Interesat e depozitave janë rritur më shumë për lekun, por publiku vazhdon të preferojë euron

12 Maj 2023, 11:10 / EKONOMI ALFA PRESS

Interesat e depozitave janë rritur më shumë për lekun, por

Normat e interesit të depozitave bankare në lekë kanë vijuar me një rritje të lehtë në tremujorin e parë të vitit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, përcjellja e rritjes së normës bazë në normat e interesit të depozitave ka vijuar në mënyrë graduale.

Norma mesatare e interesit të depozitave me afat në lekë arriti në 1.5% në tremujorin e parë të vitit, nga 1.4% në tremujorin e katërt të vitit të kaluar. Ky nivel është rreth 0.8 pikë përqindje më i lartë se niveli mesatar përpara fillimit të normalizimit të politikës monetare.

Në të njëjtën kohë, ndryshime pozitive kanë regjistruar edhe normat e interesit për depozitat me afat në euro, duke shënuar 0.8% në tremujorin e parë të vitit, nga 0.7% në tremujorin e mëparshëm.

Diferenca mes interesit të depozitave me afat në lekë dhe atij në euro është rritur në 0.7 pikë përqindje në tremujorin e parë 2023, nga niveli mesatar prej 0.5 pikë përqindje i viteve 2020-2021 dhe i gjysmës së parë të vitit 2022.

Zgjerimi i diferencës ka ardhur kryesisht sepse interesta e depozitave po rriten më shumë për lekun, se sa për euron. Një nga arsyet mund të jetë konkurrenca nga alternativat e tjera të investimit, sidomos bonot dhe obligacionet e qeevrisë shqiptare.

Ndërkohë, për euron tregu i brendshëm financiar nuk ofron shumë alternativa investimi dhe për këtë arsye interesat e depzoitave në euro ngelen ndjeshëm më të ulëta, pavarësisht se norma bazë e interesit për euron tashmë është më e lartë se ajo e lekut.

Një arsye tjetër mund të jetë edhe politika e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që aplikon një sërë masash rregullatore që e bëjnë më të shtrenjtë ndërmjetësimin finaciar në euro për bankat shqiptare. Edhe për këtë arsye, normat e depozitave të paguara për euron janë më të ulëta.

Por, pavarësisht kësaj, depozitat në euro po rriten me ritme disa herë më të larta.

Në fund të tremujorit të parë, depozitat në total të bankave kanë shfaqur rritje vjetore me 9.6%, nivel ky i ngjashëm me rritjen mesatare të shënuar në gjysmën e dytë të vitit 2022.

Kjo ecuri reflekton rritjen e ngadaltë të depozitave në lekë (2.9%), ndërkohë që depozitat në valutë kanë vijuar të rriten me norma dyshifrore (15.7%).

Zgjerimi i ngadaltë i depozitave në lekë është ndikuar nga zhvendosja e kursimeve të individëve drejt investimeve në letrave më vlerë të qeverisë, kthimet nga të cilat janë rritur ndjeshëm më shpejt se ato të depozitave.

Nga ana tjetër, normat ndjeshmë më të ulëta të interesit për depozitat në euro duket se nuk e kanë dekurajuar prirjen e publikut shqiptarë për t’i mbajtur kursimet në monedhën europiane.

Struktura e fondeve të bankave vijon të zhvendoset drejt atyre në valutë, të cilat përbëjnë rreth 54.1% të totalit, ose 1.2 pikë përqindje më shumë se e njëjta periudhë një vit më parë.

Për sa I përket strukturës së depozitave sipas maturitetit, rritja e normave të interesit të depozitave ka vazhduar të nxisë zhvendosjen e kursimeve drejt depozitave me afat.

Kështu, depozitat pa afat shfaqën një rritje vjetore prej 9.2%. Ky ngadalësim u rikuperua nga zgjerimi i normave të rritjes së depozitave me afat me 3 pikë përqindje, në nivelin 10.1%.

Rritja e fortë e depozitave mbi dy vjet ka qenë kontribuuesi kryesor në këtë ecuri, duke zgjeruar peshën e tyre në 16% të depozitave totale të bankave.

Zhvendosja e kursimeve drejt depozitave me maturitete mbi dy vjet, si në lekë ashtu edhe në valutë, është e ndikuar nga ofertat e shumta të bankave dhe nga preferenca e individëve për kthime më të larta.

Këto zhvillime janë reflektuar në rënien e raportit të depozitave pa afat ndaj totalit, nga 56.9% në fund të vitit 2022 në 55.9% në muajin mars./Monitor

Po ndodh...

ide