BILD: Pas Iranit dhe SHBA, tani edhe Kina po bllokon një rrugë detare të rëndësishme
Ndërsa Irani dhe SHBA-ja po e bllokojnë de facto Ngushticën e Hormuzit dhe njëkohësisht po diskutojnë për një marrëveshje të mundshme, mijëra kilometra më larg po përshkallëzohet kriza e radhës detare: Kina duket se po shtrëngon rrethimin në Barrierën e Panatagut, një zonë e diskutueshme dhe strategjike në Detin e Kinës Jugore. Kjo rrezikon një tjetër bllokadë!
Pamjet satelitore tregojnë se Kina po përdor anije dhe një barrierë lundruese për të bllokuar hyrjen në këtë ishull në Detin e Kinës Jugore. Shkaku janë tensionet me Filipinet lidhur me këtë barrierë, që ndodhet rreth 220 km në perëndim të ishullit filipinas Luzon. Të dy vendet pretendojnë territorin, pasi ai ndodhet në një zonë të rëndësishme për peshkim dhe tregti.
Eksperti i gjeopolitikës, profesori Klemens Fischer (61 vjeç, Universiteti i Këlnit), paralajmëron: “Ndërsa bota është e përqendruar te Ngushtica e Hormuzit dhe bllokada e dyfishtë nga Irani dhe SHBA-ja, Kina, rreth 3700 milje detare më larg në Detin e Kinës Jugore, po fillon gjithashtu të ndërtojë një bllokadë detare”.
Për Filipinet, ky është një provokim: sipas agjencisë së lajmeve Reuters, anijet e tyre janë dëbuar vazhdimisht nga njësi kineze, edhe pse sipas tyre barriera ndodhet brenda zonës së tyre ekonomike – diçka që Kina e ka injoruar prej vitesh. Ky rast mund të shërbejë si një test për të parë nëse Kina mund t’ia dalë me këto lloj bllokadash, sipas Prof. Fischer. Frika është se nëse Pekini ka sukses, mund të përpiqet të kontrollojë edhe më shumë rrugë detare, hap pas hapi.
Manovra e Kinës ka “një dimension krejt tjetër” nga bllokada aktuale në Hormuz, thekson Fischer. Ai shpjegon: “Përmes Detit të Kinës Jugore kalon çdo vit rreth një e treta e tregtisë detare botërore, pra mallra me vlerë rreth 3.3 trilionë dollarë amerikanë. Shtatë shtete përreth po garojnë në nëntë zona të ndryshme për pretendime ekskluzive, dhe Kina është e përfshirë pothuajse në çdo konflikt”.
Bllokimi i rrugëve detare po bëhet “sport i fuqive të mëdha”
Pasojat e një bllokade të plotë do të ndiheshin në mbarë botën – edhe në Europë. Fischer paralajmëron: “Vetëm kjo pasiguri mjafton për të rritur primet e sigurimit për anijet dhe ngarkesat, duke rritur kështu kostot e transportit, të cilat më pas reflektohen në çmimet për konsumatorët”.
Me fjalë të tjera: shumë produkte mund të bëhen më të shtrenjta.
Profesori jep një përfundim të zymtë: “Nëse bllokimi i rrugëve detare, që janë jetike për ekonominë botërore, bëhet sport i fuqive të mëdha, europianët do të jenë ata që paguajnë çmimin, pa qenë në gjendje të ndërhyjnë”./BILD
Po ndodh...
Denoncimi i berishizmit është parakusht për denoncimin e pushtetit
ide
Leksioni hungarez dhe 4 mesazhe për estabilishmentin politik në Shqipëri
Viktor Orbani diktator?
Pse nuk duhet besuar Kryeministri kur flet për rritjen ekonomike !
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128