Përplasja e dy trenave në Spanjë, rritet ndjeshëm numri i viktimave! Vijon kërkimi për trupat e tjerë

20 Janar 2026, 09:53 / BOTA ALFA PRESS

Përplasja e dy trenave në Spanjë, rritet ndjeshëm numri i

Operacionet e shpëtimit për viktimat e tragjedisë hekurudhore që goditi Spanjën kanë vazhduar pa ndërprerje gjatë gjithë natës.

Ndërkohë, autoritetet kanë konfirmuar se numri i të vdekurve është rritur në 41, ndërsa ende ka shpresa për gjetjen e trupave të tjera.

Identifikimi i viktimave të gjetura vazhdon, dhe dyzet e tre raportime për persona të zhdukur janë bërë nga familjarët e atyre që ndodheshin në dy trenat e përfshirë në aksidentin e ndodhur në Adamuz, Andaluzi.

Megjithatë, numri i viktimave mund të jetë shumë më i lartë, pasi kërkimet për trupat e mbetur vazhdojnë, dhe autoritetet kanë paralajmëruar se ky bilanc mund të rritet në ditët në vazhdim. Më shumë se 150 persona janë plagosur, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë.

Ministri i Brendshëm, Fernando Grande-Marlaska, shpjegoi se operacionet e shpëtimit do të vazhdojnë “derisa të rikthehet normaliteti”, duke përmendur se këto përpjekje mund të zgjasin disa ditë, për shkak të nevojës për automjete të rënda që të mundësojnë zhvendosjen e trenave nga shinat dhe mundësinë e gjetjes së trupave të 43 pasagjerëve që ende nuk janë gjetur.

Një nga historitë më emocionuese që ka dalë nga ky aksident është ajo e një vajze gjashtëvjeçare që, pas tragjedisë, u gjet duke endur mes rrënojave, e padëmtuar. Ajo udhëtonte me familjen e saj në trenin Alvia dhe ka mbijetuar, ndërsa të gjithë anëtarët e familjes janë viktima të këtij aksidenti tragjik. Vajza u gjet nga dy anëtarë të ekipit të shpëtimit, duke kaluar mes skenës apokaliptike të rrënojave, dhe u dorëzua më pas tek gjyshërit e saj.

Në një akt ngushëllimi dhe solidariteti, Mbreti Felipe VI dhe Mbretëresha Letizia do të vizitojnë vendin e aksidentit sot për të shprehur ngushëllimet e tyre për viktimat dhe familjet e prekura. Ata do të shoqërohen nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Financave Maria Jesús Montero, pas një kthimi të shpejtë nga Athina, ku po merrnin pjesë në funeralin e Princeshës Irene të Greqisë. Ata anuluan angazhimet e tyre të planifikuara në Toledo për të qenë të pranishëm në këtë ngjarje të dhimbshme.



Po ndodh...