Pak dritë mbi “Themelin” Rama- Berisha- Metaj!

21 Shtator 2022, 13:19 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Pak dritë mbi “Themelin” Rama- Berisha- Metaj!

Estabilshmenti (Ndërmarrja- Themeli) është një term që përdoret për të përshkruar një grup ose elitë dominuese që kontrollon një sistem politikë dhe pushtetin ekzekutiv- ekonomik. Ai mund të përbëhet nga një grup i mbyllur shoqëror që zgjedh dhe mbron anëtarët e tij. Është një strukturë “elitare” e ngulitur në institucione specifike politike, ekzekutive, ekonomike, mediatike, etj...
 

Ky është përkufizimi në terma të trashë, i asaj mostre që ka kapur Shqipërinë 30 vite më parë dhe vazhdon ende ta mbajë nën thundër. Mban nën thundër vendin, partitë, ekonominë dhe medien.

Aktualisht jemi në kushtet kur “Themeli” ynë, po lufton për mbijetesë dhe shtyrjen sa të mundet në kohë të mbajtjes së statukuosë. Berisha në SPAK, Metaj në SPAK dhe Rama pavarësisht rezistencës që po bën si i gjithëpushtetshëm, të vetmin shteg që i ka ndërtuar vetes është po SPAK.

Tullat kryesore të Themelit, përfaqësohen nga Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Metaj.

Këta janë levat e diçkaje më të thellë dhe të gjerë e cila ka kapur perspektivën perëndimore të vendit, për vetëm një qëllim: pasurim dhe vetëm pasurim në kurriz të 90 përqind të shqiptarëve.

Tullat e “Themelit” janë të lidhura ndër vite me njëra tjetrën me llaçin e korrupsionit dhe të deformimit të shtetit ligjorë dhe kapjes me korrupsion, manipulim e madje edhe me dhunë të tre partive kryesore elektorale dhe të tjerave si satelite.

Le ta thjeshtëzojmë pak historinë shqiptare të tij:

Partia Socialiste nuk ishte një forcë e re, në kushtet e demokracisë dhe pluralizmit. Ndryshoj emrin e Partisë së Punës dhe vitrinën e lidershipit por thelbin, frymën dhe anëtarësinë e mbajti. Ideologjia komuniste u zëvendësua me shpejtësi nga idoli i Korrupsionit dhe i Klientelizmit.

Pas një ere “liberalizmi” të kohës Nano, aktualisht ajo sundohet pa pipëtima nga Edi Rama. Ky i fundit po tregohet aq “i ndershëm”, sa as zgjedhje për kryetarin nuk bën më prej vitesh. Të njëjtën gjë bën kur ngarkon dhe shkarkon anëtarët e qeverisë si dhe forumet e larta të partisë. Pas eliminimit të një fraksioni në tentativë si Lëvizja për Mendimin Ndryshe, aktualisht “opozita” e vetme e brendshme në këtë parti është vetëm Erion Braçe, e cila guxon deri te shalqinët e Lushnjes dhe ministrja e Bujqësisë!

Pra kur themi PS, nënkuptojmë Edi Rama; kur themi Edi Rama kuptojmë PS!

PD u krijua nga fryma demokratike që fryu në gjithë vendet ish-komuniste pas shembjes së Murit të Berlinit, por në finale atë e kapën në lidership ish- komunistë dhe madje, edhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.

Autoritarizmi brenda kësaj force politike u bë normë. Fillimisht i rezistoi Korrupsionit, por që pas masakrës së paprecedentë zgjedhore të vitit 1996, bërja e parave u kthye në qëllim në vetvete dhe në sistem.

Loja ishte; hedhja e lëkurës së qengjit në kushtet e kapitalizmit. Aktualisht ajo është e përçarë, kurse Sali Berisha pretendon se është rikthyer në krye të saj duke garuar me veten, sepse Ibsen Elezin “e rrahën” dhe nuk i dhanë mundësinë as të ankohet dhe të qajë.

