Gripi në kulmin e tij, mbi 18 mijë të prekur në javë

27 Janar 2026, 17:36 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Gripi në kulmin e tij, mbi 18 mijë të prekur në javë

Gripi është në kulmin e qarkullimit dhe në pikun e infektimeve. Ditët e fundit të janarit kanë rritur ndjeshëm sëmundshmërinë në popullatë, si edhe format e rënda të shkaktuara nga nëntipi AH3N2 dhe AH1N1.

Instituti i Shëndetit Publik raporton 18.500 raste të prekura vetëm javën e fundit, por shifrat reale janë shumë më të larta, pasi jo të gjithë i drejtohen qendrave shëndetësore dhe mjekut të familjes.

“Jemi në pikun e qarkullimit të gripit dhe të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme. Mbizotëron qarkullimi i nëntipit AH3, i ndjekur nga nëntipi AH1, dhe duhet thënë se e njëjta situatë është edhe në të gjithë kontinentin europian”, thotë për A2 CNN Artan Simaku, specialist në Institutin e Shëndetit Publik.

Referuar shifrave zyrtare të ISHP, ende nuk jemi në epidemi gripi, por vala e infektimeve ka rritur ndjeshëm fluksin e pacientëve në qendrat shëndetësore dhe shtrimet në spitale.

Të prekura janë të gjitha grupmoshat, por fëmijët dhe të moshuarit janë pacientët që po e kalojnë më rëndë gripin e këtij sezoni. “Trendi i shtrimeve në spital ka ardhur në rritje, por mund të themi se është në një situatë të zakonshme për stinën. Këmbëngulim që të respektohet protokolli, pra të zbatohet sistemi i referimit, sepse për një temperaturë të thjeshtë që menaxhohet shumë mirë nga mjeku i familjes dhe për një recetë, shkaktohet grumbullimi dhe mbipopullimi i urgjencave”, thotë Simaku.

Vetëm këtë javë janë shtruar në shërbimin infektiv 130 pacientë me komplikacione të rënda nga gripi. Raste të shtuara ka edhe në sanatorium. E pa dyshim, një fluks të lartë urgjencash po përballet edhe pediatria, ku krahas gripit fëmijët janë të prekur edhe nga virusi respirator sinsincial dhe viroza të tjera.

Referuar edhe viteve të kaluara, ekspertët e shëndetit publik thonë se qarkullimi i gripit do të jetë në kulmin e tij edhe gjatë javëve të para të shkurtit. Më pas, kurba e infektimeve pritet të bjerë./A2 CNN/

Po ndodh...

ide