Shqiptarët po zëvendësohen nga të huajt në sektorin fason! Vala e punonjësve nga Mianmari “përmbyt” tregun, ja pse preferohen nga pronarët

7 Dhjetor 2025, 12:13 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Shqiptarët po zëvendësohen nga të huajt në sektorin

Punonjësit e industrisë fason janë në një pjesë të madhe femra, pa arsim dhe me njohuri të dobëta për teknologjinë dhe inovacionin. Në dekadën e fundit, sektori nuk është më tërheqës për të rinjtë, për shkak të pagave të ulëta dhe punës me orë të zgjatura në kushte të vështira.

Kompanitë pohojnë se tashmë, forca e punës nuk është shumë problem, pasi një valë punonjësish nga Miamari, me paga jo më shumë se 500 euro në muaj, po ecin shumë mirë.

Prej vitesh, fabrikat po furnizohen me punonjës të huaj duke përzgjedhur mes atyre me më shumë aftësi. Edhe pse kanë kosto 100–150 euro më shumë se punonjësit shqiptarë në muaj, përsëri janë më me leverdi, pasi punojnë me orë të zgjatura dhe nuk kërkojnë leje ditore për probleme familjare.

Nga një anë, përparimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën e prodhimit, duke krijuar nevojë për trajnim të vazhdueshëm dhe adaptim ndaj metodave të reja. Dixhitalizimi po transformon vendet e punës, duke zhdukur disa dhe krijuar të tjera.

Pjesë e këtij procesi është edhe projekti Digi4Wearables, i koordinuar nga Qendra Portugeze e Këpucëve Teknologjike (CTCP), që synon të përmirësojë aftësitë dixhitale dhe njohuritë për prodhimin e gjelbër dhe dixhital në kompanitë shqiptare të këpucëve.

Kalimi drejt produkteve me vlerë më të lartë kërkon fuqi punëtore më të kualifikuar dhe efikasitet operativ më të madh. Ekspertët theksojnë se është e domosdoshme investimi i synuar në arsim dhe trajnim profesional, si dhe bashkëpunimi më i ngushtë midis instituteve teknike.

Në vitin 2023, industria e tekstileve dhe këpucëve numëronte 48.4 mijë punonjës, ose 7% më pak se në vitin 2019, por në 2024 dhe 2025 ka një reduktim më të fortë, tregojnë të dhënat nga indekset e punësimit.

Vetëm 5% e prodhimit, cikël i mbyllur

Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë përllogarit se vetëm 5% e prodhimit është me cikël të mbyllur aktualisht.

Një nga shembujt më domethënës është “DBS Group” në Tiranë, një kompani me kapital italian, që prej vitit 2014 ka ngritur dy njësi prodhimi dhe është e përfshirë në të gjitha fazat e procesit – nga përgatitja e materialeve, prerja, qepja, kontrolli i cilësisë, paketimi dhe deri te produkti përfundimtar.

DBS është cilësuar si një fabrikë plotësisht e integruar, që punëson mbi 600 persona dhe ka përfituar nga bashkëpunimi me gjigantin francez “Decathlon Group”, për të cilin prodhon veshje sportive dhe aksesorë.

Kompania ka investuar në teknologji miqësore me mjedisin, duke përdorur panele diellore për prodhimin e energjisë, sisteme të ngrohjes dhe ftohjes me fibra karboni dhe riciklim natyral të ajrit. Këto elemente e bëjnë atë një model të zhvillimit të qëndrueshëm në industrinë shqiptare të fasonëve.

Një tjetër shembull është “Denim Factory Group”, i cili ka zbatuar praktika të qëndrueshme si ulja e konsumit të ujit në proceset e larjes së xhinseve dhe përdorimi i metodave të analizës së ciklit të jetës për të reduktuar ndikimin mjedisor. Fabrika ka investuar në teknologji të avancuar dhe po synon të forcojë profilin e vet si prodhues “Made in Albania”, duke kaluar nga modeli klasik “cut-make-trim” (vetëm qepje për llogari të markave të huaja) drejt prodhimit të pavarur nën markë shqiptare.

Në mënyrë të ngjashme, Samwear Sh.p.k., një nga kompanitë më moderne në sektorin e modës, përdor teknologjinë e printimit dixhital sublimativ, që lejon krijimin e dizajneve me precizion të lartë dhe me më pak mbetje, duke u renditur mes prodhuesve të parë vendas që po investojnë në ciklin e mbyllur të prodhimit.

Sipas një studimi të Departamentit të Tekstilit dhe Modës në Universitetin Politeknik të Tiranës, rreth 56% e kompanive të anketuara deklarojnë se kanë objektiv të kalojnë në cikël të plotë prodhimi, ndërsa 35% të tjera e kanë në plan afatshkurtër, por i pengon mungesa e investimeve dhe e lëndëve të para vendase.

Megjithatë, kalimi drejt një modeli të tillë është proces i ngadalshëm që kërkon kapital, teknologji dhe fuqi punëtore të kualifikuar, pasi shumë kompani ende varen nga importi i materialeve nga Italia apo Turqia.

Në thelb, fabrikat që kanë arritur të krijojnë ciklin e mbyllur përfaqësojnë një drejtim të ri të industrisë shqiptare fason, që po përpiqet të largohet nga roli i nënkontraktonit për markat e huaja dhe të zhvillojë produkte me vlerë të shtuar dhe identitet vendas.

Ky transformim është thelbësor për të garantuar konkurrueshmëri, punësim të qëndrueshëm dhe përfshirje të gjerë.

Pjesa dërrmuese e kompanive (rreth 95%) vazhdon të punojë me modelin tradicional “cut-make-trim” (CMT), ku ato vetëm qepin ose përgatisin një pjesë të produktit për llogari të markave të huaja dhe materiali, dizajni e shitja menaxhohen jashtë vendit./Monitor

Po ndodh...

ide