Rusia, Ukraina dhe SHBA-të do të zhvillojnë sot bisedime në Abu Dhabi

Negociatorët rusë, ukrainas dhe ato amerikanë do të zhvillojnë ditën e sotme bisedime në Emiratet e Bashkuara Arabe. Ky do të jetë takimi i parë ku marrin pjesë të tre vendet që kur Moska nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë gati katër vjet më parë.
Kremlini konfirmoi se zyrtarët rusë do të merrnin pjesë në bisedime pas një takimi midis Presidentit Vladimir Putin dhe të dërguarve të SHBA-së në Moskë.
Rusia i përshkroi këto bisedime si "të dobishme në çdo aspekt", por tha se një marrëveshje paqeje afatgjatë nuk mund të arrihej derisa të zgjidheshin çështjet territoriale.
Të pranishëm në takimin e së enjtes në mbrëmje me Putinin dhe dy ndihmës të tjerë rusë ishin tre përfaqësues amerikanë, përfshirë Steve Witkoff dhe dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se bisedimet ishin konstruktive dhe shumë të sinqerta, por përsëriti se çdo marrëveshje për paqe të qëndrueshme nuk do të mundësohej pa zgjidhur çështjet territoriale.
"Derisa të arrihet kjo, Rusia do të vazhdojë të ndjekë vazhdimisht objektivat e operacionit të posaçëm ushtarak. Pa zgjidhur çështjen territoriale sipas formulës së rënë dakord në Anchorage, nuk ka shpresë për të arritur një zgjidhje afatgjatë", tha ai, duke iu referuar samitit midis Trump dhe Putin në Alaska vitin e kaluar.
Pas takimit me Trump në në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zelensky bëri gjithashtu të qartë se statusi i ardhshëm i territorit në Ukrainën lindore mbetet një çështje e pazgjidhur.
“Gjithçka ka të bëjë me tokën. Kjo është një çështje që nuk është zgjidhur ende”, u tha Zelensky gazetarëve në Davos, duke shtuar se “rusët duhet të jenë të gatshëm për kompromise, jo vetëm Ukraina”.
Pikat e ngërçit territorial përfshijnë kërkesën e Rusisë që Ukraina të heqë dorë nga 25% e rajonit të Donetskut që Kievi ende e kontrollon.
Zelensky në Davos përmendi disa nga zyrtarët e tij më të lartë si pjesë të ekipit negociator ukrainas. Kreu i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të vendit, Rustem Umerov, kanë zhvilluar tashmë me zyrtarët amerikanë në Davos, së bashku me Kyrylo Budanov, kreun e zyrës së Zelensky-t, dhe negociatorin David Arakhamia. Ata do të shoqërohen në Emiratet e Bashkuara Arabe nga shefi i shtabit të përgjithshëm, Andrii Hnatov.
Nga pala ruse, delegacioni në Abu Dhabi do të udhëhiqet nga gjenerali Igor Kostyukov, drejtor i agjencisë së inteligjencës ushtarake GRU të Rusisë, ndërsa i dërguari i investimeve Kirill Dmitriev do të takohet veçmas me Witkoff për të diskutuar çështjet ekonomike.
Zelensky tha muajin e kaluar se një plan 20-pikësh i SHBA-së për t'i dhënë fund luftës ishte 90% gati dhe se qëndrimi i Ukrainës për Donbasin, në Ukrainën lindore, ishte i ndryshëm nga ai i Rusisë. Ai është ofruar të tërheqë trupat deri në 40 km (25 milje) nga rajoni me qëllim krijimin e një zone ekonomike në Donbas, nëse Rusia bën të njëjtën gjë.
Propozimi i SHBA-së për zemrën industriale të Ukrainës në Donbas është për një zonë të demilitarizuar dhe të lirë ekonomike në këmbim të garancive të sigurisë për Kievin. Zelensky u tha gjithashtu gazetarëve në Davos se kishte arritur një marrëveshje me Trumpin mbi garancitë e ardhshme të sigurisë së SHBA-së për Ukrainën në rast të një marrëveshjeje.
Ai nuk dha detaje, por tha se do të duhej të shkonte para Kongresit të SHBA-së dhe parlamentit ukrainas përpara se të nënshkruhej. Një tjetër pikë ngërçi që ka Zelensky është kontrolli i ardhshëm i centralit të madh bërthamor Zaporizhzhia të Ukrainës, i cili u sekuestrua nga Rusia në mars të vitit 2022.
Po ndodh...
Berisha, ky peng i Edi Ramës, që i legalizoi shtetin personal
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