Që ta kuptoni më qartë, aktualisht figura si Pollo, Ruli, Imami, Tritan Shehu etj, që në fillimet e kësaj force politike tentua të legalizonin fraksionet apo mendimin ndryshe por u përzunë dhe gati sa nuk u rrahën. Pasi u vërtitën “si çifuti në shkretëtirë”, sot janë rreshtuar si qengja prapa Berishës duke pritur vetëm ndërhyrjen e forcave madhore, pasi e dinë përfundimisht, se ai nuk largohet kurrë nga brenda dhe me votë.

Pra kur themi PD, (E Rithemelimit), nënkuptojmë Sali Berishën; kur themi Berisha, kuptojmë PD e Rithemelimit!

Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metajt, pavarësisht nga manteli idealist që ju vesh fillimisht me afrimin e emrave të njohur intelektualë (shumica ja mbathën shpejt me vrap), në fakt ishte thjesht një fraksion që humbi në luftën brenda PS-së, për ndarjen e tavës së korrupsionit.

Vetë Ilir Metaj kishte qenë kryeministër i PS-së në kohën kur korrupsioni i doganierëve, kryepolicëve dhe tatimorëve të Berishës së Parë, kaloj në fazën e skemave madhore të korrupsionit dhe shitjes së aseteve shtetërore.

Lidershipi i kësaj force, tani gati nuk e fsheh më që kemi të bëjmë me një parti familjare, e cila kontrollon krejtësisht jo vetëm çdo qelizë politike të saj, por edhe financat, punësimet dhe gjithçka tjetër.

Kur themeluesi i saj Ilir Metaj u bë kryetar Kuvendi dhe më pas president, partinë e mori në dorë bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi dhe rrethi i ngushtë familjarë. U bë një eksperiment i vogël makijazhi 3 mujor me Petrit Vasilin kryetar, por edhe nga ai u hoq dorë shpejt duke mos u fshehur më.

Pasi Metaj u largua nga zyra e presidentit brenda 24 orëve u bë vetë kryetar, duke mos denjuar që të kishte qoftë edhe ndonjë “rival” formal.

Brenda orës klonoi liderishipin e partisë, duke mos pyetur për karrierat 18 vjeçare brenda saj dhe “qershia mbi tortë”, ishte ndryshimi i emrit pa “referendum” partiak të cilin ai vetë e ka aq shumë qejf për Shqipërinë.

Pra kur themi PL, (LSI), kuptojmë vetëm Ilir Metajn dhe familjen e tij; Kur themi PL, nënkuptojmë vetëm Ilir Metajn!

Duke qenë se janë “binjake” në strukturë dhe kapjen autoritariste, mund të themi se që të tria këto forca pavarësisht se çfarë lexojnë njerëzit në gazeta dhe shohin në TV, jo vetëm janë identike në frymë, skema dhe veprimtarinë e tyre si biznese të mirëfillta, por edhe kanë qenë gjithmonë bashkë për të fuqizuar “Themelin”.

Për arsye të mbajtjes së një imazhi demokratik dhe plural të vendit, kanë denoncuar dhe sulmuar njëri tjetrin në faza të ndryshme. Por sa herë që kanë ndjerë rrezikun e shembjes së statukuosë, kanë bërë marrëveshje politike dhe ekonomike të paprecedenta.

Kanë qenë bashkë në privatizimet gjigante të pasurisë së përbashkët, në kapjen e sistemit të drejtësisë dhe me emërimet e kryegjykatësve e kryeprokurorë. Në kapjen e sistemit politik makro dhe brenda forcave të tyre, duke mbytur çdo filiz të ri dhe papërlyer politik.

Bashkë kanë qenë në kapjen e sistemit zgjedhor, duke legjimituar skema që mbajnë në këmbë vetëm rotacionin mes tyre. Kanë qenë bashkë në zgjedhjen e presidentëve, guvernatorëve të Bankës së Shqipërisë, ambasadorëve, në miratimin e ligjeve klienteliste dhe atyre që blindojnë pandëshkueshmërinë e tyre.

Bashkë i krijuan dhe bashkë i kanë oligarkët, që janë elefantizuar nga financat e buxhetit dhe pronat e pasuritë e përbashkëta të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur në të gjitha kohët që kanë qeverisur së bashku apo të ndarë, në pushtet apo opozitë.

Kur Partia Socialiste u rikthye në pushtet pas vitit të zi 1997, nuk lëvizi as gishtin e vogël për të dokumentuar dhe dërguar përpara drejtësisë mëkatet e qeverisjes “Berisha I”.

