Viti 2022, me kreditim rekord/ Rreth €120 mln më shumë hua se viti 2021. Vetëm për blerje banese u dhanë €400 mln

3 Shkurt 2023, 15:27 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Viti 2022, me kreditim rekord/ Rreth €120 mln më shumë hua se

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vihet re që viti 2022 shënon vlerën më të lartë të huave të reja të disbursuara drejt individëve dhe korporatave jofinanciare private dhe publike. Kështu, gjatë vitit të kaluar flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 278.46 miliardë lekë, ose rreth 13.9 miliardë lekë apo 5% më shumë se përgjatë vitit 2021. Huatë e reja gjithsej përgjatë vitit të kaluar janë shpërndarë midis biznesit, që ka marrë 186.85 miliardë lekë, ndërkohë që 85.82 miliardë të tjera janë marrë nga individët dhe 5.79 miliardë nga korporatat jofinaciare publike.

Sipas këtyre të dhënave, 2022-shi shënon vitin rekord ku individët kanë pasur nevojat më të larta për financim, ndërkohë që viti 2016 ka qënë viti me nivelin më të ulët të kreditimit për individët. Përsa i takon sektorit privat, 2022 nuk përbën aspak rekord, por pavarësisht kësaj është 9% mbi nivelin e vitit pararendës.

Sa i përket kredive të reja për blerje banese nga individët ndërkohë, gjatë vitit 2022 ato fiksohen në 22.21 miliardë lekë për ato në monedhën vendase, si dhe në rreth 23.93 miliardë lekë për ato në euro. Në rastin e monedhës vendase viti 2022 rezulton me një rënie prej 1.5% për kredinë për blerje banese, ndërkohë që në monedhën europiane regjistrohet shifra më e lartë në 7 vitet e fundit, në rritje me plot 39% krahasuar me vitin 2021.

Huatë e reja të shpërndara gjatë vitit të kaluar në euro mbizotërojnë ndaj atyre në lekë, rreth 5.772 milardë lekë në vlerë absolute ose 4% më shumë. Nga huatë e reja për financimin e individëve, 55.232 miliardë lekë ka qenë kredi e re në monedhën vendase, dhe 30.557 miliardë lekë në euro. Përsa i takon financimit të bizneseve, huatë e reja në monedhën vendase kanë qenë në vlerën 76.146 miliardë lekë, dhe 104.871 miliardë lekë në euro. Shohim në këtë mënyrë që korporatat private ose bizneset, ndyshe nga individët, kanë preferuar kreditë në euro, ndaj atyre në monedhën vendase.

Nëse ndalemi të shohim vlerën e huave të dhëna nga bankat në harkun kohor të shtatë viteve (2016-2022), rezulton që viti 2020 është viti me nivelin më të ulët të kreditimit, që fiksohet në vlerën e 245.6 miliardë lekëve, ndiqet nga viti 2019 me 247.7 miliardë lekë dhe 2016 me vetëm 253.6 miliardë lekë. Nga ana tjetër, siç e përmendëm edhe më sipër, viti 2022 shënon vlerën më të lartë të huave të reja dhe ndiqet nga viti 2017, me 268.813 miliardë lekë të shpërndara në formën e huave te reja. Në vitin 2022 shënohet niveli më i ulët i huave të reja të shpërndara në monedhën vendase vetëm 133.412 miliardë lekë, ndërsa në 2020 shënohet niveli më i lartë i kreditimit në monedhën vendase pranë 144.504 miliardë lekësh. Niveli më i lartë i huave të reja në monedhën e huaj euro shënohet në vitin 2022 me rreth 139.185 miliardë lekë, ndërsa niveli më i ulët në vitin 2016 me vetëm 86.528 miliardë lekë ose 61% më pak.

Pra, sa i përket kredimit, viti 2022, ai i krizës së çmimeve regjistron një rekord historik, por si pasojë e kërkesës për financim nga individët, dhe veçanërisht për blerje banese. Vetëm për këtë qëllim, gjatë të gjithë vitit 2022 janë dhënë rreth 400 milionë euro kredi në të gjitha valutat. Ndërkohë jo të njëjtin ritëm rritje ka ndjekur biznesi. Kjo kryesisht për arsye të politikave që kanë ndjekur vetë bankat, duke shtrënguar kushtet dhe standardet e kreditimit për sektorin privat, veçanërisht për qëllime investimi, duke pasur parasysh krizën dhe pasiguritë./Scan

 

 

 

Po ndodh...

ide

receta Alfa

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128