Janar "i zi" për turizmin, hyrjet e të huajve në rënie për herë të parë që nga pandemia

Viti 2026 nuk ka nisur i mbarë për turizmin në vend. Të dhënat e publikuara sot nga INSTAT bënë të ditur se në janar në vend hynë 552 mijë shtetas të huaj, me rënie prej 1.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo është hera e parë që hyrjet e turistëve po vijnë me rënie në janar, që nga periudha e pandemisë. Pas vitit 2022, Shqipëria u kthye në një destinacion të preferuar turistike, çka çoi dhe në një shtrirje të sezonit përtej muajve të verës, ku turistët vizitonin qytetet si Tirana, Berati, Gjirokastra, Korça etj. Rrugët e kryeqytetit mbusheshin me turistë në pjesën e parë të vitit dhe tendenca po vinte vetëm në rritje, deri tani.
Për krahasim, në janar 2025, hyrjet e të huajve u rritën me 14.5%, ndërsa në 2024-n zgjerimi ishte gati 30%.
Sipas aktorëve të tregut negativisht vlerësohet të ketë ndikuar moti i keq i janarit, që ka kufizuar lëvizjet. Gjithashtu, çmimet e restoranteve e ushqimeve në Shqipëri po rriten, duke stepur të huajt që vizotonin vendit, ndërkohë që akomodimi vijon të mbetet i lirë.
Tendenca e ngadalësimit nisi që në vitin 2025, ku hyrjet e të huajve u rritën me vetëm 6.6%, niveli më i ulët që nga pandemia.
Ndryshe nga të huajt, daljet e shtetasve shqiptarë në janar shënuan një rritje të lehtë prej 3.3%
Sipas njoftimit të INSTAT, gjatë muajit Janar 2026, rezultojnë të kenë hyrë, në territorin e Republikës së Shqipërisë, 1.196.550 shtetas shqiptarë dhe të huaj. Ky tregues ka pësuar një rritje me 3,3 %, krahasuar me Janar 2025. Gjithashtu,1.343.073 shtetas shqiptarë dhe të huaj rezultojnë të kenë dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë, duke shënuar një rënie me -1,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Qëllimi i hyrjes në territorin shqiptar i shtetasve të huaj, në 98 % të rasteve është për qëllime personale. Në Janar 2026, ky tregues ka shënuar një rënie me -1,4 %, krahasuar me Janar 2025. Hyrjet e shtetasve të huaj, për qëllime biznesi dhe profesionale janë ulur me -5,7 %.
Sipas INSTAT, hyrjet në Shqipëri:
Shtetas shqiptarë: 644.363 (rritje me 7,8 %)
Shtetas të huaj: 552.187 (rënie me -1,5 %)
Shtetas shqiptarë: 740.160 (rritje me 3,1 %)
Shtetas të huaj: 602.913 (rënie me -6,2 %)
Rajonet e hyrjes së shtetasve të huaj:
Evropa Jugore kontribuon me 88 % dhe Evropa Perëndimore me 6 % të hyrjeve nga Evropa./MONITOR
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128