Studentët bllokojnë hyrjet e dy televizioneve në Beograd dhe Novi Sad

11 Mars 2025, 11:01 / BOTA ALFA PRESS
Studentët bllokojnë hyrjet e dy televizioneve në Beograd dhe Novi

Në kuadër të protestës masive të studentëve në Serbi, ndërtesa e Radiotelevizionit të Serbisë (RTS) në Beograd është bllokuar, dhe në një moment protestuesit janë përleshur me policinë.

Protestuesit kanë bërë të ditur se bllokada para ndërtesës së RTS-së do të zgjasë për 22 orë.

“Sonte jemi përshkruar si bandë nga një moderator i RTS-së. Prandaj jemi duke bllokuar ndërtesën e RTS-së sonte. Nuk do të ketë dhunë dhe asnjë ndërhyrje. Të gjithë punëtorët do të mund të largohen nga ndërtesa, por askush nuk mund të hyjë”, kanë thënë studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Beograd.

Hyrja e RTS-së ka qenë e bllokuar përgjatë gjithë natës, me rreth 100 persona të mbledhur në hyrje të ndërtesës në Beograd. Pjesëtarët e policisë janë brenda ndërtesës.

Studentët e kanë bllokuar edhe ndërtesën e Radiotelevizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad.

Drejtori i këtij televizioni, Goran Karagjiq e ka refuzuar kërkesën e studentëve për të raportuar se çfarë është duke ndodhur në hyrje të ndërtesës, prandaj studentët po vazhdojnë bllokadën, është raportuar të ketë thënë student Boris, sipas agjencisë Beta.

Dhjetëra studentë dhe shtetas tjerë të Serbisë janë mbledhur para hyrjes së Radiotelevizionit të Kragujevcit (RTK) në shenjë solidariteti me studentët që janë duke bllokuar shërbimet publike në Beograd dhe Novi Sad, ka raportuar televizioni N1.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët po kërkojnë që autoritetet të mbahen përgjegjëse për vdekjen e 15 personave, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Beta ka raportuar se disa studentë kanë shkuar në Koshtunjak, një lagje në Beograd, me synim të bllokimit të studios tjetër të RTS-së, prej së cilës mund të ketë transmetim programesh.

Policia ka thënë se do të intervenojë vetëm nëse protestuesit përpiqen të hyjnë në ndërtesë me forcë.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se policia nuk ka vepruar kundër protestueseve, por që ajo është sulmuar, ndonëse në pamjet në rrjetet sociale shihet qartë se policia i ka sulmuar dhe rrahur studentët dhe qytetarët tjerë, ka raportuar Beta.

Një zyrtar policor është plagosur, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se plaga e tij e rëndë në sy është shkaktuar nga protestuesit, të cilët i ka quajtur “anëtarë të pleniumit bolshevik”.

Beta raporton se pamjet në rrjetet sociale tregojnë se zyrtari policor i plagosur ka qenë me veshje civile në protesta dhe ka mundësi të jetë plagosur nga kolegët e tij në uniformë.

Marshet masive të organizuara nga studentët në shumë qytete të Serbisë kanë qenë paqësore dhe nuk është raportuar për incidente.

Përmes bllokadave dhe protestave, studentët janë duke kërkuar publikimin e gjithë dokumentacionit për rindërtimin e stacionit hekurudhor në Novi Sad, për të vërtetuar se kush është përgjegjës për aksidentin.

Protestuesit kërkojnë edhe ndjekjen penale të personave që kanë sulmuar protestuesit si dhe pezullimin e procedurave kundër atyre që janë arrestuar gjatë demonstratave.

Qeveria pretendon se i ka plotësuar kërkesat e studentëve, derisa një grup ekspertësh i formuar nga Senati i Universitetit të Beogradit i ka mohuar këto pretendime përmes një raporti.

Studentë prej shumë pjesëve të Serbisë veçse janë nisur drejt Beogradit, në një protestë të re që është planifikuar për 15 mars./REL

Po ndodh...