Importet e ushqimeve rriten me 23%, çmimet e mallrave vetëm shtrenjtohen

27 Janar 2026, 21:24 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Importet e ushqimeve rriten me 23%, çmimet e mallrave vetëm

Vit pas viti vendi ynë është duke rritur varësinë nga ushqimet e importit si rrjedhojë e uljes së prodhimit vendas dhe nevojave më larta për konsum nga turistët.

Në vitin 2025 u importuan 1,347,550 tonë ushqime me rritje vjetore 4.3 për qind sipas të dhënave zyrtare të INSTAT. Vlera e importeve shënoi gjithashtu rritje me 3,9 për qind.

Të dhënat tregojnë se nga njëra anë sasia e ushqimeve të importuara po rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa çmimi mesatar për kilogram i importeve po bie, duke e bërë ushqimin e importuar gjithnjë e më të lirë. Kjo nuk duket se është reflektuar në tregun e pakicës, ku çmimet si të ushqimeve, ashtu dhe të rafteve në supermarkete vetëm sa po shtrenjtohen.

Në vitin 2020, Shqipëria importonte rreth 1.09 milionë tonë ushqime dhe pije. Në vitin 2025 kjo sasi arriti ne 1.35 milionë tonë, një zgjerim prej mbi 250 mijë tonësh ose rreth 23% më shumë brenda pesë vitesh. Vitet e fundit konsumi i brendshëm po mbështetet gjithnjë e më shumë te tregjet e jashtme për të mbuluar nevojat bazë ushqimore, në një kohë kur kërkesa është rritur edhe nga turizmi.

Në të njëjtën kohë, vlera totale e importeve në lekë është rritur, por jo në të njëjtin ritëm me sasinë. Nga rreth 110.9 miliardë lekë në vitin 2020, importet arrijnë në mbi 162 miliardë lekë në vitin 2025. Ndonëse Shqipëria po shpenzon më shumë në terma absolutë për ushqime të importuara, çdo kilogram ushqim importi po kushton më pak vit pas viti.

Çmimi mesatar për kilogram, i cili arriti kulmin në vitin 2022, në rreth 146 lekë për kg gjatë krizës globale të çmimeve pas luftës në Ukrainë, ka rënë gradualisht deri në rreth 120 lekë për kg në vitin 2025, një ulje prej afro 18% në vetëm tre vjet. Kursi i këmbimit ka favorizuar dukshëm importuesit, teksa euro u këmbye mesatarisht me 97 lekë në 2025-n, nga rreth 140 lekë që ishte në 2015-n.

Shqipëria sot po blen ushqime më lirë në tregjet ndërkombëtare sesa gjatë periudhës së pikut të krizës, por po blen shumë më tepër. Rënia e çmimit për njësi ka ndihmuar që faturat e importeve të mos rriten aq sa sugjeron rritja e fortë e sasive, duke amortizuar presionin mbi çmimet e brendshme. Kjo prirje tregon edhe një varësi gjithnjë e në rritje nga furnizimi i jashtëm për ushqimet bazë, duke e bërë ekonominë më të ndjeshme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare në të ardhmen.

Një pjesë e rritjes së volumit te importeve po vjen nga vende si Turqia, Ballkani, Amerika Latine dhe tregje të tjera ku prodhimi bujqësor është më i lirë sesa në BE.

Rritja e turizmit dhe e konsumit urban ka shtuar kërkesën për produkte të standardizuara, të paketimit industrial dhe të prodhuara në seri të mëdha, të cilat janë zakonisht më të lira për njësi sesa prodhimet artizanale apo lokale.

Sakaq prodhimi vendas nuk po rritet me të njëjtin ritëm me kërkesën. Kostot e larta të prodhimit vendas bëjnë që shumë produkte shqiptare të jenë më të shtrenjta se ato të importuara. Si rezultat, tregtarët dhe përpunuesit zgjedhin mallin e huaj, që vjen më lirë dhe në sasi të mëdha./MONITOR

Po ndodh...

ide