Pesë kategoritë që e kanë "detyrim-përcaktim", të sulmojnë SPAK!
Prokuroria e Posaçme sot është një ndër institucionet e anatemuar nga media, nga emisionet televizive, analistë pranë tyre dhe veçanërisht nga politika, e cila edhe kur nuk e bën hapur, e bën fshehur duke mbështetur në të gjitha format dhe mënyrat të parët. Nga ana tjetër, SPAK është një institucion ‘memec’ përsa i përket marrëdhënieve me publikun. Ai nuk del në televizion të shajë, të anatemojë, të mbrohet apo të argumentojë, sepse detyra e tij nuk është kjo, por të ‘flasë’ nëpërmjet punës së tij, që kur i kërkohet një fakt, të sjellë pesëqind të tillë e kështu me radhë.
Por cilët janë ata që sot kanë ‘të drejtë’ ta sulmojnë SPAK-un?
1. SUBJEKTET E TIJ – POLITIKANËT E KORRUPTUAR. Qëllimi kryesor i ngritjes së këtij insitucioni është pikërisht hetimi i korrupsionit në nivelet e larta të politikës, në qeverinë e sotme apo në atë të djeshme. Politikanët e korruptuar, të cilët kanë shkelur ligjet e shtetit dhe besimin e publikut, ndaj atyre që është hapur një çështje apo ndaj atyre që priten të hapen çështje, janë në ‘të drejtën’ e tyre për ta sulmuar Prokurorinë e Posaçme, për shkak se e shohin si rrezik potencial për të ardhmen e tyre politike, ekonomike apo edhe për lirinë e tyre.
2. BANDAT – QEVERIA E KRIMIT. Edhe krimi ka qeverinë e tij. Bandat funksionojnë sipas një hierarkie të caktuar. Ndonëse praktikisht SPAK-u ka bërë goditje të fuqishme, duke e shkërrmoqur të gjithë ‘qeverinë e krimit të organizuar’, sërish filiza të saj mund të krijohen dhe të kenë të drejtë ‘të sulmojnë’ institucionit, për shkak të rrezikut permanent që mund t’i vijë prej tij.
3. POLITIKANËT E DJESHËM, SOT NË PROFESIONIN E AVOKATIT. Qoftshin këta avokat të politikanëve që hetohen për korrupsion, të bandave apo të subjekteve që herë shfaqen si investitorë strategjikë pranë qeverisë, herë bashkëpunojnë me krimin e organizuar për të eleminuar kundërshtarët e tyre. Kjo kategori që ka akses në media dhe në opinion publik, është në ‘të drejtën’ e saj për ta anatemuar dhe sulmuar punën e Prokurorisë së Posaçme, sepse nëpërmjet kësaj gjëje ata gjenerojnë të ardhura.
4. NEOMARKSISTËT QË U KA NGELUR ORA TE ANTIAMERIKANIZMI I ETËRVE. Kritizerët më të egër në media, në televizione dhe në portale, janë trashëgimtarët e bllokmenëve të dikurshëm, të cilët kanë një qasje ANTI SPAK nga pozitat neomarksiste të antiamerikanizmit, duke parë me skepticizm punën e kësaj prokurorie përsa kohë ajo nuk është sovrane si shkëmb graniti, si baballarët e tyre para ’90-tës, duke u mbështetur në forcat e brendshme, por mbështetet fuqishëm nga përtej atlantikut. Qasja e tyre është e rafinuar, duke hequr paralelizma me politika të caktuara amerikane në Amerikën Latine apo në Lindjen e Mesme, mirëpo harrojnë që Shqipëria është një vend i vogël Ballkanik që nuk ka eshtër të bëjë lojëra të ‘mëdha’ në një Rajon fuçi barruti, e rrethuar nga fqinj që në çdo moment janë gati ta gllabërojnë.
5. ANALISTËT DHE MEDIAT QË SPONSORIZOHEN NGA SUBJEKTET E SPAK-ut.Të gjithë e dinë se si funksionojnë mediat dhe analistët, gjasme të pavarur, në ekranet televizive të darkës. Po të shohësh, kush sulmon më shumë, ai paguhet më shumë. Mjafton të shohësh se në cilat ekrane dalin dhe promovojnë idetë e tyre, për të kuptuar se nga cilat para paguhen. Sigurisht që paguhen nga djersa dhe mundi i shqiptarëve, që u është vjedhur nga politikanët e korruptuar.
Në këtë panoramë prej pesë kategorish kryesore që kanë ‘të drejtë’ të sulmojnë SPAK-un mëngjes dhe mbrëmje, vlen të përmendet se në të gjitha sondazhet popullore, Prokuroria e Posaçme ngelet institucioni më i besueshëm dhe më shpresëdhënës te shqiptarët, gjë që do të thotë se sulmet ndaj tij shkojnë në proporcion të zhdrejtë me dëshirat dhe pritshmëritë e njerëzve. Prokuroria e Posçame dhe Altin Dumani mund të sulmohet nga kategoritë e mësipërme, mund të krijohen insinuata dhe të manipulohen turma të vogla militantësh të verbër partiakë, por koha është gjykuesi më i mirë dhe puna është e dukshme dhe e prekshme për të gjithë, ndërsa e ardhmja një dëshmi e gjallë e asaj çfarë po ndodh sot në këtë vend.
ide
Kush e kërkon dhe kush investon te kërkesa për qeveri teknike?
Diplomacia fetare e Turqisë!
top
receta Alfa
TRENDING
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128