Njihuni me disa prej vendeve më turistike në Shqipëri/ Malet, deti dhe ushqimet janë ato që duan turistët

27 Korrik 2024, 14:04 / EKONOMI&SOCIALE NGA ALFAPRESS.AL

Njihuni me disa prej vendeve më turistike në Shqipëri/ Malet,
Shqipëria vitet e fundit ka qënë një atraksion turistik, për të huajt dhe vendasit.

Malet, deti dhe ushqimet janë gjërat kryesore që i gjen mrekullisht në Shqipëri.

Nga veriu në jug pothuajse ka një vijë bregdetare, e më pas malet. Nuk ngelen pas as qytetet historike me kalatë shelullore si Gjirokastra, Kruja, Shkodra, Berati, Saranda, Petrela etj. Malet e Veriut, Valbona e Thethi janë një mrekulli e papërsëritshme.

Vendet bregdetare si Saranda, Vlora, Durresi mbeten mjaft më të populluara.

Po ashtu Ksamili, Borshi, Gjipeja, Dhërmiu, Livadha, Lukova, Gjiri Lalzit, Kepi Rodonit, Rana e Hedhun, Velioja janë vendet që zgjidhen nga pushuesit.

Gatimet tradicionale i gjen kudo dhe në forma të ndryshme. Bujtinat janë një element tjetër interesant për turizmin.

Disa prej qyeteteve kryesore turistike në Shqipëri

Vlora

Vlora është porti i dytë i vendit si dhe një prej rajoneve më të rëndësishme turistike të tij. Prej saj ju mund të ndërmerrni udhëtime të cilat do t’ju zbulojnë objekte interesante. Në jug të gjirit të Vlorës ndodhet qyteti i vogël i Orikumit, pranë të cilit ndodhet një port jahtesh, ku mund të parkohen deri në 650 të tillë.

Orikumi përbën një park arkeologjik dhe është një prej qyteteve më të rëndësishëm të botës antike. Aty mund të vizitoni teatrin e vjetër të Orikumit me kapacitet prej 500 vendesh si dhe kishën e Marmiroit. Përgjatë rrugës nga Vlora në Orikum do të kaloni plazhet e vogla me ujra mjaft të pastër të Jonufrit dhe Rradhimës.

Një vend mjaft interesant është edhe Parku Arkeologjik i Amantias (pranë fshatit Plloçë) dhe stadiumi me të njëjtin emër. Në veri të qytetit të Vlorës ndodhet laguna e Nartës, e cila është laguna e dytë për nga madhësia në Shqipëri. Ky është një vend mjaft i rëndësishëm për folezimin e shpendëve ujorë si dhe një vend mjaft i njohur në Shqipëri për prodhimin e verës artizanale të Nartës. Pranë lagunës, në Zvërnec, gjendet Manastiri i Shën Marisë.

Një perlë e vërtet për tu vizituar në gjirin e Vlorës janë plazhet në gadishullin e karaburunit (gjuha e zezë) dhe ishulli i Sazanit.Që të dyja kanë qenë baza të rëndësishme ushtarake dhe sot janë kthyer në plazhe mjaftë tërheqës dhe vende për amatorët e sporteve të ujit dhe aventurierët spelolog.Në këto vende mund të shkohet me anë të detit nëpërmjet skafeve Taxi nga qyteti I Vlorës.

Llogara

Palasë – Dhërmi – Vuno – Himarë – Qeparo – Borsh – Lukovë

Parku Kombëtar i Llogarasë ndodhet në jug të qytetit të Vlorës, në një distancë prej 40 km, eshte nje nga destinacionet turistike ne Shqiperi. Territori i tij zë një hapësirë prej 810 ha dhe shtrihet në lartësitë nga 470 deri në 2,018 metra mbi nivelin e detit. Parku i Llogarasë është një pikë klimaterike ku ofrohet akomodim dhe shërbim restorantesh.

Veçantinë e këtij parku natyror e shton kombinimi i klimës malore me atë detare. Ai është një pikë ideale edhe për ushtrimin e sporteve ajrore. Pas zbritjes së Qafës së Llogarasë, do të ndeshni plazhet e para të Rivierës Shqiptare, të cilat shquhen për cilësinë shumë të lartë të ujërave detare. Ato fillojnë me Dhraleon e Palasës dhe më pas plazhet e Dhërmiut, (Jaliksari)

Shkodër

Shirokë – Velipojë – Franc Josef – Lezhë – Shëngjin – Kune Vain

Ky tur ju njeh me zonën veriperëndimore të Shqipërisë, ku qyteti kryesor është Shkodra, i njohur si “kryeqëndra e veriut”. Shkodra është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë. Një nga pikat kryesore të qytetit është kalaja e Rozafës, e cila ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit.

Këtu mund të vizitoni Muzeun Historik, Fototekën Marubi si dhe lagjet me arkitekturë veneciane të Gjuhadolit dhe Serreqit. Pranë qytetit shtrihet liqeni i Shkodrës, (liqeni më i madh i gadishullit ballkanik), me pikat e Shirokës dhe Zogajt. Shkodra mund të shërbejë si bazë për të vizituar objekte të tilla natyrore si ishullin e Franc Jozefit në grykëderdhjen e Bunës si dhe plazhin ranor të Velipojës. Disa kilometra në jug të Shkodrës ndodhet qyteti i Lezhës.

Valbonë

Shoshan – Dragobi – Selimaj – Rragam

Lugina e Valbonës shtrihet në pjesën lindore të Alpeve Shqiptare. Ajo është një prej zonave natyrore më të bukura të Shqipërisë, e shpallur park kombëtar dhe zë një sipërfaqe prej 8,000 hektarësh. Valbona gjendet 25 km larg nga qyteti i Bajram Currit me një rrugë që të mundëson një udhëtim komod dhe është qëndra kryesore e banuar e luginës. Duke eksploruar këtë luginë do të shikoni kanionin e Shoshanit si dhe fshtrat alpinë të Dragobisë, Selimajt dhe Rragamit.

