A do të guxojë Edi Rama të vetë shpallet armik i SHBA në 15 dhjetor?

23 Nëntor 2022, 15:24 / EDITORIAL NGA POLI HOXHA

A do të guxojë Edi Rama të vetë shpallet armik i SHBA

Në datën 15 dhjetor do të shohim fytyrën e vërtetë të Edi Ramës, përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimit. Është dita kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedh mes 3 prokurorëve Altin Dumani, Adnand Xholi dhe Ervin Kondili, për të drejtuar SPAK në mandatin e tij të dytë.

Ndërkohë që dita po afron, ambasadorja e SHBA Yuri Kim lëshoj një paralajmërim ulëritës: Mos tentoni dhe hiqni dorë nga lojërat, për të kapur kreun e ri të SPAK. Ky ishte thelbi i shpërthimit të diplomates, e cila e ka kthyer këtë institucion “si shtëpinë e saj”. Po përpiqen që të manipulojnë garën- tha ajo tekstualisht!

Mesazhi i egër i drejtohet pikërisht mazhorancës dhe posaçërisht Edi Ramës. Ky i fundit pavarësisht se po bën sikur është i zënë me fushatë elektorale për zgjedhjet lokale, problemin më të madh e ka me drejtësinë dhe pikërisht me radhën e gjatë të ish-ëve dhe atyre në detyrë, e cila nis me ministra dhe përfundon me kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Të gjitha gjurmët e tyre për afera “historike” korrupsioni si koncesionet në Shëndetësi, Inceneratorët dhe të tjera të çojnë vetëm në oborrin e tij.

Lufta për të kapur SPAK dhe gjykatën e Posaçme, nuk është më sekret. Çështja është se nëse politika e vjetër arrin që të bëjë përfundimisht të njëjtën gjë që ka bërë me drejtësinë gjatë këtyre 32 viteve, ajo po sfidon këtë herë Perëndimin. Në rastin e SPAK, drejtpërdrejtë SHBA- të.

Nëse Edi Rama ka hallin për të pasur nën kontroll institucionin ku bashkëpunëtorët e ngushtë janë në radhë, pjesës tjetër të Trekëndëshit që është po në radhë, i intereson që kjo të ndodhë. Sepse një SPAK i kapur nga Rama është njëkohësisht edhe një alibi e drejtë, për deligjimitimin e tij. Automatikisht edhe mbrojtja më e mirë për proceset korruptive që kanë vetë, apo rrethi i ngushtë.

Nëse në datë 15 dhjetor në një KLP problematike ku duart e zgjatura të politikës janë vërtetuar herë pas here fiton “manipulimi” që denoncon Kim, të vetmit që dëmtohen rëndë dhe në mënyrë të pakthyeshme janë shqiptarët dhe Perëndimi.

Drejtësia e re me SPAK si simbol të prekshëm është shpresa e fundit që shqiptarët të marrin hak dhe ti gëzohen drejtësisë për grabitjen 32 vjeçare, që ju ka bërë kjo klasë politike.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë investimin më të madh që kanë bërë këtu, që kur rikthyen ambasadën te rruga e Elbasanit në 15 mars të vitit 1991. Jo vetëm financiarë. Mbi të gjitha te kjo reformë dhe veçanërisht te SPAK, ata kanë vendosur fytyrën.

Që nga nisja e Foltores dhe betejës epike të Sali Berishës për të mbuluar me politikë normale, opozitarizëm dhe mbajtje peng të PD-së, një valë antiamerikane në veçanti dhe anti-perëndim në përgjithësi është evidente në vendin tonë.

U bë një peticion për largimin e ambasadores Kim nga vendi, kurse vetë ajo sulmohet në mënyrën më të egër dhe shpesh bullizuese nga “salistët” në rrjet dhe madje, edhe në faqen e ambasadës. Në mënyrë më të kamufluar por prezent, veprojnë edhe “metistët”.

Të tre bashkë në mënyrat e tyre, herë hapur dhe herë në mënyrë të kamufluar, po kërkojnë që ta rikthejnë Drejtësinë në fazat e para vitit 2006, kur edhe e kishin në hyqëm të plotë. Nëse fitojnë momentalisht nuk kanë shpëtuar tani për tani vetveten, por kanë i shpallur luftë edhe  Perëndimin dhe SHBA-ve.

Kjo nuk është thjesht një betejë e tyre për të shpëtuar nga ndëshkimi, për atë që i kanë bërë Shqipërisë së bashku dhe me rotacion për 32 vite. Është luftë për mbajtjen e statukuosë së pushtetit dhe atij politik, që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë funksionale dhe prosperitetin e vendit. Dhe e vetmja gjë që i pengon është rruga penale të cilën nuk e mbulojnë dot me populizëm, propagandë, primare e të tjera “pasqyra” që ju hedhin shqiptarëve.

Nëse në datën 15 dhjetorë Rama arrin të manipulojë zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, edhe në llogari të pjesë tjetër të aliazhit të korrupsionit politik Berisha- Metaj, atëherë ai ka vendosur që ti shpallë luftë SHBA. Nëse guxon atëherë, Trekëndëshi i Tranzicionit, del i plotë dhe hapur kundër shqiptarëve dhe Perëndimit.

Le të ndodh, ky është lajm i mirë për përshpejtimin e fundit!

 

Po ndodh...