Paratë e korrupsionit po blejnë kohë politike.

29 Janar 2026, 11:57 / IDE NGA TAULANDA JUPI

Paratë e korrupsionit po blejnë kohë politike.

Në Shqipëri, korrupsioni nuk është më thjesht një sëmundje e sistemit politik, ai është vetë sistemi. Koha nuk blihet, por paratë e korrupsionit sot po blejnë kohë politike, edhe pse moralisht koha politike e Edi Ramës dhe Sali Berishës ka mbaruar. Ata nuk përfaqësojnë më as alternativën për ndryshim, as të ardhmen.

Paratë e korrupsionit po blejnë kohë!
Si kurrë më parë politika sot nuk përball më idetë, vizione apo projekte për një zhvillim të qëndrueshëm, ajo përtyp brenda këtij sistemi paranë e korrupsionit.

Kështu, Rama dhe Berisha nuk “konkurrojnë”. Ata blejnë kohë politike, shtyjnë çdo ditë, edhe një ditë, edhe një ditë, edhe një ditë më shumë pushtetin e tyre në politikë, njëri në krye të maxhorancës e tjetri në krye të opozitës.
Edi Rama blen kohë për të qëndruar në pushtet: tenderë, koncesione, favore. Çdo euro e shpërndarë pa transparencë, pa llogaridhënie, gjeneron më shumë kontroll, më shumë pushtet dhe më pak përgjegjësi.

Sali Berisha blen kohë për të mbijetuar në opozitë: konflikte, protesta, struktura partiake të mbështetura me fonde që nuk janë bërë kurrë transparente, që i lejojnë të ketë pushtetin mbi opozitën, duke vrarë çdo alternativë reale.
As Rama dhe as Berisha nuk kanë interes ta ndryshojnë këtë sistem. Paratë e korrupsionit i blejnë kohë politike dhe imunitet personal të dyve. Një përballje reale me korrupsionin do të ishte vetëvrasje politike për të dy.

Paratë e korrupsionit blejnë kohë!
Çdo ditë më shumë, çdo javë më shumë, çdo muaj më shumë është shmangie nga përballja me drejtësinë, është ruajtja e status quosë, është mbajtje fort pas marrëveshjeve të tyre.

Në fund, problemi nuk është se Rama dhe Berisha janë shumë të fortë. Problemi është se sistemi që kanë ndërtuar është ideuar për t’i mbajtur gjithmonë brenda “lojës”, edhe kur koha ka mbaruar.

Por sa kohë jemi të gatshëm të humbasim ende?! Sepse çdo ditë e blerë politikisht është një ditë e humbur për të ardhmen.
E ardhmja e Shqipërisë nuk po humbet në një betejë të madhe. Ajo po humbet çdo ditë, pak nga pak, në emër të dy individëve Edi Rama dhe Sali Berisha.

Në çdo gjuhë të flasin, shqip apo anglisht, ata janë thjesht dy individë në përpjekje të përbashkëta për të shpëtuar lëkurën e tyre nga drejtësia.

Po ndodh...

ide