Kërkesa, HEC-et e vegjël. Çmimi i ri 10 lekë/kWh të nisë nga 1 janari 2023

19 Mars 2023, 15:45 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Prodhuesit me përparësi të energjisë kërkojnë rishikimin e vendimit, duke argumentuar se vendosja në regjimin e shërbimit publik u ka sjellë atyre ulje të ndjeshme të fitimit të parashikuar


Prodhuesit me përparësi të energjisë ku kategorizohen të gjithë hidrocentralet me kapacitet të instaluar deri në 15 MW kërkojnë që Enti Rregullator i Energjisë (ERE) të rishikojë vendimin e mesit të shkurtit. Vendimi caktoi çmimin 10 lekë për çdo kilovat/orë energji të prodhuar nga këto hidrocentrale dhe të hedhur në sistemin energjetik.


Më herët, çmimi ishte 8.56 lekë. Qeveria argumentoi se rritja vjen si një formë kompensimi, për shkak të vënies së detyrimit të shërbimit publik për këto subjekte, të cilat kishin shprehur interes për të dalë në treg të lirë.

Shoqata pranon se vendosja e çmimit të rishikuar është diçka pozitive, por hyrja në fuqi në mes të shkurtit nuk është e drejtë, pasi sipas tyre duhet të kishte hyrë në fuqi nga 1 janari.

Në një kërkesë të depozituar tek Enti Rregullator i Energjisë, Shoqata Shqiptare e Energjisë së Rinovueshme (AREA)  nënvizon se në vetvete, vendosja e këtyre HEC-eve në detyrimin e shërbimit publik dhe fillimi i efekteve të çmimit me vonesë u shkakton atyre ulje të ndjeshme të fitimit të parashikuar.

 


Kërkesa për Entin, çmimi të nisë nga fillimi i vitit

Në shkresë thuhet se në rastin  konkret,  prodhuesit me përparësi do të dilnin  në treg  të lirë  dhe  do ta  shisnin  energjinë  me një çmim shumë  më të  favorshëm, për  shkak  të mundësive që ofron sot tregu, ndërkohë që për shkak të detyrimit të shërbimit publik, ata janë të detyruar t’ia shesin  operatorit publik  FTL.

“Pikërisht, me qëllim kompensimin  në një lloj mënyre  të këtyre  kostove,  Qeveria vendosi  të miratojë VKM për rritjen  e çmimit të energjisë me 10 lekë/kwh.

Duke pasur  parasysh se edhe VKM-ja Nr. 67, datë 08.02.2023  “Për një ndryshim të vendimit nr. 687, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin  e metodologjisë së përcaktimit të çmimit  vjetor të blerjes së energjisë elektrike, që  do  t’u  paguhet  prodhuesve  ekzistues  me përparësi”,  të  ndryshuar,  i  referohet çmimit  vjetor  dhe  për  gjithë procesin e zhvilluar  të bisedimeve për rritjen e çmimit, shikojmë  të arsyeshme që ERE të rishikojë periudhën e efektshmërisë së rritjes së çmimit, duke e bërë efektive këtë rritje që më datë 1 Janar 2023.

Sa më sipër referuar, kërkesa jonë legjitimohet edhe nga  legjislacioni shqiptar që lejon zbatimin  me efekt retroaktiv të një vendimi  të qeverisë  apo akti tjetër  ligjor, në rast se efektet janë në favor të palës së interesuar, siç parashikohet nga neni 105 i  Kodit të  Procedurave Administrative”, – thuhet në kërkesën e Shoqatës.

Në datë 16 shkurt, Enti miratoi vendimin për metodologjinë sa i takon çmimit të energjisë nga prodhuesit me përparësi, një miratim që erdhi pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për këtë pikë.

Por shoqata nënvizon se burokracitë e miratimit të vendimit nuk duhet të krijojnë këtë ngërç, që lidhet me çmimin i cili është vjetor e për rrjedhojë, duhet të nisë zbatimin që në fillim të vitit, duke qenë se qeveria e ka deklaruar këtë që në fund të dhjetorit 2022.

Në atë kohë, zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, do të nënvizonte se çmimi për këtë kategori do të rritej në 10 lekë/kwh.

Shoqata citon se vendosja e detyrimit të shërbimit  publik mbi Prodhuesit me Përparësi, parashikohet nga neni 90 i ligjit nr. 43/2015, i  cili në pikën 6 të tij, parashikon se: “Çdo kosto  shtesë  e shkaktuar ndaj  të licencuarit,  për shkak të vendosjes së detyrimit të shërbimit publik, pasi vlerësohet nga Ministria e Financave dhe  ERE-s, me propozim  të ministrit përgjegjës  për  Energjinë dhe  Komitetit  për Emergjencat Civile, kompensohet nga Buxheti i Shtetit.

“Ky kompensim do të jetë në përputhje me nenin 47 të këtij ligji”. Neni 47, pika 8, ka parashikuar se me kosto shtesë  do të  nënkuptohen të ardhurat që i licencuari  nuk mund të sigurojë për shkak të vendosjes  së detyrimit të shërbimit publik. Kjo do të  thotë se shteti merr përsipër të kompensojë edhe fitimin e munguar”, – thuhet në kërkesën drejtuar Entit.

