Ekzekutimi politik i Lul Bashës si kryeobjektivi i Mcgonigal

24 Shtator 2023, 09:53 / EDITORIAL NGA RED VARAKU

Ekzekutimi politik i Lul Bashës si kryeobjektivi i Mcgonigal
Pranimi i akuzës nga Mcconigal se ka marrë para, rryshfet dhe favore të tjera në këmbim të goditjes politike të liderit të opozitës z. Lulzim Basha është prova më kokëfortë që mandati i tretë i Ramës është një mandat i grabitur me ndihmën e zyrtarit të korruptuar të kundërzbulimit të FBI, z. Mcgonigal.

Me fjalë të tjera i gjithë aktiviteti i këtij zyrtari, i sponsorizuar nga Edi Rama, synonte një komplot politik kundër Opozitës me qëllimin e qartë asgjësimin e saj për arsyen se mandati i tretë është mandat asgjësues për opozitën në një demokraci si kjo e jona të cilësuar si e brishtë.

Kjo do të thotë që e gjithë ofensiva Amerikane kundër Opozitës 2017-2021, e cila arriti kulmin kur i dërguari special për rajonin Mathew Palmer kërcënoi se do ta shpallte atë si organizatë terroriste, ishte pasojë e drejtëpërdrejtë e informacioneve të falsifikuara me anë të të cilave ky zyrtar keqinformonte DASH.

Informacioni i sajuar nga Mcgonical se Lul Basha ishte një kukull që sponsorizohej nga Rusia ka qenë informacioni mbi të cilin DASH ndërtoi një strategji për bllokimin e ardhjes së PD në pushtet.

Kjo strategji e iniciuar nga shpifjet e Mcgonigal prodhoi izolimin e menjëhershëm të PD, izolim qe prodhoi djegjen e mandateve, që nuk ishte gjë tjetër vetëm se një klithmë për ndihmë e opozitës e ndodhur në kushtet e një komploti dhe shantazhi politik të mirëfilltë .

Kjo strategji prodhoi grabitjen e 61 bashkive dhe gjithashtu prodhoi edhe anulimin e marrëveshjes pesë qershorit për ndalimin e koalicioneve, akte që pamundësuan rrotacionin politik në 2021.

Por, nëse goditja e opozitës ishte një objektiv i rëndësishëm që në përgjithësi synonte thjesht bllokimin e rrotacionit, kryeobjektivi i operacionit të Mcgonigal mbetej eliminimi politik i Lul Bashës.

Kjo për katër arsye.

Së pari ,sepse goditja e Lul Bashës ishte goditja e benjaminit të SHBA-ve dhe kërcënimit real për establishmentin e korruptuar politik të tranzicionit.

Së dyti, sepse Lul Basha ishte personi që kishte refuzuar një rrotacion të negociuar pushteti siç u realizua në 2013 , rrotacion që do të garantonte pandëshkueshmërinë e dinozaurëve të kënetës sonë të tranzicionit.

Së treti, sepse me eliminimin e tij vendi do të mbetej sërish në dorë të lubive të korruptuara të tranzicionit, çka do të prodhonte këtë depresion social që po i detyron shqiptarët të largohen si asnjë komb tjetër në botë, sepse vendi do të mbetej pa një alternativë

Së katërti, me egzekutimin politik të tij triniteti i zi i korrupsionit mendonte se mund ta shantazhonte dhe gjunjëzonte Perëndimin duke e detyruar që sërish të bashkpunonte ta.

Por, pavarësisht se u investuan totalisht për këtë ata nuk ia dolën të shantazhojnë SHBA-të dhe Perëndimin. Kjo sepse për SHBA-të korrupsioni është komunizmi i ri përmes të cilit Rusia apo vende të tjera malinje kërcënojnë sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

Ndaj, SHBA-të jo vetëm nuk janë tërhequr, por janë motivuar më shumë në goditjen e tyre dhe prova për këtë është Urdhëri Egzekutiv i Presidentit Biden që e cilëson korrupsionin si rrezik i sigurisë kombëtare të SHBA-ve, shpallja nongrata e Sali Berishës dhe së fundmi arrestimet egzekutuara dhe ato qe priten te egzekutohen.

Operacioni i tyre vazhdon dhe thirrja e kasnecëve politikë të aktorëve më të rëndësishëm të tranzicionit në SPAK për të dëshmuar në lidhje me ngjarjet më të rënda korruptive, janë sinjale të qarta të vendosmërisë së palëkundur të SHBA-ve për të mbajtur përgjegjës çdo individ të përfshirë në korrupsion dhe minim të demokracisë.

Ky shënjestrim i kollonave që mbajnë në këmbë ngrehinën e korrupsionit tridhjetëvjeçar të tranzicionit paralajmëron dhe goditjen fatale që do të marrë establishmenti i korruptuar shqiptar çka e bën atë një moment epokal në historinë tonë politike.

Vetëm se kësaj rradhe nuk do të jetë një “pëmbysje” e tradhëtuar dhe e shitur siç u bë në 1990, por do të jetë një goditje e pamëshirshme ndaj kujtdo që ka guxuar të luajë me amanetin, gjakun dhe pasurinë e shqiptarëve.