
Dosje/ Si tentoi Altin Dardha të ngrinte avionin Mig për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit

- Avioni nuk ngrihet dot në ajër... Edhe po të ndizet, shfryn, se i janë tharë gominat...
Pasojat e tërbimit të Altin Dardhës pas vrasjes së të atit kalojnë të gjitha caqet e imagjinatave.
Në datën 9 korrik 1997, kur i ati ende qahej në shtëpi, ai, bashkë me pjesëtarët e tjerë të Bandës, që këto ditë e dëshmojnë të rritur gjer në rreth 50- 60 vetë, shkojnë në Urën Vajgurore dhe marrin një tank – të njëjtin që u përdor në masakrën e 17 qershorit - me qëllim për të sulmuar lagjen “Vakëf”.
Njëkohësisht, me urdhër të Altin Dardhës, pjestarë të bandës marrin forcërisht nga shtëpitë e tyre dy ushtarakë, që dinin të drejtonin mjetin e blinduar dhe të përdornin armët e tij.
Çmenduria mund të kishte sjellë viktima të shumta, sikur dikush nga banda të mos ishte kujdesur që, fshehurazi Altinit, të çmontonte një pjesë të topit të tankut, duke e bërë atë të papërdorshëm.
Pamundësinë e mjetit për të bërë qitje e paguajnë dy ushtarakët, të cilët Altini i rreh brutalisht.
Pa ndihmën e tankut Altin Dardha nuk guxon të sulmojë drejtpërdrejt lagjen “Vakëf”.
Mitraloza 12.7 mm., topa 85 mm., dhe armë të tjera më të lehta, kishin nxjerrë tytat kërcënueshëm në gjithë perimetrin e lagjes.
I privuar nga mundësia për të përdorur tankun, ai e pozicionon atë pranë Urës së Goricës, duke organizuar edhe një postbllok të përhershëm.
Ishte një lëvizje që e izolonte krejtësisht lagjen “Vakëf”, pasi u hiqte mundësinë banorëve për të udhëtuar në drejtim të Tiranës dhe zonave të tjera të vendit.
Pasi dështon me mjetin e blinduar, Altin Dardha niset si i ndërkryer drejt aeroportit ushtarak të Kuçovës.
Në mendje i kishte lindur një tjetër ide djallëzore: të ngrinte në ajër një nga avionët reaktivë MIG, të cilët ushtria gjatë gjithë kohës i kishte mbajtur në gatishmëri luftarake dhe të bombardonte lagjen e kundërshtarëve të vet. Historinë, që shumëkush mund të mos e besojë, e konfirmon komunikata e policisë e datës 10 korrik 1997.
Dëshmitarë të ngjarjes rrëfejnë se Altin Dardha ishte nisur drejt aeroportit ushtarak me një pjesë të mirë të Bandës.
Atje ata marrin peng të gjithë sa gjejnë, nisur nga ushtarët roje - deri te pilotët, duke i rreshtuar në një magazinë.
Aty Altin Dardha i kërcënon duke u thënë se do i vriste që të gjithë nëse nuk i bindeshin.
Por baza ushtarake-ajrore e Kuçovës nuk ishte më ajo që kishte qenë përpara rënies së shtetit.
Ajo ishte rrënuar nga sulmet e njëpasnjëshme të grabitësve të armatosur.
Për më tepër avionëve u ishte vjedhur edhe karburanti, që në fjalorin e përditshëm të banorëve të zonës emërtohej “vajguri”.
Pa humbur kohë, Altin Dardha urdhëron çerrat e tij të nxjerrin në pistë një avion.
Kështu edhe bëhet. Pak minuta më vonë, nga brendësia e një prej tuneleve, i tërhequr nga një fuoristradë, shfaqet një nga MIG-ët.
Avioni çohet në fillim të pistës.
Por këtu gjithçka bëhet e vështirë.
Piloti inspekton mjetin dhe del në përfundimin se ai kishte kohë që nuk ishte përdorur dhe se, për këtë arsye, nuk mund të ngrihej në ajër.
- Avioni nuk ngrihet dot në ajër... Edhe po të ndizet, shfryn, se i janë tharë gominat...
Por Altin Dardha nuk kishte mendje për të dëgjuar justifikime që i prisnin në mes hovin.
Një sekondë më pas piloti shembet përtokë, i qëlluar me pistoletë në këmbë.
Altin Dardha urdhëron të tijtë të sjellin një tjetër pilot.
Por edhe i dyti refuzon të pilotojë.
- Nëse ndizet, më vrit djalin! Po të them se asnjë nga avionët nuk ndizet. Janë pa karburant...
Situata mbetet e nderë.
Pjesëtarë të tjerë të bandës, me zë të mekur, mundohen ta largojnë Altin Dardhën nga aventura e rrezikshme.
Dikush, që fliste si ekspert, i thotë se, edhe po të ngrihej avioni në ajër, do e kishte të vështirë të shënjonte lagjen, pasi ajo vendosej në një gropë të rrethuar nga kodra.
Dikush tjetër, i cili ishte banor i lagjes “Vakëf”, i thotë se tashmë rrezikonin të vrisnin jo vetëm familjarët, por të zhduknin edhe të gjithë fisin e tij, të përbërë prej 9 familjesh.
Dikush këmbëngulte t’i thoshte se pilotët nuk gënjenin, pasi vërtet fshatarët u kishin vjedhur avionëve të gjithë karburantin... Në një moment, më të favorshëm, dikush arrin ta shkundë:
- Lëre këtë punë! Shkojmë të varrosim babin njëherë!
* * *
Dëshmitarë të ndryshëm thonë se gjatë ceremonisë së varrimit, një njeri i Burhan Tomorrit, pozicionuar me një pushkë snajper disa qindra metër më tej, e ka mbajtur për disa minuta Altin Dardhën në kryqin e shënjestrës, por urdhër për të qëlluar nuk erdhi.
Duket Burhan Tomorri, kishte qenë i dyzuar të merrte përgjegjësinë e njeriut të parë që vriste gjatë një rituali mortor./ Pasazh nga libri "Altin Dardha"

ide

A Nive o Bash!

Bindja absolute dhe jeta e përjetshme!

Europa, gropa dhe shpëtimtari!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128