Berisha me Ramën janë “armiq”, por analistët e tyre i kanë in Love!

30 Nëntor 2022, 16:18 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

Berisha me Ramën janë “armiq”, por analistët e tyre i

Nuk ka nevojë që të jesh një vëzhgues i vëmendshëm për të konstatuar fuqinë e jashtëzakonshme mediatike, të aksit politik Berisha- Metaj.

Analistë dhe gazetarë të ambalazhuar prej kohësh si të pavarur, të djathtë e të majtë, bashkohen çdo natë nëpër emisione prime time dhe në një harmoni të habitshme ushqejnë këtë aks.

Të gjithë luftojnë për të përpunuar mendjet e shqiptarëve, se opozita e vërtetë është ajo e Berishës dhe Metajt. Se vetëm ata kanë shanse që ta mundin Edi Ramën. Se i do baza dhe mbi të gjitha janë shumicë. Ky është sulmi ballorë propagandistik, duke shfaqur të njëjtën vijë sjellje, e cila herë të duket se rrjedh nga zyra e Fugës e herë nga ajo e Lelës.

Por pjesa më pikante vjen kur pasi ngrenë stuhinë e “luftës” së Berisha&Metaj me pushtetin e Edi Ramës, “papritur”, i kthehen Partisë Demokratike zyrtare.

Harrojnë se pak më herët kishin “argumentuar” se ata janë të mbaruar dhe të shkrirë dhe nisin e linçojnë shpesh me nota të turpshme bullizmi Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, Gazmend Bardhin, Jorida Tabakun dhe gjithë të tjerët që janë pozicionuar kundër Berishës në politikë dhe berishizmit, si doktrinë dhe frymë në partinë e tyre.

“Të pavarurit” janë të njëjtët të cilët në vitin 2017 shkruanin dhe lobonin te Lulzim Basha që PD duhej të braktiste parlamentin dhe zgjedhjet bashkiake. I bënin thirrje që të dëgjonte dhe të bënte si Berisha, me gurë dhe zjarr, kur kishte qenë në krye të PD-së opozitare. Sot harrojnë se çfarë kanë thënë dhe kanë shkruar. Nuk ju kujtohet Berisha që dilte te shkallët parlamentit dhe jepte verdiktin e lënies së mandateve.

Të “djathtët” pasi bëjnë copë- copë ambasadorët e Perëndimit që nuk ja varin Berishës dhe Metajt, nxjerrin thikat dhe grijnë mishin dhe kockën bashkë, po të aksit properëndimorë të PD-së. Zbërthejnë direktivat e Berishës në konferencën për medie të paradites; Të shitur, ortakë, argatë të Ramës.

Por më të lezetshmit janë këta analistët e majtë. Të njëjtët që nuk e kanë fshehur kurrë se i shërbejnë Edi Ramës, i ngrenë lapidar Sali Berishës. Truku që shpalosin dhe të cilin vetëm një idiot nuk e kupton është paraqitja e Ramës si i frikësuar nga “opozita e fortë” Berisha-Metaj!

Me në krye Baton Haxhiun të gjithë analistët ramistë pa përjashtim, nuk e fshehin dashurinë që po kalojnë me kolegët e tyre “të pavarur” që shajnë Ramën dhe veçanërisht me skalionet mediatike të Rithemelimit.

Loja është bërë aq bajate, sa që po tejkalojnë edhe shefat e tyre politikë dhe ata të borderove. Bashkë kundër Partisë Demokratike zyrtare, në unison kundër “ndërhyrjes” së Perëndimit në këtë kënetën tonë 32 vjeçare dhe së fundmi i janë lëshuar edhe Drejtësisë së “kapur nga amerikanët”.

Shiko vështrimet dashurore që i hedhin njëri tjetrit kur masakrojnë Bashën dhe Alibeajn, kapni gjestikulacionet kur paralajmërojnë Perëndimin se jemi vend sovranë dhe në fund imagjinoni, se si të gjithë bashkë mblidhen pas emisioneve duke bërë bilancet dhe lutjet:

Bereqet i madh, do zoti vazhdon kështu edhe ca vite me Ramën, Berishën dhe Metajn se ja hodhëm jetës, edhe për brezat që vijnë!/Alfapress.al     



 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128