Rama-Berisha-Metaj dhe Basha, përballë planit të Perëndimit

19 Janar 2023, 14:25 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Rama-Berisha-Metaj dhe Basha, përballë planit të Perëndimit

Zgjedhjet lokale po afrojnë me shpejtësi dhe i vetmi, i cili po e trajton “si betejë finale” këtë përballje është Edi Rama. Kryeministri e di shumë mirë se përball dorëzimit nën peshën e korrupsionit që ka ngritur vetë në sistem gjatë këtyre 10 viteve në pushtet, të vetmen alibi që ka për të shtyrë përballjen me drejtësinë është ajo se, “më do populli dhe ai më voton”.

Sa më shumë që laku i hetimeve të SPAK po i afrohet zyrës dhe rrethit të tij të ngushtë, (edhe familjarë), aq më shumë Rama po merr masat për të rikonfirmuar veten në pushtet si e vetmja strehë që mund ta mbrojë përkohësisht. Për këtë po përdor çdo lloj mjeti. Nga ata “ligjorë” e deri në rikthimin e planit; “qelbësira të të gjitha llojeve bashkohuni”.

Prej shumë palë zgjedhjesh në Shqipëri, fituesi ka vetëm shumicën e pakicës së votuesve. Por kjo mjafton dhe askush nuk shqetësohet. As votën e qindra mijë emigrantëve të përzënë nga kjo klasë politike me të cilët opozita bën politikë ditore, nuk e zë askush në gojë.

Është përfundim fatkeq dhe disfatist, por Edi Rama i ka “në xhep” edhe zgjedhjet e 14 majit, pavarësisht se vetëm me skandalet korruptive që po trajton SPAK, në vend të votave shqiptarët duhet ti jepnin gurë kokës atij dhe çetës së hajdutëve që drejton.

Ka fryrë në numër dhe ka rritur në maksimum presionin te administrata shtetërore dhe ajo e pushtetit bashkiak. Vetëm me këta dhe familjarët e tyre, mund të thuhet se ai e ka “fitoren” në tavolinë. Por nga ana tjetër po përdor fuqishëm edhe bizneset, ankandet brenda opozitës dhe sidomos krimin e organizuar e të çdo lloji, të cilin e ka futur në databasen e tij pasi e mori “peng” që në operacionin policorë fake, “Kap ça të kapësh”.

Përballë këtij realiteti kemi opozitën e bërë çorap. Sali Berisha e ka harruar betejën “për dinjitet” me SHBA dhe nën maskën e një revolucioni për të rrëzuar regjimin kleptokrat të Ramës, në fakt është kthyer në siguresë dhe hambar votash për të.

Tashmë duket qartë se slogani i Rilindjes dhe kandidatëve të saj për kryetar bashkish është: Votoni Këlliçin, Boçin, Carën, etj dhe merrni paketë Saliun dhe Liken, të shpallur “armiq” dhe të izoluar nga Perëndimi!

E vetmja gjë që po bën opozita, Berisha- Metaj, me ndihmën edhe të medieve të shumta është krijimi i mirazhit të rrethimit të kështjellës së Ramës. Por edhe më mendjeleshët e dinë se rrethimi dhe sulmi i vërtetë që po bëhet me të gjitha mënyrat është ai, ndaj asaj pjese të PD-së që është pozicionuar në anën e linjës properëndimore të kësaj force politike. Pikërisht këtë filiz duan të shkulin së bashku me Ramën.

Edhe të rrethuarit nga Berisha kanë problemet e tyre të rënda. Me kalimin e kohës, po shfaqen thjesht si “qëndrestarë” ndaj aksionit të tij për të marrë zyrtarisht Partinë Demokratike. Po të gjithë e dimë që nuk është ky thelbi.

Le ta marrë Berisha PD-në me hunj, miliona të bizneseve që punojnë për atë dhe Ramën, apo me gjykatë...asgjë nuk ndryshon. Prapë për Perëndimin dhe shumicën e popullit shqiptarë, “bar do hanë”, siç ka nisur të bëjë edhe Edi Rama edhe pse nuk tregon.

Ashtu si Berisha bën sikur harron se është “non grata” nga anglo-amerikanët për korrupsion dhe minim të demokracisë, edhe qëndrestarët e grupit parlamentarë të PD-së zyrtare, të krijojnë përshtypjen se kanë harruar se përse nisi e gjitha kjo.

Karota e “Bashkimit të PD” që ju ka hedhur Berisha i ka kompleksuar shumë prej deputetëve të tyre, deri në dilemën e lëpirjes së asaj që kanë pështyrë vetëm pak kohë më parë.

Rama, Berisha, Metaj për hir të së vërtetës janë më të kthjellët nga të gjithë lojtarët në këtë skenë. Ata e dinë se nuk ka asnjë “betejë” për pushtet lokal pas tre muajve, apo për atë qendror në vitin 2025. Këto janë shiringa për ndjekësit që ndihen komod me një punë në shtet dhe ata të tjerët që synojnë vendin e tyre.

Ata e dinë që ka një plan të Perëndimit për ti dhënë fund kapjes së shtetit, të pasurive, të partive dhe mbi të gjitha të votës dhe demokracisë shqiptare nga një klasë politike që ka 32 vite që e bën këtë për interesa të thella familjare- korruptive.

Nëse e vini re, Berisha më shumë se Ramën ka frikë dhe kundërshtarë Lulzim Bashën dhe ndjekësit properëndimorë të PD-së. Nga ana tjetër Edi Rama po e trajton Berishën si dordolec për të trembur zogjtë e “shtresës gri” dhe socialistët e ndershëm.

Edhe ky e ka frikë “bashizmin”, si një linjë e planit në veprim të Perëndimit, për ti dhënë fund tranzicionit kleptokrat të vendit. E ka frikë e “zili”, edhe sepse asnjë nga ndjekësit e kësaj linje nuk ka punë me drejtësinë siç është vetë deri në fyt, së bashku me Berishën dhe Metajn.

Pala Rama-Metaj-Berisha është e qartë për këtë plan të Perëndimit që po ecën me shpejtësi, ndaj zgjedhjet elektorale të radhës, “bashkimet”, vulën e PD-së e të tjera, i shohin vetëm si mjete për ti rezistuar atij dhe drejtësisë.

Pra qëndrestarë të vërtetë janë ata që kanë në mendje dhe zemër këtë projekt kundër korrupsionit dhe bajraktarizmit 32 vjeçarë të politikës dhe jo ata që i rezistojnë e janë në dilemë përballë ofertave të majme, shantazheve personale, apo edhe “presionit të bazës” dhe domosdoshmërisë për një bashkim hipokrit!/Alfapress.al



 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128