4 milionë granata artilerie, qindra tanke, 400 mijë ushtarë/ Pse shtetet anëtare të NATO-s janë të alarmuara nga qëndrimi agresiv i Rusisë?

19 Shkurt 2024, 16:16 / BOTA ALFA PRESS

4 milionë granata artilerie, qindra tanke, 400 mijë ushtarë/ Pse
Po jetojmë në kohëra vërtet të rrezikshme dhe gjendemi në një pikë kur konfliktet me shtrirje të gjerë janë të mundshme më shumë se asnjëherë në historinë e re”. Këto fjalë i ka thënë një punëtor i shërbimit sekret britanik. Dhe këto fjalë i citon në numrin e fundjavës e përditshmja britanike “Financial Times”.

Bëhet fjalë për rrezikun që i kanoset botës, e sidomos Perëndimit, nga Rusia. Ushtria tokësore e saj — këmbësoria — është dobësuar në Ukrainë, por marina dhe forcat ajrore ruse janë intakte. Një arsye që i shqetëson zyrtarët perëndimorë është ringjallja e industrisë ruse të armatimit. Këtë shumëkush në Perëndim nuk e ka pritur, së paku jo me këtë shpejtësi. Në 12 muajt e fundit Rusia ka prodhuar 4 milionë garnata artilerie dhe disa qindra tanke. Zyrtarët ukrainas presin që Moska të rekrutojë sivjet edhe 400 mijë ushtarë.

Rreziku nuk vjen vetëm nga Moska, por edhe nga Donald Trumpi. Ish-presidenti amerikan, i cili synon t’i fitojë zgjedhjet në nëntor dhe të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, ditë më parë tha se do të inkurajojë Rusinë të sulmojë ato shtete anëtare të NATO-s të cilat nuk paguajnë së paku 2 për qind të bruto prodhimit vendor në buxhetin e NATO-s. Presidenti Joe Biden e ka kritikuar ashpër Trumpin për këtë deklaratë.

Ministri danez i Mbrojtjes Troels Lund Poulsen tha javën që shkoi se Rusia ka gjasa që brenda 3 deri 5 viteve të testojë nenin 5 të Aleancës Veriatlantike. Ky nen parasheh që të gjitha shtetet e NATO-s e mbrojnë një anëtar të sulmuar nga një shtet tjetër jashtë NATO-s.

Paralajmërime se Rusia mund të provokojë një konflikt të gjerë kundër NATO-s kanë ardhur javëve të fundit edhe nga Suedia, Britania e Madhe, Rumania, Gjermania dhe zyrtarët e NATO-s. Në përgjigje të kërcënimeve ruse mesazhi nga Konferenca e Sigurisë në München, e cila u mbajt gjatë fundjavës, ishte ky: më shumë armë, më shumë para, më shumë seriozitet. Aktualisht, sipas “Financial Times”, Komanda e Përbashkët e Përkrahjes dhe Aftësimit e NATO-s, selia e së cilës gjendet në Ulm të Gjermanisë, është duke përgatitur plane se si mund të vihen në veprim trupat e NATO-s në rast rreziku./ (Enver Robelli)

 

Po ndodh...