrativa ka ndryshuar. Protesta nuk flet më vetëm për një vendim apo për një projekt të caktuar. Ajo e ka zgjeruar debatin te mënyra si funksionon shteti, te raporti mes qytetarit dhe pushtetit, te kriza e përfaqësimit politik. Në këtë kuptim, ajo nuk po sfidon vetëm qeverinë. Po sfidon modelin mbi të cilin është ndërtuar politika shqiptare në këto tri dekada.
Kjo nuk do të thotë se protesta e ka fituar betejën. Përkundrazi. Ajo ndodhet përpara provës më të vështirë. Duhet të ruajë karakterin qytetar, disiplinën organizative dhe qartësinë programore. Sepse këto janë elementët që e dallojnë nga protestat që kanë kaluar pa lënë asnjë gjurmë.
Sepse tashme, çeshtja nuk është nëse kjo protestë do ta rrëzojë apo jo qeverinë. Ceshtja është nëse ajo do të arrijë të prodhojë një alternativë të re legjitimiteti politik. Nëse po, atëherë Shqipëria nuk do të jetë përballë një proteste të zakonshme, por përballë fillimit të një transformimi të sistemit politik. Nëse jo, atëherë do të mbyllet si shumë protesta të tjera, duke u bërë pjesë e ciklit të pafund të përplasjes mes mazhorancës dhe opozitës.

Po ndodh...

ide