Absurditetet e protestës së Ilir Metajt te oborri i Inceneratorit!

12 Shtator 2022, 13:44 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Absurditetet e protestës së Ilir Metajt te oborri i Inceneratorit!

Çdo protestë kundër kësaj qeverie të korruptuar deri në asht, është e vonuar. E vogël, e madhe, sensibilizuese, shtrënguese apo “revolucionare” qoftë, ajo është e mirëpritur.

Kështu duhet ta trajtojmë edhe atë që ka lajmëruar PL e Ilir Metajt për datën 13 shtator, pikërisht në oborrin e Inceneratorit të Tiranës.

Deri këtu jemi në rregull, por nuk kemi pse të fshehim disa absurditete që mbart në vetvete kjo protestë.

Së pari ajo po nxjerr në shesh një “luftë të ftohtë” mes Ilir Metajt dhe grupimit të tij, me Sali Berishën dhe ndjekësit. Gjatë muajit gusht të dy u përbetuan se kanë një aleancë dhe se në muajin shtator do të nisin protesta të fuqishme kundër regjimit të Edi Ramës.

Berisha e përsëriti këtë premtim edhe këtë të hënë te busti i Azem Hajdarit, por kur, ku dhe si do të zhvillohen, sërish nuk i sqaroj të paktën mbështetësit që duken të dekurajuar që tani.

Nuk e dimë se çfarë ka ndodhur prapa skene, por duke pasur parasysh se të dy janë “mjeshtër” të organizimit dhe mobilizimit të protestave, faza parapërgatitore ka qenë fare e vakët. Ndoshta nga sondazhet e tyre të brendshme, nuk ju ka rezultuar se mund të arrijnë “madhështinë” që pretendojnë. Ndoshta janë të dy të kompleksuar për “Liderin nr. 1”, që do të prodhonin këto protesta.

Gjithsesi ajo që pamë ishte një shfryrje që Ilir Metaj i bëri bubullimave të gushtit të drejtuara gati personalisht ndaj Edi Ramës me “thyerje në mes”, e të tjera zhargone kërcënuese.

Papritur protesta e madhe anti- Ramë e shumëpritur nga shumëkush, u katandis te oborri i Inceneratorit që nuk merr më shumë se 500 njerëz.

Por çështja nuk është kjo pasi siç e thamë, çdo protestë në çdo vend që të bëhet është e shëndetshme dhe e mirëpritur. Çështja është se ajo, po organizohet te “gjurmët” e Elefantit dhe jo te ky i fundit.

Tashmë edhe vetë, Edi Rama, nuk e mohon më publikisht skandalin e paprecedentë të Inceneratorëve. Është dorëzuar dhe e vetmja gjë që po bën, është shantazhi politik ndaj Prokurorisë së Posaçme të Hetimit. E bën këtë, hapur dhe nën rrogoz. Gjithashtu duke u kapur pas krizave të fryra ekonomike dhe luftërave globale me Iranin dhe rrezikun rus, duket se po fiton kohë për të shtyrë arrestimin e ministrave, kryebashkiakëve dhe ish- ministrave të kapur në flagrancë.

Gjithsesi SPAK po vazhdon hetimet, kurse komisioni parlamentarë Tabaku dhe denoncimet e ish-LSI së, ishin “qershia mbi tortë” dhe një kopsitje e çmuar e kësaj afere të paprecedentë, ku vetë Rama është brenda kokë e këmbë.

Pra të shkosh të protestosh te një Incenerator të cilin vetë e ke vërtetuar se është paguar në qindra milion euro por nuk ekziston, kjo është absurde.

Ajo protestë e ka kuptimin që të bëhet, aty ku kanë përfunduar paratë e vjedhura të shqiptarëve dhe pikë. Zyra e Edi Ramës do të ishte vendi i parë. Por edhe ajo e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Po të doni edhe te vila e kryeministrit rrëzë Dajtit, shtëpitë e Veliajt, Ahmetajt, Gjiknurit, Agaçit, etj. Në fund të fundit, ata vjedhin për xhepin e tyre dhe jo ashtu në përgjithësi.

Madje edhe te oborri i SPAK, për ta nxitur që ti shkojë deri në fund këtij krimi tashmë me emra dhe firma të gjithë zinxhirit pushtetor të Edi Ramës, do të kishte kuptim kjo protestë.

Pra nëse e ngre harkun, duhet të shënjosh vetë Djallin dhe jo gjurmët e tij!

Në këtë këndvështrim protesta te Inceneratorët është absurde. Sepse nën qeverisjen e Rilindjes, mund të shkosh në shumë gjurmë të tjera krimi. Te koncesioni i dializës, laboratorëve,  Check-apit, te pronat e çmuara në bregdet që po jepen për 1 euro, te kullat e Shefqet Kastratit dhe oligarkëve të tjerë që jo vetëm po shkatërrojnë Tiranën, por janë edhe në shkelje flagrante me ligjin. E kështu, mund të vazhdojmë pafund.

Ndaj ky shpërqendrim nga vetë Djalli te gjurmët e tij, nuk duket se tregon fuqi dhe shpresë te kjo lloj opozite e kompleksuar me hetime në SPAK dhe “nongrata” perëndimore.

Fatkeqësisht por edhe logjikisht, çdo ditë e më shumë po rezulton se përbetimet e tyre, duket hapur se janë destinuar vetëm për të gërvishtur ngrehinën klepto- kriminale të Edi Ramës, në funksion të halleve të mëdha personale./ Alfapress.al  

 

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128