O në burg, o në detyrë!
E shihni çfarë po ndodh?!/ Sa më shumë ju ngushtohet laku i drejtësisë, aq më qesharakë në justifikime po bëhen!
Si gjithmonë e kemi fjalën për shumëkëndëshin, Rama-Berisha-Metaj, si dhe kompanitë SHPK që kanë nga pas. Ka nisur një betejë mes palëve për ti mbushur mendjen shqiptarëve, se cila aferë korruptive-kriminale e tyre është më e keqe dhe cila më pak e keqe. Kush e ka radhën më përpara e kush më vonë për tu paraqitur në SPAK dhe më pas në ferrin e vërtetë, në Gjykatën e Posaçme.
Loja e vjetër, sa vetë ata në kryet punëve të Shqipërisë, është sfumimi. Pra siç do të thoshte populli; një garë e ethshme mes tyre se kush e mbulon më mirë dhe më shpejtë, të përgërën me të përmjerën.
Organizata e Edi Ramës del dhe bërtet, se skandali “McGonigal” po fryhet që të sfumojë zhvillimet për aferën e “Gërdecit” dhe faktet e reja për vrasjet e 21 Janarit. Kurse vetë Rama i cili doli te “Të Paekspozuarit” e Ylli Rakipit për tu përpëlitur dhe justifikuar për përfshirjen e tij kokë e këmbë në dosjen “McGonigal”, nuk harroi që ti bënte elozhe një eksponenti të “kazanit mediatik” në panel, Artan Hoxhës.
“Se nuk të kam marrë as në telefon, por bravo për shërbimin e madh që bëre duke nxjerr regjistrimin e gardistëve, përpara se të qëllonin mbi turmën në 21 Janar”, i tha pak a shumë. Pra ky thotë harrojeni përfshirjen time mafioze me McGonigal, Nezën etj, por merruni me “Gërdecin” dhe “21 Janarin”.
Nga ana tjetër Berisha ka shkuar edhe më tej. Sipas tij përfshirja e kryeministrit në skandalin që po trondit edhe vetë SHBA është me përmasa planetare dhe SPAK, (skap), duhet të lërë apo të mbyllë hetimet e tjera dhe të merret vetëm me “Rama-McGonigal”. Por meqenëse nuk ka besim më të kjo strukturë, (edhe pse sipas tij refuzoi që të dëgjonte McGonigal për ta arrestuar), ai u bën thirrje shqiptarëve që të vërshojnë në 11 shkurt vetëm për këtë çështje, ku vetëm ai del “viktimë” dhe jo PD dhe Lulzim Basha.
Së bashku me korin mediatik që e ndjek, edhe ky njësoj si, Edi Rama, çdo skandal, çdo hetim, çdo arrestim, madje edhe martesa e Luizit me Kiarën dhe futja e Bledi Manes në BBV, ndodhin që të sfumohet skandali “McGonigal” kundër tij.
Kurse shoku i tyre i përhershëm sa herë që bëjnë rotacion pushteti, Ilir Metaj, është edhe më “i lezetshëm”. Ai thotë se është i bindur që Rama mund të urdhërojë policinë që të arrestojë edhe Zahon, vetëm e vetëm që të heqë vëmendjen nga skandali mafioz-global-galaktik, McGonigal!
Atëherë që të jemi të qartë: Që nga hetimi Nr.1 në SPAK i Ilir Beqes për koncesionin e sterilizimit, Teatri Kombëtarë dhe lidhjet me Ndraghetën të Erion Veliajt, Inceneratorët me Engjell Agaçin, Ahmetajn, Gjiknurin, Veliajn etj, e deri te “Rama-McGonigal”, duhet që të çohen deri në fund dhe kur të shkojnë te, “Ferri mbi tokë”, që në Shqipëri përfaqësohet nga Gjykata e Posaçme, pasi tu kenë gjetur dhe rikthyer shqiptarëve plaçkën e vjedhur, tu hedhin “çelësat në det” siç edhe e meritojnë.
Po kështu edhe me Gërdecin, CEZ, 21 Janarin, Klubin Partizani, floririn e vjedhur të Thesarit etj, etj. Nuk ka hajdutë të mirë dhe më pak të mirë, as më të vjetër dhe më fresko; të gjithë janë njësoj dhe pikë!
Kush hetohet dhe akuzohet “kot”, le të përballet me drejtësinë që votuan vetë në vitin 2016. Të dalë i larë dhe i shpëlarë dhe “ata çelësat në fund të detit”, le ti gëzojnë për të vazhduar në krye të shtetit dhe politikës!
O në burg o në detyrë!
Rrugë të mesme nuk ka, përderisa nuk shqiten edhe pas 32 vitesh!
Kurse protesta duhet të bëhet dhe do zoti, të jetë më e madhja e këtyre 32 viteve të ashtuquajtura pluralizëm. Por shqiptarët që protestojnë, të paktën për hir të fëmijëve, duhet që të kenë vetëm një thirrje dhe një parullë atë ditë:
Kush faktohet se ka vjedhur Shqipërinë, të përfundojë në burgun VIP të Spaçit që po rri bosh prej kohësh!/Alfapress.al
-
Skenari makabër me tre faza, për të shkatërruar Sali Berishën!
6 Shkurt, 16:45 -
-
Paparashikueshmëria, prova e pavarësisë së drejtësisë
ide
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128