Kur ky i fundit u rikthye në pushtet në vitin 2005 dhe, pavarësisht nga përbetimet se do ti fuste ruspën mamuthëve socialistë të korrupsionit, sërish nuk lëvizi as gishtin e vogël.

LSI e Ilir Metës bërtiti shumë dhe trokiti fortë te të dy, deri sa në vitin 2009 e pranuan si tullën e tretë të “Themelit”. Pas kësaj, skema treshe e vaisjes së Estabilishmentit vazhdon në mënyrë perfekte.

Edi Rama kur i erdhi radha e vjeljes pushtetore të cilën Berisha ja dorëzoi urtë e butë në vitin 2013, Ilir Metajn e 700 mijë dollarëve të bllokut e bëri aksionier me 30% të shpërndarjes së tepsisë. Pra ortak në radhën, fazën e tij të grabitjes së Shqipërisë.

Kur ishte në opozitë, Rama, i binte me solidaritet shpatullave të Berishës, si një vëllam i mirë që të gjendet në krah pas tragjedisë së Gërdecit e cila aktualisht po hetohet nga SPAK si korruptive.

Pas kësaj u mbyllën të dy një natë dhe bënë Kushtetutën e vitit 2008, e cila konsolidoni estabilishmentin e tyre dhe që i mban në këmbë edhe sot.

Ilir Metën e futi në “Themel” si tullë kryesore Sali Berisha, por e konsolidoj Edi Rama. E bëri kryetar Kuvendi dhe President. Ndërsa së bashku në pushtet bënë dhe votuan të gjitha ligjet monstruoze të kapjes së buxhetit të shtetit për të paktën 25 vite, me koncesione dhe PP të errëta.

Nuk e dini ju që biznesmenët e “Themelit” i paguajnë që të tre, sa herë që ka fushata elektorale dhe në vazhdim?!

Nuk e dini që bizneset e familjarëve, miqve të tyre, nuk preken nga asnjëri si në pushtet edhe në opozitë?!

Kur të hapen një ditë kartat do shihni “çudira” të llojit, që X pronë e përbashkët është dhënë në përdorim nga Berisha i Parë; është legalizuar nga Ilir Metaj kryeministër, i është dhënë leja e ndërtimit nga Edi Rama kryetar bashkie dhe në fund, përfituesi është kthyer në oligark dhe “donator” i të treve.

Ka qindra raste të tilla, duke përfshirë edhe pronarët e mëdhenj të medieve. Edhe me organizatat kriminale të njëjtën gjë bëjnë. Së bashku i kanë, pavarësisht nga lëvizjet momentale gjatë fushatave zgjedhore.

Ky pra është (vetëm maja e Ajsbergut) Estabilishmenti me tullat e tij të  cilat ju shesin në medie, “luftë” mes njëri tjetrit.

Nuk e shihni si po shkërmoqet dita ditës shteti që i kanë dhënë në menaxhim Edi Ramës, duke na bërë turpin e gjithë botës me skandale të përditshme dhe me daljen e sekreteve të tij?!

Nuk e shihni si e kanë kurdisur punën që shqiptarët të mos kenë alternativë tjetër përball Edi Ramës, përveç dy tullave të tjera të “Themelit”?!

E di që si zakonisht do pyesni: Ok por çfarë zgjidhje ka që ta shembim dhe të shpëtojë Shqipëria?!

Fillimisht le ti nxjerrim në dritë dhe ti shohin shqiptarët e vjedhur prej tyre, ashtu siç janë në të vërtetë. Nuk janë “të zotë”, as “legjenda” dhe as nga ata që “të thyejnë në mes”:

 Janë thjesht “Themeli” i një skeme politike- shtetërore- ekonomike që ka vetëm një qëllim: Të mbajnë dhe synojnë pushtet me votat tuaja për të bërë pasuri për veten dhe biznesmeët e tyre. Me këto pasuri, të blejnë dhe të mbajnë sërish pushtet, për të vazhduar dhe thelluar grabitjen.

Dhe kështu si një rrotë mulliri duke na lënë si mundësi të panegociueshme, vetëm rotacionin mes tyre!/Alfapress.al 

Po ndodh...