Tkurrja e konsumit, arkëtimet buxhetore nga TVSH-ja në rënie për të tretin muaj radhazi në prill

25 Maj 2023, 10:01 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Tkurrja e konsumit, arkëtimet buxhetore nga TVSH-ja në rënie

Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave parashikojnë që ekonomia të rritet 3.6 për qind këtë vit, por Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, që ndër tjera pasqyron qarkullimin e mallrave është futur në një trend rënie, i ndikuar nga tkurrja e TVSH-së së mbledhur në dogana.

Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave të ardhurat nga TVSH në muajin prill shënuan rënie vjetore me rreth 4 për qind.

Ky ishte muaji i tretë radhazi me rënie të arkëtimeve nga TVSH-ja. Pas rritjes faktike me rreth 15% në janar, në muajin shkurt të ardhurat ranë me 6.7%, në mars me -4.2% dhe në prill me -3.9%.

Të ardhurat nga TVSH-ja ishin 60.5 miliardë lekë në 4-mujorin e parë me rënie vjetore 0.5% ose rreth 3 milionë euro më pak se 4-rmujori i parë 2022. Sakaq inflacioni mesatar në janar-prill 2023 ishte 6%.

Në kushtet e mos uljes së konsumit, të ardhurat nga TVSH-ja duhet të rriteshin së paku me ritmet inflacionit.

Tkurrja është ndikuar nga rënia e të ardhurave nga TVSH në dogana, që për 4 mujorin u reduktuan me 4%, pas rënies së importeve dhe çmimeve, ndërsa TVSH e mbledhur në tatime u rrit me 10.8% për të njëjtën periudhë, sipas statistikave të detajuara të Ministrisë së Financave.

Bizneset në artikujt kryesor të shportës lajmërojnë rënie të madhe të konsumit që sipas tyre është krijuar nga emigracioni i lartë dhe çmimet e larta.

Ky pohim i eksportuesve mbështet edhe nga të dhënat zyrtare të INSTAT ku raportohet për një rënie 11 për qind të importeve të produkteve ushqimore.

Të dhënat më te detajuara tregojnë rënie të madhe të dy grupeve kryesore, sheqernave me 41% dhe drithërave me 28 për qind. Rënia në këto artikuj është pasqyrim i ndryshimit të popullsisë në favor të plakjes dhe emigracionit të lartë.

Të dhënat e qeverisë treguan se gjatë vitit të kaluar grumbullimi i të ardhurave në raport me PBB-në u përkeqësua edhe pse të ardhurat në vlerë neto shënuan rritje historike.

Ministria e Financave raportoi se në fund të vitit të kaluar të ardhurat buxhetore arritën në 26.8% të PBB-së nga 27.5% që ishin me 2021 me rënie -0.7 pikë përqindje.

Sipas të dhënave të INSTAT, PBB-ja u rrit me 4.85 për qind gjatë vitit 2022, ndërkohë qe të ardhurat e grumbulluara në buxhet ishin 572 miliardë ose 26.8% e PBB-së me përkeqësim në krahasim me një vit më parë.

Ky ishte niveli më i ulët i të ardhurave më raport me PBB që nga viti 2017, duke përjashtuar 2020-n, që ishte një vit jo i zakontë për shkak të krizës së shkaktuar në ekonomi nga pandemia.

Rënia e të ardhurave buxhetore në raport PBB-në tregon indirekt ose rënie të konsumit ose rritje të informalitetit në vend ose faktin që ekonomia po rritet në degë të tilla si ndërtimi që nuk çon të ardhurat në buxhet./Monitor

 

Po ndodh...