Si mungesa e familjes, dështimi i shkollës dhe deformimi i komunitetit po prodhojnë breza të pambrojtur
Kriza e heshtur që shpërtheu në dhunë te 15-vjeçarët
Ngjarja e dhunimit të një 15-vjeçari në Durrës nga bashkëmoshatari i tij nuk është një tragjedi e izoluar. Ajo është kulmi i një zinxhiri të gjatë dështimesh shoqërore. Asnjë prej këtyre ngjarjeve nuk lind në boshllëk. Ato janë produkt i realitetit ku familja, shkolla dhe komuniteti kanë humbur funksionet e tyre bazë, duke krijuar një terren ku dhuna, indiferenca dhe mungesa e përgjegjësisë rriten pa pengesë.
Familja, institucioni i parë në edukim është në krizë dhe nën presion më shumë se kurrë.
Emigracioni masiv e ka fragmentuar strukturën e saj: prindër të ndarë fizikisht nga fëmijët, gjyshër të detyruar të marrin rolin e prindit, fëmijë që rriten mes ankthit dhe mungesës së mbikëqyrjes. Vështirësitë ekonomike kanë ulur cilësinë e marrëdhënies prind–fëmijë, ndërsa edukimi për prindërimin mungon pothuaje krejtësisht. Teknologjia shpesh zëvendëson praninë emocionale dhe në këtë vakum fëmijët kërkojnë modele jashtë familjes, shpesh modele të rrezikshme.
Shkolla është kthyer në një institucion të paralizuar dhe të politizuar.
Dikur shkolla qendër disipline dhe rregulli, sot është kthyer në institucion të dobësuar dhe të keqadminstruar. Shkolla përballet me probleme të njëjta prej vitesh, pa asnjë zgjidhje reale: klasa të mbipopulluara, shpesh përtej çdo standardi pedagogjik dhe sigurie; mungesë ajrimi, higjiene dhe kushte bazë që ndikojnë drejtpërdrejt mirëqenien dhe përqëndrimin e fëmijëve; mësues të dobët, jo të mirëformuar dhe pa mbështetjen e nevojshme profesionale (PISA 2022); mungesë mjetesh mësimore, laboratorësh, infrastukturë digjitale; mungesë oficerësh sigurie dhe psikologësh, duke krijuar hapësira ku bullizmi, dhuna dhe devijimet lulëzojnë (KLSH 2025); politika të gabuara të shpërndarjes së nxënësve, që i detyrojnë fëmijët të lëvizin larg lagjeve të tyre për “shkolla më të mira”, shpesh pa mbikëqyrje dhe në rrethana të pasigurta.
Në këtë realitet, shkolla nuk është më një vend i sigurtë dhe për një edukim të mirë, por një ambient ku fëmijët ekspozohen ndaj rrezikut.
Komuniteti rreth shkollës është deformuar duke krijuar një boshllëk të rrezikshmë social.
Tradicionalisht, ai ka qenë një filtër sigurie. Fqinjët njiheshin, prindërit bashkëpunonin, shkolla ishte në zemrën e lagjes. Sot kjo lidhje është këputur. Komuniteti është zhvendosur fizikisht dhe shoqëria është atomizuar. Fëmijët lëvizin në zona ku askush nuk i njeh dhe askush nuk mban përgjegjësi për ta.
Dobësimi i familjes dhe shkollës i ka lënë hapësirë edukimit paralel dhe të pakontrolluar përmes shoqërisë dhe rrjeteve sociale.
Fëmijët mësojnë nga shokët dhe nga interneti atë që nuk ua mëson prindi apo shkolla. Dhuna, arroganca, dominimi dhe cinizmi në internet shumë herë shpërblehen dhe shpesh fëmijët e marrin si model. Algoritmet nuk edukojnë, ato amplifikojnë instinktet më të ulëta duke qenë një rrezik serioz për fëmijët.
Sepse kemi ndërtuar një kulturë ku: rregullat nuk zbatohen; shkeljet nuk ndëshkohen; përgjegjësia humbet mes institucioneve; prindërit nuk marrin mbështetje dhe trajnim prindërimi; mësuesit janë të dobët, të lodhur dhe të pambrojtur; institucionet e trajtojnë dhunën si statistikë, jo si alarm.
Fëmijët nuk kanë faj dhe nuk janë “më të këqij” se më parë. Sistemi rreth tyre është më i dobët, më i shpërndarë dhe më i papërgjegjshëm pasi mungon shteti dhe insituticionet përgjegjëse.
Plagosja e 15-vjeçarit është simptomë e një krize të thellë shoqërore.
Nëse nuk veprojmë tani, dhuna do të rritet, komunitetet do të shpërbëhen më tej, shkolla do të humbasë kuptimin dhe shoqëria do të prodhojë breza të pambrojtur e të paorientuar.
Rikthimi i shkollës në qendër të komunitetit dhe fëmijët të ndjekin shkollën më të afërt, brenda 15 minutave në këmbë; reduktim i transportit të panevojshëm dhe rritje e monitorimit të fëmijëve; vendosje e oficerëve të sigurisë dhe psikologëve të trajnuar; trajnime për prindërit dhe programe edukimi dhe orientimi për adoleshentët; depolitizim i shkollës, standardizim i cilësisë së mësimdhënies dhe menaxhimit; mësues të mbështetur dhe profesionistë; futja në kurrikul e disiplinës, sjelljes, komunikimit, bashkëjetesës dhe empatisë.
Shqipëria ka nevojë urgjente të rikthejë familjen, shkollën dhe komunitetin në qendër të projektit shoqëror.
Sepse vetëm aty mund të nisë çdo ndryshim i vërtetë.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
