5 metër kub ujë në muaj falas për familjet në nevojë - Në vitin 2024 u shpërndanë 31 mln lekë. Kryesojnë Pogradeci, Korça dhe Kukësi

31 Mars 2025, 16:02 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

5 metër kub ujë në muaj falas për familjet në

Rreth 31 mln lekë është vlera e shpenzuar gjatë vitit 2024 për kompensimin e sasisë minimale jetike të ujit për familjet në nevojë. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Ujit secila prej familjeve ka përfituar 5 m³ ujë në muaj falas, teksa paratë iu janë kaluar shoqërive të ujësjellës – kanalizimeve si subvencion nga buxheti i shtetit.

 Vlera e përfituar për shtresat në nevojë që është zbatuar për 14 shoqëritë rajonale dhe për shoqëritë e ujësjellësve të Tiranës dhe Vorës. Ndërkohë që, sa i takon ndarjes së parave në krye të listës qëndron Shoqria Rajonale Pogradec me rreth 8.6 mln lekë, ndërsa më pas vjen ujësjellësi i Korçës dhe Kukësit.  

Mbulimi i 5 m³/ujë në muaj për familjet në nevojë nisi aplikimin pas miratimit të një udhëzimi nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë mbi përdorimin e subvencioneve që marrin Shoqëritë e Ujësjellës Kanalzimeve nga shteti për vitin 2024.  Në udhëzim specifikoheshin vetëm 2 prioritete për përdorimin e fondeve buxhetore, që ishin likujdimi i faturave të energjisë elektrike dhe kompensimin e sasisë minimale jetike të ujit për familjet në nevojë.

Këtu përfshihen, familjet, që nuk kanë të ardhura ose kanë të ardhura të pamjaftueshme, jetimët të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit shoqëror apo prindërit me më shumë se 2 fëmijë të lindur njëherësh, që u përkasin familjeve në nevojë. Po ashtu, përfitues janë edhe viktimat e trafikimit pas daljes nga institucionet e përkujdesit shoqëror, deri në çastin e punësimit të tyre si dhe viktimat e dhunës në marrëdhëniet familjare për periudhën e vlefshmërisë së urdhrit të mbrojtjes ose urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, që nuk trajtohen në institucionet e përkujdesit shoqëror.

Ky është viti i parë që kompensimi i sasisë minimale të ujit për familjet në nevojë u përfshi në udhëzimin për përdorimin e subvencioneve të shtetit nga shoqëritë e ujësjellës – kanalizimeve./SCAN

 

Po ndodh...