Të gjithë skenarët dhe pasojat e protestës së 6 dhjetorit

3 Dhjetor 2022, 16:16 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Të gjithë skenarët dhe pasojat e protestës së 6

Edi Rama po sillet me protestën e 6 dhjetorit të thirrur nga Berisha, "me delikatesë". Së bashku po bëjnë sikur e kanë ata në dorë sigurinë e kryeqytetit ditën që në Shqipëri vijnë kryeministrat e 27 vendeve perëndimore, të cilët së bashku janë fuqia dhe pasuria më e madhe në botë.

Sikur e kanë në dorë se ku dhe si do të bëhet grumbullimi i njerëzve, ndërkohë që “gorillat” e shefave të këtyre qeverive së bashku me shumë agjentë të CIA, e kanë marrë në dorë situatën. Jo se kanë frikë nga Berisha dhe shteti i kalbur pa polici dhe shërbime sekrete i Edi Ramës, por thjesht sepse rajoni ynë është një vend perfekt ku duart e zgjatura të Rusisë dhe çdo vendi armik, janë prezent prej kohësh.

Fut Erion Velinë që të ofrojë “Sheshin Skënderbe”, përhap lajme se administratën do ta dërgojë në shtëpi, pastaj del dhe e përgënjeshtron. Urdhëron drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që të negociojë me organizatorët dhe lajmi që del është, se nuk u dakordësuan. Rama fut në lojë Sigurinë Kombëtare, Berisha të drejtën kushtetuese për të protestuar ku dhe kur të dojë.

Duket si një skenar i stisur për ta kthyer këtë çështje në krye-lajm. Vini re; shqiptarët janë të informuar 24 orë në ditë nga mediet e të gjithë krahëve për protestën e Berishës dhe skenarët e saj, por kanë zero informacion për axhendën dhe synimet e samitin historik të BE që mblidhet në Tiranë. Dhe meqenëse qenka ky qëllimi i të dy palëve, pra të tejkalojnë Samitin, le të trajtojmë të gjithë skenarët dhe pasojat e kësaj proteste " të bujshme".

Skenari i parë është që protesta të anulohet në momentet e fundit dhe Berisha të akuzojë Edi Ramën “në sy” të krerëve të BE, se ka instaluar një shtet policorë i cili i mohon opozitës edhe të drejtën themelore.

Skenari tjetër është se protesta do të realizohet, por në paqe dhe jo në bulevard dhe përpara kryeministrisë pasi izolimi dhe kontrolli i saj nga 1200 policë në terren dhe shumë forca të sigurisë që do të shoqërojnë 27 kryeministrat e BE-së do të jetë ekstrem. Edhe në këtë rast Berisha do të akuzojë njësoj si në skenarin e parë regjimin e Edi Ramës, që shkel kushtetutën.

Skenari tjetër më afër të vërtetës dhe që konfirmohet nga burime brenda organizatorëve është ai, që protesta do të bëhet. Nuk ka rëndësi as vendi dhe as pjesëmarrja, (të cilën po e vë në dyshim edhe procesi i Primareve që po zhvillohet mes paranojave dhe përçarjeve të mëdha), por vetëm vëmendja e medieve të shumta botërore dhe veçanërisht evropiane, që tashmë janë akredituar në këtë samit.

Ideja, plani është që emri i Sali Berishës si, “kryetar i opozitës shqiptare, që ka mbështetje popullore dhe që lufton pa kompromis regjimin e instaluar nga Edi Rama në Shqipëri”, të përhapet sa më shumë në opinionin e vendeve të Perëndimit. Nuk e ka keq, por ka një problem i cili mund dhe do të kthehet në bumerang.

Çdo gazetarë që përveç zhvillimeve të samitit do të preferojë, (ose do të lobohet), që të ulet dhe të bëjë një shkrim për protestën që shoqëron takimin e krerëve të BE  në Tiranë, mund edhe të shkruajë për Berishën që ka në dorë “opozitën”. Por nga ana tjetër do të jenë të detyruar profesionalisht që të theksojë pas kësaj, se ai është i shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe, motivacionin “minim të demokracisë dhe korrupsion madhor”, si dhe që aktualisht është i izoluar nga gjithë Perëndimi.

Nëse në Shqipëri falë fuqisë mediatike të Rithemelimit ky fakt shpesh “harrohet”, në opinionin dhe europian do të dalë si një lajm “i ri”. Berishës me shumë gjasa i intereson kjo, pasi nuk ka më çfarë të humbasë. Në ndonjë nga shkrimet e shtypit perëndimorë mund të qëmtojë ndonjë fjali të llojit, “SHBA dhe Britania nuk kanë ekspozuar publikisht asnjë fakt” dhe kjo i mjafton që si alkimist që është ta shtyjë edhe ca kohë. Edhe Edi Ramës patjetër që i intereson ky skenar, për të mos thënë që edhe ai do ta lobojë me shumë gjasa.

Të vetmit që dëmtohen, janë opozita dhe Partia Demokratike si nocion. Edhe ata politikanë që e kanë ende karrierën përpara, por që për interesa që vetëm ata e dinë i janë bashkuar Berishës.

 Deri më tani kanë bërë sikur “nongratat” e Berishës i takojnë një kohe të shkuar e të harruar. Por mëngjesin e datës 7 dhjetor me shumë gjasa, do të gdhihen me mendimin: Ishim më mirë atëherë kur ishim keq!/Alfapress.al

 

ide