Diktatura që nuk ka nevojë për pranga
![]()
"Një diktaturë e përsosur ka pamjen e një demokracie, por në thelb është një burg pa mure, në të cilin të burgosurit as nuk ëndërrojnë dot të arratisen. Në thelb, është një sistem skllavërie, ku skllevërve, falë konsumit dhe argëtimit, u pëlqen robëria e tyre."
Thënia e Aldous Huxley është jashtëzakonisht e saktë dhe aktuale.
Një diktaturë e përsosur nuk ka nevojë për tela me gjemba, ushtarë e policë në çdo cep rruge dhe që trokasin në derë në mesnatë.
Diktatura mund të duket si demokraci. Mund të ketë zgjedhje, parlament, media, debate dhe liri formale. Madje mund të lejohen edhe protestat, të cilat më pas etiketohen dhe vriten.
Por, nëse qytetari nuk ka më aftësinë të mendojë në mënyrë të pavarur, të dyshojë, të kundërshtojë dhe të imagjinojë një realitet tjetër, atëherë demokracia është fasadë.
Kjo është thelbi i paralajmërimit të Aldous Huxley-t. Forma më e rrezikshme e tiranisë nuk është ajo që të detyron të bindesh, por ajo që të bën të duash bindjen. Nuk është ajo që të mbyll në burg, por ajo që e shndërron botën jashtë burgut në një hapësirë të frikshme, të pasigurt dhe të pakuptimtë. Është ajo që të bën të ndihesh i papërfaqësuar, i padobishëm, i tepërt. Atëherë qelia nuk ka më nevojë për mure. Mjafton që njeriu të mos e imagjinojë dot lirinë.
Në këtë sistem, kontrolli nuk realizohet vetëm përmes dhunës fizike. Ai realizohet përmes dhunës e tjetërsimit psikologjik, konsumit të pandërprerë, argëtimit të vazhdueshëm dhe shpërqendrimit të përhershëm, mashtrimit dhe denigrimit pa fre të atyre që guxojnë të mendojnë apo veprojnë.
Qytetarët bombardohen me lajme, spektakle, skandale, reklama dhe konflikte të fabrikuara; bombardohen me biografi individësh dhe të zgjedhur pa asnjë lloj vlere intelektuale e qytetare, derisa humbasin aftësinë për të dalluar thelbësoren nga e parëndësishmja.
Synimi i diktaturave dhe autokracive moderne është krijimi i skllevërve të lumtur e skllevërve vullnetarë, krijimi i një shoqërie të atrofizuar, të zhytur në zhurmë, e cila nuk ka kohë të dëgjojë të vërtetën, jo më të protestojë për të.
Skllevërit e së kaluarës ëndërronin lirinë sepse e ndienin mungesën e saj.
Skllevërit modernë mund të mos e ndiejnë fare. Ata kanë zgjedhje për të bërë, por jo gjithmonë zgjedhje të vërteta; kanë zëra për të dëgjuar, por jo domosdoshmërisht mendime të pavarura; kanë informacion të pafund, por gjithnjë e më pak njohuri dhe, shumë më shumë kafene e bare ku të shtyjnë kohën...
Rreziku më i madh për demokracinë nuk është vetëm diktatori që kërkon pushtet.
Është qytetari që, nga rehatia, frika ose argëtimi, heq dorë vullnetarisht nga liria, arratiset nga liria, ngaqë përqafon rutinën e diktaturës së përsosur, në të cilën të burgosurit nuk kërkojnë të arratisen, pasi janë bindur se burgu është bota.
Po ndodh...
Rama & Berisha, tango e shëmtuar antiprotestë
ide
Diktatura që nuk ka nevojë për pranga
"Republika e gardheve" kundër Republikës së qytetarëve
Dumbabistët e rinj
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128