Kurrupsion masiv pa kryeministrin e përfshirë, nuk mund të ketë!
Në një prononcim të shumë viteve më parë, kur ishte vënë në syrin e ciklonit për zhvlerësimin e sterlinës britanike përmes spekulimeve financiare në bursën e saj , Xhorxh Soros, pati thënë një shprehje thelbi i së cilës më ka mbetur në mendje: Politikanët demagogë, thoshte ai, kërcënojnë ti varin në shtyllat e rrugës spekulantët e sistemit financiar dhe gjithë të tjerët. Ata harrojnë se spekulimin e mundësojnë hapësirat ligjore që ata vetë kanë lënë.
Morali i fabulës: Kur hapësira ekziston, do të jetë gjithmonë dikush që do të hidhet ta shfrytëzojë për të fituar për vete. Boshllëku nuk mbetet kurrë bosh. Naivitet të mendohet ndryshe.
Një gjë e ngjashme mund të thuhet për korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. Këto dy fenomene nuk janë thjesht produkt i veseve vetjake të zyrtarëve të pamoralshëm. Janë edhe produkt i çarjeve ligjore brenda sistemit, i mundësive që u krijohen zyrtarëve dhe operatorëve ekonomikë për të vjedhur e përfituar “me duar të pastra”, i statusit të skrupujve dhe sundimit të ligjit në vend.
Ajo që dukej evidente prej kohësh në Shqipëri dhe po del në pah më në fund pikërisht aty ku duhet, në SPAK dhe në Gjykatën e Posaçme, është se korrupsioni në sferat e larta e shumë të larta në Shqipëri është kapilar, i gjithëgjendshëm. Aq sa virtyti, skrupulli dhe përgjegjësia ngjajnë të rezistojnë si cilësi e një pakicë drejtuesish e nëpunësish. Ndërsa shumica e tyre jo vetëm nuk kanë frenim e pengim të ngjyejnë dorën ku t’u jepet mundësia, por janë në postet që kanë veç për të vjedhur.
Afera e inceneratorëve, si pasqyrë e kësaj kënetë, përfaqëson një kulm dhe një sintezë të ngritjes se korrupsionit nga një vit në tjetrin në stadin e lëshimit pa duar. Ajo është një aferë që vazhdon të hetohet nga SPAK në të gjitha përmasat dhe degëzimet që ka prodhuar dhe ku akuza e ka ngritur stekën në nivelin e ish zëvendëskryeministrit , Arben Ahmetaj, ish numri dy i qeverisë dhe bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Rama. Të tjerë zyrtarë të përfshirë në këtë skandal priten të arrestohen.
Ta lemë SPAK-un dhe gjykatën të bëjnë drejtësi sipas ligjit. Le të presim zbardhjen e plotë të një morie megaaferash të tjera korruptive në radhe, me të cilat Prokuroria Speciale po merret me përkushtim, profesionalizëm dhe kurajë. Pa njohur tabu.
Le të qëndrojmë tek aspektin politik dhe shoqëror i fenomenit të korrupsionit dhe korruptimit të zyrtarëve në përmasa epidemike. Sa herë përballet me akuza dhe dënime të zyrtarëve të qeverisë dhe Partisë Socialiste, Kryeministri Rama e ka bërë refren të thotë se përgjegjësia e çdo të akuzuari është vetjake. Kjo është e vërtetë . S’mund të jetë e s’duhet të jetë ndryshe. Përgjegjësia penale dhe ligjore është kurdoherë vetjake.
Mirëpo në kontekstin e shtimit eksponencial të rasteve, refreni i përgjegjësisë vetjake i bie shumë ngushtë fenomenit dhe po rezulton një rrobe e grisur, një gjethe fiku, një larje goje që e le të hapur dhe potencialisht në lulëzim korrupsionin. Institucionet politike-qeveria, parlamenti, partitë- duhet të shohin me thellë e më gjerë se sa korniza e përgjegjësisë penale vetjake, me të cilën merret drejtësia.
Sepse korrupsionin në përmasa të mëdha e prodhon sistemi korruptiv.
Zhdukja e garës me lloj lloj justifikimesh, siç e shohin në rastin e inceneratorëve, krijon sistemin korruptiv.
Normalizimi i paracaktimit të fituesëve te tenderëve publike krijon sistemin korruptiv.
Mbajtja sa për formë e organeve të kontrollit të brendshëm, të shndërruara në gojë të shtuara të korrupsionit, shërben sistemin e korruptiv.
Zhdukja e transparencës dhe llogaridhënies fuqizon sistemin korruptiv.
Por nuk mbaron këtu. Vetë korruptimi i zgjedhjeve përben themelin e sistemit korruptiv.
Kjo listë mund të zgjatet e të zgjatet. Rama është stafetmarrës dhe autor që ka sjellë risitë e markës së tij në sistemin korruptiv shqiptar të ditëve tona.
Kush është ai njeri me dy para mend në kokë, që pret të mos ketë zyrtarë që e kanë mendjen vetëm për të vjedhur e për tu pasuruar për vete, kur s’ka as garë, as kontroll, as transparencë, as llogaridhënie, as ndëshkim ligjor administrativ, as padi penale nga brenda ekzekutivit ?
Kush kapet e han, është slogani ri. Tingëllon si një zile zgjimi dhe thirrje për vigjilencë individuale drejtuar zyrtarëve në kushtet kur hetimin e ka marrë në dorë një institucion i pavarur si SPAK. Një slogan xhungle që e le në këmbë, të paprekur, sistemin që gjeneron korrupsionin në vendin. Të cilin Rama e mbulon me shfaqjet e tij, me batutat, shakatë , fjalimet, grimasat dhe kërcënimet boshe, në një rol që as i argëton më njerëzit mbarë, as i tremb zorzopët që i nxjerrin gjuhën nga prapa.
Të jetë vallë kaq në hava sa të mos e ketë idenë se ç’bëhet rreth e rrotull tij? Nuk ka njeri ta dijë. Por një gjë është si një e një bëjnë dy: Korrupsion masiv në nivele të larta me kryeministër dorëjashtë nuk mund të ketë. Edhe kur ai nuk ka dorë vetë në kuptimin që të marrë pjesën.
Pesë kategoritë që e kanë "detyrim-përcaktim", të sulmojnë SPAK!
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128