Regjimi iranian kërcënon me vdekje mjekët që ndihmojnë protestuesit e plagosur

Autoritetet iraniane po përballen me akuza të rënda nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për ndjekjen dhe ndëshkimin e mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë që ndihmuan mijëra protestues të plagosur gjatë shtypjes së dhunshme të protestave anti-regjim në vend. Të paktën një kirurg rrezikon dënimin me vdekje.
Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, arrestimet dhe kërcënimet me ekzekutim janë pjesë e një fushate të qëllimshme “hakmarrjeje” ndaj personelit mjekësor, i cili refuzoi të injoronte gjendjen e protestuesve të plagosur rëndë, shumë prej të cilëve u qëlluan me armë zjarri ose u therën nga afër. Në disa raste, mjekët ngritën edhe qendra të improvizuara trajtimi.
Një nga rastet më të rënda është ai i kirurgut iranian Alireza Golchini, 52 vjeç, nga qyteti Qazvin. Ai është akuzuar për “moharebeh” (luftë kundër Zotit), një vepër që në Iran dënohet me vdekje, sipas organizatës Hengaw me seli në Norvegji. Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë thirrje për lirimin e tij. Duke folur për gazetën The Guardian, kushërira e tij, Nima Golchini, e cila jeton në Kanada, tha se kirurgu u arrestua me dhunë më 10 janar nga shtëpia e tij, përpara gruas dhe djalit 11-vjeçar. “Ai u rrah aq rëndë gjatë arrestimit sa iu thyen krahu dhe brinjët. Familja jonë është e tmerruar,” tha ajo. Sipas familjarëve, pak ditë para arrestimit Golchini kishte publikuar në rrjetet sociale numrin e tij të telefonit, duke u kërkuar protestuesve të plagosur ta kontaktonin për ndihmë mjekësore. Ai kishte trajtuar më parë protestues edhe gjatë demonstratave “Gruaja, Jeta, Liria” në vitin 2022. Autoritetet iraniane nuk kanë komentuar publikisht mbi arrestimin e Golchinit dhe as nuk kanë konfirmuar akuzat ndaj tij. Megjithatë, kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni Ejei, ka bërë thirrje për ashpërsi ndaj protestuesve, duke deklaruar se autoritetet nuk duhet të tregojnë “asnjë butësi” ndaj atyre që, sipas tij, rrezikojnë sigurinë publike.
Golchini është një nga të paktën nëntë mjekë dhe vullnetarë të kujdesit shëndetësor të arrestuar javën e kaluar, sipas Organizatës Iraniane për të Drejtat e Njeriut (IHRNGO) me seli në Norvegji. Organizata raportoi se forcat e sigurisë kanë bastisur strehimore të improvizuara mjekësore, si dhe shtëpitë e mjekëve dhe vullnetarëve që trajtonin protestuesit e plagosur, pa dhënë informacion mbi vendndodhjen ose gjendjen e të arrestuarve. “Kjo duket të jetë një fushatë e qëllimshme hakmarrjeje kundër mjekëve që refuzojnë të braktisin të plagosurit,” tha Hossein Raesi, një avokat iranian i të drejtave të njeriut në mërgim.
Sipas të dhënave të organizatës Aktivistë të të Drejtave të Njeriut në Iran, me seli në SHBA, janë regjistruar mbi 6,000 vdekje të konfirmuara dhe po hetohen më shumë se 17,000 të tjera. Organizata raporton gjithashtu të paktën 42,324 arrestime në të gjithë vendin, me informacion të kufizuar mbi fatin e të ndaluarve. Departamenti Amerikan i Shtetit kërkoi zyrtarisht lirimin e Golchinit dhe të gjithë mjekëve të arrestuar, duke paralajmëruar se ekzekutimet në Iran do të sillnin pasoja. “Presidenti Trump e ka bërë të qartë se ekzekutimet nuk duhet të kryhen në Iran,” thuhet në deklaratë.
Po ndodh...
Revolucioni mbaroi, Edi Rama vazhdon i qetë
ide
Vetmia e madhe e Perëndimit dhe demokracisë liberale
Paratë e korrupsionit po blejnë kohë politike.
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
