Biznesi i ëmbël i “arit” të kuq  

13 Maj 2023, 11:28 / EKONOMI ALFA PRESS

Biznesi i ëmbël i “arit” të kuq  

Me ngjyrën e tyre të gjallë dhe shijen e ëmbël, nuk është çudi që luleshtrydhet hyjnë në kategorinë më të njohur të frutave të verës.

Por më shumë se një përbërës modest për një mori recetash, luleshtrydhet ofrojnë mundësinë e biznesit dhe punësimit për shumë familje, kryesisht në zonën e Fierit.

Fundi i marsit dhe fillimi i prillit është periudha kur tregjet e fruta-perimeve mbushen me luleshtrydhe, por puna për to nis më herët. Në fund të gushtit, shumica e prodhuesve të luleshtrydheve fillojnë të përgatisin tokën për mbjelljen e re të tyre.

Edhe pse bimët e luleshtrydheve janë shumëvjeçare, shumica e fermerëve të luleshtrydheve i trajtojnë ato si njëvjeçare.

Pasi të jenë korrur të gjitha luleshtrydhet, toka plehërohet dhe lërohet. Pas plehërimit dhe lërimit, toka grumbullohet në rreshta pllajash dhe mbulohet me plastikë të zezë.

Zakonisht, kur shtrohet plastika, ujitja me shirit pikues vendoset njëkohësisht në tokë. Këto detyra kryhen me një makineri traktor të specializuar.

Shiriti i pikave do të përdoret për të ujitur dhe për të fekonduar bimët e luleshtrydheve, ndërsa ato rriten dhe prodhojnë. Këto janë detaje të punës që fermerët kanë çdo vit, para se ta mbledhin e ta shpërndajnë për shitje apo eksport. I gjithë ky rrugëtim nuk vjen pa sfida.

Në 5 vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të kërkesës për luleshtrydhe dhe prodhimi i tyre është rritur gjithashtu.

Arsyeja kryesore është kryesisht sepse luleshtrydhet nuk kërkojnë sipërfaqe të mëdha për rritje dhe zhvillim dhe japin fryte shumë shpejt. Pikërisht për këtë arsye kërkohet shumë në treg. Jep rendiment të lartë, por kërkon edhe fuqi punëtore, për të cilën po bëhet e vështirë gjetja, si në çdo industri tjetër.

Sipas Artur Vrushtit, teknologjitë moderne dhe varietetet e shumimit lejojnë që luleshtrydhja të rritet edhe në serrë. “Këto karakteristika të luleshtrydheve na lejojnë ta kthejmë kultivimin e saj në biznes fitimprurës.

Përfitimi i produkteve në dimër mund të jetë deri në 300%. Ne eksportojmë për Europën, jo vetëm për tregti në sezonin e vet, por edhe për industri, si dhe për luleshtrydhe të ngrira, që i përdorin biznese si pastiçeri, apo edhe ato që përpunohen më vonë për reçel. Një përfitim i tillë, kaq i madh, është i vështirë të arrihet kur rriten kultura të tjera” – thotë z. Vrushti për “Monitor”.

“Në tre muaj kemi një pikë prodhimi. Këtë vit kemi arritur të mbledhim më shumë se vitet e mëparshme, aq sa kemi arritur të eksportojmë 30-40 tonë luleshtrydhe në ditë”, thotë z. Vrushti, entuziast për prodhimin në Kafaraj.

Në lidhje me kushtet klimatike, të cilat vite më parë kanë qenë faktor problematikash për këtë kulturë, këtë vit, z. Vrushti pohon se moti ka qenë i favorshëm dhe kanë pasur shumë prodhim.

Edhe Altin Lanaj, fermer në zonën e Fierit pohon të njëjtën gjë. Sipas tij, ky vit u duk i mbarë dhe ka shumë prodhim. Ka kërkesa për tregun e brendshëm, por nuk mungon as ajo për eksport.

Z.Lanaj thotë se, ata po e shesin produktin në këtë kohë me 1000 lekë arkën, ndërsa në muajt në vijim, çmimi pritet të përgjysmohet.

“Po të shikojmë këtë sezon, kemi pasur eksporte si jashtë, por edhe në tregun brenda, me çmime të kënaqshme. Besoj se ky vit do të jetë i mbarë. Kryesisht kemi eksportuar në Itali, Poloni, Rumani”, tha ai.

Fermerët kanë pohuar gjithashtu se lufta në Ukrainë ka bërë që Rusia të mos renditet më në listën e vendeve ku luleshtrydhja e zonës së Kafaraj eksportohej masivisht./Monitor

 

Po ndodh...

ide