Gjithçka online, por teksa zgjedhjet afrojnë nis fryrja e administratës publike me punonjës

15 Mars 2023, 07:54 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Gjithçka online, por teksa zgjedhjet afrojnë nis fryrja e

Numri i punonjësve në administratën publike po vjen në rritje vit pas viti, edhe pse një seri shërbimesh tashmë jepen online.

Me digjitalizimin e shërbimeve, administrata publike duhet të reduktohej pasi edhe shpenzimet për mirëmbajtjen e rrjeteve teknologjike janë rritur.


INSTAT raportoi se në tremujorin e fundit të vitit 2022, administrata publik arriti në 184,396 persona ose 2,036 të punësuar më shumë në tremujorin e tretë, teksa punësimi në sektorin privat për të njëjtën periudhë krahasimi pësoi tkurrje e mbi 10 mijë persona.

Në sektorin privat, punësimi ka cikël sezonal. Një numër më i madh personash punësohen gjatë sezonit të verës nga maji në shtator për shkak të kërkesës nga turizmi dhe bujqësia. Në të kundërt, në sektorin shtetëror punësimi nuk lidhet me sezone, por me zgjedhje.

Gjithmonë në prag të zgjedhjeve ka një tendencë për të fryrë administratën me punonjës qoftë edhe të përkohshëm. Në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, punësimi në administratën publike jo vetëm që u rrit në krahasim me tremujorin e tretë, por edhe me të njëjtën periudhe të vitit 2021.

Përvojat e kaluara tregojnë se punësimi në Administratën Publike në prag të zgjedhjeve rritet ndeshëm sidomos në ndërmarrjet e pastrimit dhe gjelbërimit dhe në ujësjellës.


P.sh. më 2021, kur ishin zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, punësimi në sektorin shtetëror u zgjerua me rreth 8 mijë persona ose me 4% brenda një viti. Më 14 maj të këtij viti do të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal teksa, punësimi në shtet pritet të rritet më tej në tremujorin aktual.

Pesha e shtetit në ekonomi është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Sipas të dhënave të INSTAT, pesha e administratës publike në ekonomi, arsimi, shëndetësia dhe aktivitet të punës sociale në totalin e PBB-së shënuan rritje me 2.5 pikë përqindje nga viti 2005 në vitin 2020.

Në vitin 2009 administrata publike formonte 9.7% të totalit të PBB-së së vendit, ndërsa në vitin 2020 arriti në 12.4%.

Në vitin 2020, nga 10 degët kryesore të ekonomisë, administrata publike ishte i treta për peshën më të lartë në ekonomi, pas bujqësisë me 19.2%, dhe sektorit të tregtisë, akomodimit dhe transportit me mbi 15%.

Në vitin 2005, administrata publike ishte sektori i katërt më i madh, pas bujqësisë, tregtisë dhe ndërtimit./Monitor