Loja e vjetër vazhdon!

8 Dhjetor 2022, 17:08 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Loja e vjetër vazhdon!

Sulmi dhe dhunimi i Sali Berishës është një ngjarje e rëndë, e shëmtuar dhe e rrezikshme pavarësisht nga motivi dhe porositësi dhe pikë.

Personalisht nuk kam ndonjë shpresë të madhe se policia dhe prokuroria, do ta zbardhin atë deri në fund. Të gjitha pistat nga politike, gjeopolitike apo ordinere janë të mundshme. Përfshi edhe atë të një motivi ekzistencialist të një të riu që përfaqëson një brez të humbur, i cili kërkon me dëshpërim që shoqëria të kthejë kokën drejt tij.

Por gjithsesi kjo ngjarje na zbuloi me të gjitha ngjyrat një pamje akoma më tragjike dhe alarmuese, se pllangat e gjakut në fytyrën e Berishës.

Ajo që po shohim post saj është një shpalosje e gjuhës së dhunës që nga militantët e rrjetit dhe deri te politikanët dhe gazetarët më të zëshëm. Ishte Ilir Metaj i pari që vetëm pak minuta pas aktit shpalli strategjinë dhe thirrjen se koha e fjalëve ka ikur, tani është ajo e veprimit.

Vetë Berisha duke parë edhe pjesëmarrjen rekord të pakët, fillimisht i hodhi ujë “zjarrit”. Por në vazhdim nga ai vetë, berishistët militantë, politikanë dhe punonjës të medieve pranë tij, akuzuan direkt Edi Ramën. Po paralajmërohet hapur për hakmarrje. Vetëm vendimi i fundit pritet, sipas tyre.

Nga ana tjetër ramistët i hedhin edhe më shumë benzinë zjarrit duke i kujtuar Berishës dhunën dhe vrasjet që ka shkaktuar, kur ka qenë në pushtet. Ka një ngazëllim të hapur për atë gjakosje të ish-kryeministrit dhe presidentit të vendit i cili shpërthen herë pas here me fjali të tipit; “si nuk e vrau fare”.

Gjuha e dhunës ka shpërthyer dhe kulmi u arrit këtë të hënë në ditën e studentëve kur Berisha në Kuvendin e FRPD, lëshoi kushtrimin. Foli me tonë të egra për nisjen e fazës së dytë të Revolucionit që startoi menjëherë pas shpalljes “non grata” dhe bëri thirrje. Jo për “rrëzim të Edi Ramës me votë” siç kishte deklaruar deri më tani, por për asgjësim.

Me çdo mjet dhe çdo mënyrë, përballja me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët; aksion, aksion dhe vetëm aksion, mjerë ti- theksoi disa herë.

Ajo që pritet është një situatë e nxehtë dhe konfliktuale, edhe pse nuk janë shumicë në këtë popull të lodhur nga i njëjti avaz i kësaj klase të vjetër politike. Edi Rama si frikacak që është, do ta shfrytëzojë këtë radikalizëm të PD-së së Rithemelimit për fushatën elektorale. Atij i konvenon që shqiptarët të tremben dhe të kujtojnë vitin 1997. Kështu kundërshtarin e vërtetë, popullin e vjedhur, e identifikon vetëm me “Berishën që kërkon ti vërë zjarrin Shqipërisë”.

Votat që i duhen i ka me administratën, pensionistët dhe socialistët e betuar edhe sikur të vdesin për bukë. Për veten si frikacakë që është, do të shtojë rojet sa herë që të lëvizë nëpër Shqipëri, por edhe nëse i ndodh ndonjë incident nuk ka për ta pasur nga Berisha. Po të jetë i bindur se prej tij i vjen ndonjë e keqe, i mjaftojnë si bodyguard Shefqet Kastrati, Samir Mane dhe Bashkim Ulaj.

Të dy palët pritet që të shpërthejnë në zjarr kundër njëri- tjerit. Të dy palëve ju intereson ky teatër para-politik, i cili në fakt ka 32 vite që luhet. Rama për të shënjuar Berishën si destabilizues të shtetit dhe demokracisë, këtij të dytit për të mbajtur gjallë dhe grusht-bashkuar ndjekësit.

Në fund fare do të shohim të njëjtën histori dhe të njëjtët personazhe që kemi parë gjatë këtyre 32 viteve, por sot në lojën e “luftës së egër politike” e cila maskon pasuritë që i kanë vjedhur këtij vendi./Alfapress.al


 

Po ndodh...

ide