Këtu do të prezantoheni dhe me Alpet Shqiptare nën këmbët e të cilëve ze fill dhe burimi I lumit.Legjenda e këtyre maleve është nga më të bukurat,më mistiket dhe më të vjetrat në Ballkan.Legjenda e Mujit dhe Halilit është më e përhapura dhe gurët e Judbinës që gjenden në fshatin Marinë dhe Gradicë.

Pogradec

Lin – Drilon-Tushemisht

Rruga për në qytetin piktoresk të Pogradecit kalon pranë bregut të liqenit të Ohrit, i cili me origjinën e tij tektonike dhe që arrin thellësinë deri në 285 metra, është më i thelli në Ballkan. Liqeni me moshë 2-4 milion vjeçar, i cili për vlerat e tij unikale është shpallur pasuri e UNESCO-s, ruan në gjirin e tij 17 lloje peshqish,shpend të shumtë dhe gjitar ujor. Prej Pogradecit mund te vizitoni fshatin Lin në veri të Liqenit, i cili shquhet për bazilikën e tij me mozaikë që gjendet në kodër të fshatit. Në krahun jugor rreth 6 km larg Pogradecit gjenden burimet e ujërave të Drilonit, të cilat ofrojnë një mjedis shplodhës dhe restorante të shumtë ku gatuhet Korani,Belushku si dhe një lloj trofte që jeton pothuajse vetëm në liqenin e Ohrit.

Berat

Mali i Tomorrit – Shpella e Pirrogoshit – Kanionet e Osumit-Çorovodë

Qyteti i Beratit 2400 vjeçar i quajtur qyteti i njëmbinjë dritareve, me kulturë të lashtë, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, është një pikënisje e mirë për të eksploruar luginën e Lumit Osum, Çorovodën, malin e Tomorrit, (i quajtur “Olimpi Shqiptar”) i cili mbart mbi vete një nga legjendat më intriguese të mitologjisë, atë të kultit të Dodonës “dimërkeqe”.

Këtu ka qenë vendbanimi i fisit Pellazgo-Ilir të lapathëve (lebërve) dhe pikërisht kësaj Dodone i lutet Akili në luftën e Trojës që ta ndihmoj “O Zot, mbret Dodonas pelazgjik që banon në ato vende të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe, për rreth teje banojnë Selijtë, Dragomanët (fat-thënës) këmbëzbathur e gjumëpërdheas….” Ky mal, i cili përbën një park Kombëtar, është njeri prej maleve më të lartë në Shqipëri, (2.416 metra mbi nivelin e detit) dhe shquhet për burimet ujore të shumta me emra mitik si dhe për shpellat karstike. Në këtë luginë ndodhet dhe qyteti i Çorovodës me një histori të lashtë dhe me shumë vepra monumente të natyrës.

Në rrjedhën e lumit Osum janë formuar shumë kanione që amatorët e sportit ”Rafting” i shfrytëzojnë në periudha të ndryshme të vitit.
Aty ndodhet edhe tyrbja e Abaz Aliut, i cili është një vend i shenjtë i sektit bektashjan. Në 20 Gusht aty organizohet njëri prej pelegrinazheve më të mëdhenj në Shqipëri.

Tiranë- Krujë – Durrës – Elbasan

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, si gjithë metropolet e tjera evropiane, ka energji dhe lëvizje të pashtershme. Me baret, pubet, restorantet, tavernat. Tirana është e bukur për t’u zbuluar dhe shijuar, si ditën ashtu edhe natën. Këtu gjenden muze nga më të rëndësishmit në rang kombëtar si Muzeu Historik Kombëtar, Muzeu Arkeologjik, Galeria Kombëtare e Arteve Figurative,salla teatrosh, sheshe e parqe.

Ajo ka një histori interesante zhvillimi dhe rreth saj ka shumë kështjella mesjetare si ajo e qytetit që gjendet në qendër të Tiranës ,e Petrelës, e Prezës. Në Lindje të Tiranës ndodhet parku natyror i Dajtit, ku vizitori do të ndesh natyrën e pastër dhe të qetë që mund ta shfrytëzoj për shëtitje dhe aktivitete sportive.

Qyteti historik i Krujës ndodhet 32 km larg Tiranës. Objekti kryesor turistik është kalaja e Krujës ku gjendet muzeu i heroit Kombëtar Skenderbeut së bashku me Muzeun Etnografik.Pazari i Krujës është një aktivitet ku mund të gjeni punime artizanale me motive Kombëtare si dhe antika të ndryshme.

Durrësi, porti më i madh i vendit ndodhet 34 km larg Tiranës. Është qyteti më i vjetër i Shqipërisë, me histori 3,000 vjeçare. Krahas plazheve të tij ju mund të vizitoni Amfiteatrin, (i dyti në gjithë Ballkanin për nga madhësia) si dhe Muzeun Arkeologjik. Hyrja në qytetin e Durrësit mund të bëhet nga porti detar i tij,Aeroporti “Nënë Tereza” si dhe nga autostrada Tiranë-Durrës.

Qyteti i Elbasanit gjendet në juglindje të Tiranës. i njohur në antikitet me emrin Skampa, ai ka qënë një stacion i rëndësishëm i rrugës antike “Egnatia”. Objektet kryesore të qytetit janë muret e kalasë,kisha e Shën Marisë brenda këtyre mureve, Muzeu Etnografik, hamami, xhamia e Nazireshës,Bysheku,Gjinari./Alfapress.al

Po ndodh...