Kredia e re ra sërish në dhjetor, por 2022 u mbyll me vlerën më të lartë në shtatë vitet e fundit

3 Shkurt 2023, 14:49 / EKONOMI ALFA PRESS

Kredia e re ra sërish në dhjetor, por 2022 u mbyll me vlerën

Kreditimi i ekonomisë shënoi sërish rënie në muajin dhjetor, duke manifestuar për të katërtin muaj radhazi efektet e rritjes së normave të interesiT.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin e fundit të vitit 2022 sektori bankar disbursoi 30.6 miliardë lekë kredi të reja, në rënie me 25.8% krahasuar me dhjetorin e vitit 2021. Rënia e kredisë erdhi kryesisht nga segmenti më i madh, ai i bizneseve, ndërsa kredia për individë shënoi vlera të përafërta me dhjetorin e një viti më parë.

Në total, kredia e re e dhënë nga sektori bankar për vitin 2022 arriti vlerën e 278.5 miliardë lekëve, në rritje me 5.3% krahasuar me një vit më parë. Vlera e kredisë së re është më e larta në shtatë vitet e fundit, por rritja ka ardhur kryesisht në pjesën e parë të vitit, ndërsa pjesa e dytë ka shënuar një tendencë të qartë ngadalësuese, duke reflektuar efektet e inflacionit të lartë dhe rritjes së shpejtë të normave të interesit. Frenimi që është bërë i dukshëm sidomos pas muajit shtator e ka reduktuar normën e rritjes vjetore të kredisë, rritje që për vitin 2021 kishte qenë 7.8%.

Zhvillimi më i dukshëm për sa i takon kreditimit gjatë vitit të kaluar ishte rimëkëmbja e ndjeshme në segmentin e biznesit. Gjatë vitit 2022, kredia e re për biznesin arriti në 186.9 miliardë lekë, në rritje me 8.6% krahasuar me vitin 2021. Rritja e çmimeve ka sjellë nevoja më të mëdha për financimet e lidhura me nevojat e kapitalit qarkullues, por ndërkohë ka vijuar edhe rritja e kredisë për qëllime investimi.

Ndërkohë, edhe kredia për individë u rrit sërish, në vazhdën e ecurisë pozitive të viteve të fundit. Kredia e re për individët arriti vlerën e 85 miliardë lekëve, në rritje me 10% krahasuar me një vit më parë. Rritja e kredisë për individët është mbështetur kryesisht nga financimet për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe rritja e fortë e çmimeve në këtë treg. Megjithatë, rritja e kredisë për individë është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me vitin 2021, kur kishte shënuar një rritje rekord prej 35%.

Portofoli i kredisë për ekonominë, i matur si tepricë, në fund të vitit 2022 arriti vlerën e 713.3 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 7.1%. Megjithatë, efektet e ngadalësimit të kreditimit janë relektuar në ecurinë e madhësisë së portofolit, që ka pësuar rënie për dy muaj radhazi në nëntor dhe dhjetor 2022.

Edhe në portofolin total rritja më e lartë është regjistruar në segmentin e individëve, ku kredia është rritur me 11.8% me bazë vjetore. Portofoli i kredisë për individët tashmë ka arritur vlerën më të lartë historike, prej 262 miliardë lekësh. Gjithashtu, portofoli i individëve po shënon edhe peshën më të lartë specifike të regjistruar ndonjëherë në kredinë totale të ekonomisë, peshë që ka arritur në 36.7%, nga 35.1% që kishte qenë në vitin 2021.

Madhësia e portofolit u rrit edhe për kompanitë private, me 4.2% më shumë krahasuar me një vit më parë./ Monitor

 
 

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128