Rritet bilanci i viktimave nga i ftohti në SHBA, shkon në 34 numri i të vdekurve!

27 Janar 2026, 15:22 / BOTA ALFA PRESS
Rritet bilanci i viktimave nga i ftohti në SHBA, shkon në 34 numri i

Ka shkuar në 34 numri i personave që kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara si pasojë e stuhisë së fuqishme dimërore “Fern”, e cila ka goditur pjesë të mëdha të vendit gjatë fundjavës.

Viktimat janë raportuar në disa shtete, nga Teksasi deri në Massachusetts, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se i ftohti ekstrem do të vijojë gjatë gjithë javës, me temperatura rekord nën zero.

Një nga rastet më tronditëse u shënua në New Jersey, ku një burrë 67-vjeçar u gjet i pajetë jashtë banesës, me lopatën e borës ende në dorë. Autoritetet dyshojnë se ai ka ndërruar jetë gjatë pastrimit të borës.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, erërat e ftohta kanë arritur deri në -50 gradë Fahrenheit, duke e bërë të rrezikshëm qëndrimin jashtë edhe për pak minuta. Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu për një tjetër stuhi dimërore që pritet të godasë bregun lindor në fundjavë.

Situata mbetet kritike edhe për shkak të ndërprerjeve masive të energjisë elektrike. Më shumë se 525 mijë familje ishin ende pa drita në mëngjesin e së martës, kryesisht në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana.

Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa zona, ndërsa janë raportuar viktima nga hipotermia, aksidentet rrugore, rrëzimet e pemëve, përdorimi i gjeneratorëve dhe aksidente ajrore.

Vetëm në New York, janë raportuar nëntë vdekje, ndërsa në Tenesi kanë humbur jetën katër persona. Probleme të shumta janë shënuar edhe në transportin ajror, me mijëra fluturime të anuluara apo të vonuara.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron se temperaturat ekstremisht të ulëta nga Teksasi deri në Nju Jork mund të shkaktojnë ngrirje dhe hipotermi brenda pak minutash, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

Po ndodh...

ide