Kulla e Trekëndëshit, pse Shkëlzen Berisha "sfidon" Ramën kurse Lulzim Basha SPAK-un?!

7 Gusht 2023, 21:22 / EDITORIAL NGA BATO KOSOVA

Kulla e Trekëndëshit, pse Shkëlzen Berisha "sfidon"

Pas 24 orëve heshtje varri të Sali Berishës dhe gjithë kupolës së Rithemelimit për kullën prapa TOB, Shkëlzen Berisha, u bë burrë nga të paktat herë dhe i vuri gjoksin denoncimit të fortë, se ai është një nga investitorët e saj.

Nëpërmjet një shënimi në FB, ai nuk përgënjeshtronte faktin se është pjesë në investimin e ndërtimit gjigant që prish lulishten e fundit në qendër të Tiranës, por sfidonte Edi Ramën.

Pak a shumë i thoshte: Ose prishe lejen e ndërtimit, ose prano se je në pazar!

Duke synuar që të qetësojë ndjekësit e babit që ngelën të shokuar kur mësuan se përse janë bërë në të vërtetë "revolucionarë", Shkëlzen Berisha, e zhyti mashtrimin e aksionit politik të babit edhe më keq.

Sfida që i bën Edi Ramës është sa absurde, po aq qesharake.

Askush nuk po thotë që Edi Rama nuk ka pjesë aty, nëpërmjet investitorëve të tij. Ashtu si nuk i thoshte gjë njeri Aleksandër Frangajt pse në gjysmën e edicionit të lajmeve të Klan bënte duvanë e Foltores, kurse në gjysmën tjetër të Rilindjes.

Ndoshta Rama ka edhe pjesën më të madhe te kjo kullë, ndryshe çfarë kuptimi ka që është vetë edhe zot i mazhorancës, edhe karotë e opozitës Berisha-Metaj.

Kjo nuk do të thotë që Shkëlzeni është jashtë, por vërteton të kundërtën: Në "biznes" kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë bashkë dhe për këtë mjafton që të kujtojmë oligarkët në dasmën e tij.

Pra; përse duhet të tërhiqet Rama nga një kullë ku është bashkëpronarë?!

Sfida e vetme e Shkëlzen Berishës, babit të tij dhe deputetëve të Rithemelimit që në rresht shpërndanë alibinë e tij, do të ishte që të përkrahnin thirrjen e Lulzim Bashës ndaj SPAK që të hetojë, se kush janë investitorët e vërtetë të kullës dhe nga burojnë paratë e tyre.

Pra kaq e thjeshtë është ajo që duhet të bëjë Shkëlzeni nëse nuk ka lidhje me kullën dhe jo të urdhërojë mediet që ka në bordero që pasi heshtën 24 orë, të lëshohen me shkrime se ndërtimi i asaj kulle është e drejtë e zhvillimit të një trualli privat!. Kurse Belind Këlliçi arriti deri aty sa tentoj të mashtronte publikisht duke thënë se e kishte "denoncuar" më herët "Kullën e Zenit", por në fakt denoncimi i tij ishte për një tjetër ndërtesë aty rrotull.

Pastaj Shkëlzeni, babai i tij dhe gjithë deputetët foltoristët, nuk kanë pse habiten sikur ky lajm që i ka nxjerr krejtësisht lakuriq, u zbulua tani. 

I pari që i tregoj publikisht Sali Berishës se i biri, Shkëlzeni, është aksioner i kullave në Tiranë ishte vetë Edi Rama.

Këtë e bëri në datën 2 mars të këtij viti në parlament, kur Berisha po bënte sikur po bënte namin për çështjen "McGonigal".

“Tani që flasim, përmes personit ZH i cili i lidhur me një person Z,(Zeni), kanë gjetur rrugën që të shkojnë te Lali,(Erion Veliaj) që është personi EV”, i tundi gishtin Rama.

Pas kësaj deklarate Berisha e mbylli gojën, madje harroi edhe dosjen "McGonigal", e cila do na e rrëzonte qeverinë shpejt e shpejt.

Më pas, kur mori lejen e ndërtimit, Sali Berisha, e prishi paktin me Erion Veliajn, kurse gazetarët dhe mediet pranë tij të cilat e mbanin "me hatër" kryebashkiakun kundrejt Edi Ramës, intesifikuan sulmet dhe akuzat ndaj kryebashkiakut të Tiranës.

Të njëjtën gjë bëri dhe po bën çdo ditë edhe vetë Sali Berisha dhe enturazhi i tij te Rithemelimi.

Më herët në 13 shkurt të këtij viti, Sali Berisha deklaroj hapur te emisioni i Arian Çanit, se kishte kontakt të vazhdueshëm me Erion Veliajn, deri në atë pikë sa ky e informonte, edhe për biseda konfidenciale me ambasadoren e SHBA.

“Yuri Kim i shkon në zyrë Erion Veliajt dhe i thotë që duhet ti vijmë në ndihmë Lulzim Bashës. Erion Veliaj thërret kolegun tuaj gazetar pas 20 minutash dhe i thotë ka ndodhur kjo e kjo. Ai gazetar vjen direkt në zyrën time e më thotë ka ndodhur kjo e kjo.Unë direkt dola në konferencë shtypi dhe e denoncova. Kur unë thashë këtë, ajo, (Yuri Kim), të nesërmen bëri Twitterin, tha se është mirë të ndërhyjë, nuk e mohoi dot se e kuptoi që Veliaj ma tha mua", dekonspironte atëherë Berisha marrëdhënien e ngushtë me Veliajn.

Sot pakti i ri i Berishës është me Arben Ahmetajn, të cilin jo vetëm e ka marrë hapur në mbrojtje politike, por madje ka shkruar deri aty sa po i krijon edhe argumente për të bërë më kollaj letrat për azil politik.

Kështu duke mbrojtur Ahmetajn, Berisha ka nisur të sulmojnë Veliajn për të krijuar idenë se është "opozitë" edhe pse bizneset e familjes u çanë me leje ndërtimi nga Liqeni i Thatë te Bulevardi i ri, e kudo në kryeqytet ku kanë mbetur zona të lira.

Veliaj nga ana e tij po kundërpërgjigjet, duke bërë sikur po i nxjerr te palarat Berishës.

Pra po ushqen mediet me informacion për të treguar se pas kullës 58 katëshe qëndron edhe Shkëlzen Berisha.

Në fakt ishte vetë i pari si kryebashkiak, që i hapi rrugë projektit. Pastaj e firmosi Edi Rama, kurse investitorët e vërtetë, (jo kontraktorët qe realizojnë thjesht ndërtimin), janë pjesë e Trekëndëshit të korrupsionit 32 vjeçarë.

Kështu ngado që ta vërtitësh dhe në çdo rrethanë, te kulla e ndërtimi prapa TOB, (Që tani ka nisur të thirret "Kulla e Trekëndëshit", ata jane bashkë. Ndajnë zgjedhjet, ndajnë bizneset, ndajnë kullat, ndajnë krimin e organizuar dhe natyrisht edhe "opozitën" dhe pushtetin bashkë e kanë/ Alfapress.al

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128