Rriten eksportet gjatë muajit shkurt, prekin vlerën e 34 mld lekëve

18 Mars 2025, 15:09 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Rriten eksportet gjatë muajit shkurt, prekin vlerën e 34 mld

Eksportet kanë prekur vlerën e 34 mld lekëve në muajin shkurt. Shifra flet për një rimëkëmbje në tregtinë e jashtme, e cila është nxitur kryesisht nga shitja e lëndëve djegëse.

Eksportet e mallrave shënuan vlera pozitive në shkurt të këtij viti, duke prekur vlerën e 34 miliardë lekëve, e cila përkon me rritje 4% në raport me shkurtin e kaluar.

Por, ritmi i rritjes është ndikuar nga nafta, pasi prodhimi vendas në pjesën më të madhe të grupmallrave të eksportit ka pësuar rënie.

Sipas INSTAT, rritja e eksporteve të lëndëve djegëse me mbi 64% në fillim të këtij viti, ka arritur të mbulojë hendekun e rënies në të gjitha grupet e tjera.

Për to, statistikat tregojnë se eksportuesit shqiptarë nuk u favorizuan këtë periudhë, pasi kërkesa në tregjet ndërkombëtare u mbulua nga vende të tjera.

Në muajin shkurt, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve janë: Kosova, Greqia dhe Gjermania.

Nga ana tjetër, importet e mallrave ranë me 9% dhe arritën vlerën e 68 miliardë lekëve, në krahasim me një vit më parë.

Në shkëmbimet tregtare, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të importeve janë: Kina, Greqia dhe Spanja.

Po ndodh...