 

 

 

Koncesionarët prodhuan 44.2% të energjisë në 2022, ende 50 kontrata veç në letër

Prodhuesit me përparësi të energjisë dhe ata të pavarur janë bërë një pjesë e rëndësishme e prodhimit të energjisë në vend. Të dhënat zyrtare nga Bilanci i Energjisë i vitit 2022, publikuar nga INSTAT, tregojnë se prodhimi neto vendas i energjisë elektrike arriti vlerën 7.003 GWh, duke shënuar rënie të prodhimit me 21,9% në raport me vitin 2021.

“Prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 55,1%, nga hidrocentralet private dhe koncesionare në masën 44,2% dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaikë) në masën 0,7% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike”, – thuhet në publikim. Por teksa një pjesë e mirë e këtyre koncesionarëve kanë hyrë në prodhim,

të paktën 50 kontrata koncesionesh për ndërtimin e hidrocentraleve në vend nuk kanë nisur ende ndërtimin.

Në total, sipas të dhënave zyrtare, janë 176 kontrata të cilat në brendi të tyre parashikojnë ndërtimin e një apo më shumë hidrocentraleve. Kjo politikë nisi në mandatin e parë të qeverisë Berisha.

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore raportoi se nga regjistri i kontratave që Sektori i Monitorimit të Kontratave Koncesionare monitoron, aktualisht disponohen 176 kontrata koncesioni aktive dhe 88 kontrata me kapacitet prodhues nën 2 MW sipas VKM 822/2015.

“Nga totali prej 176 kontratash të koncesionit: Numri i kontratave që kanë hyrë në fazën e prodhimit të energjisë me të paktën një HEC është 114. Fuqia e instaluar për këto kontrata është 1078.5 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë 3.9 milionë MWh/vit.

Numri i kontratave në fazën e ndërtimit është 13. Fuqia e instaluar për këto kontrata është 99.6 MW  dhe prodhimi vjetor i energjisë 348 087 MWh/vit.

Numri i kontratave që nuk kanë filluar ndërtimin është 50. Fuqia e instaluar për këto kontrata është 788.8 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë 3.1 milionë MW”, thuhet në përmbledhje.

Kërkesa, HEC-et e vegjël. Çmimi i ri 10 lekë/kWh të

Në vitin 2015, qeveria miratoi një vendim që autorizonte hidrocentralet më të vegjël se 2 MW që të kaloheshin vetëm me firmën e ministrit.

Në total, sipas të dhënave zyrtare, janë 88 kontrata të nënshkruara në bazë të VKM-së në fjalë. “Numri i kontratave që kanë hyrë në fazën e prodhimit të energjisë me të paktën një HEC është 35. Fuqia e instaluar për këto kontrata është 42.1 MW  dhe prodhimi vjetor i energjisë 150 847 MWh/vit.

Numri i kontratave në fazën e ndërtimit është 10. Fuqia e instaluar për këto kontrata është 18.9 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë 64 331 MWh/vit.

Numri i kontratave që nuk kanë filluar ndërtimin është 43. Fuqia e instaluar për to është 63.5 MW dhe prodhimi vjetor i energjisë 237 968 MWh/vit”, thuhet në dokument.

Detyrimi i shërbimit publik deri në qershor, stabilizohen çmimet në bursa

Qeveria ka vendosur që gjendja e emergjencës në furnizimin me energji të jetë në fuqi deri në mes të këtij viti. Ajo  ishte parashikuar deri në fund të vitit 2022, por duke parë situatën e përgjithshme, ku bursat ende nuk kishin gjetur qetësi në tetor 2022, qeveria vendosi që emergjenca të shtyhej deri më 30 qershor.

Në këtë situatë operatorët e sektorit energjetik që janë publikë do të vijojnë të bëjnë menaxhimin, sipas kushteve të reja të vendosura dhe po kështu edhe prodhuesit me përparësi nuk mund të dalin në treg të lirë.

Kriza e energjisë vijon të jetë një temë jo pak e diskutuar dhe ekspertët në Europë janë ende të dyzuar nëse ky është thjesht një moment ciklik qetësie, për shkak të dimrit të butë dhe rritjes së rezervave të gazit, apo një normalitet i ri më i stabilizuar. Tre vitet e fundit për sektorin po tregojnë se kushtet mund të ndryshojnë brenda ditës, ndaj  rreziku i krizës nuk mund të cilësohet se ka kaluar.

Gjithsesi, Bursa Hungareze së cilës i referohet Shqipëria ka pasur në shkurt dhe mars një ecuri më të qëndrueshme me çmime që si në bazë edhe në pik nuk kanë kaluar mbi 180 euro/MWh. Në ditë të caktuara, çmimet janë shfaqur në nivelet normale të parakrizës, por ende nuk mund të flitet për një rikthim të plotë drejt asaj që njihej para verës 2021.

Konkretisht në datën 7 mars, 1 MW energji tregtohej në bazë për 139.7 euro ndërkohë që në pik, për 152.35 euro. Çmimi në bazë llogaritet në 15.6 lekë/kWh por nëse këtu shtojmë kostot e transmetimit, shpërndarjes dhe ato operative, çmimi shënon rritje të dukshme./Monitor

 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128