Akademikët shqiptarë në diasporë mbështesin studentët, 97 firmëtarë për deklaratën e përbashkët: Protesta, shprehje e një pakënaqësie të thellë nga dështimet e politikës

97 akademikë shqiptarë jashtë vendit, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët në mbështetje të plotë të lëvizjes studentore dhe qytetare që ka mbërthyer Tiranën, si dhe disa qytete të tjera të vendit, duke kërkuar reagim nga qeveria dhe misioni i gjerë diplomatikë.
Sipas tyre, protestat nuk janë reagim ndaj një ngjarjeje të vetme, por shprehje e një pakënaqësie të thellë shoqërore, të krijuar nga dështime të përsëritura politike dhe institucionale. Pas muajsh mobilizimi dhe kërkesash të vazhdueshme, mungesa e përgjigjeve të besueshme ka thelluar mosbesimin ndaj institucioneve.
"Distancohemi nga çdo formë dhune. Megjithatë, zhvillimet e fundit nuk mund të shkëputen nga historia e protestave dhe shkaqet që i kanë nxitur ato. Përgjigjja ndaj kësaj krize kërkon të kuptohen dhe të adresohen këto shkaqe, jo të zhvendoset vëmendja nga kërkesat e protestuesve", thotë deklarata.
Deklaratë e përbashkët
Akademikët shqiptarë jashtë vendit në solidaritet me studentët
Ne, akademikë dhe hulumtues shqiptarë jashtë vendit, rikonfirmojmë solidaritetin tonë me studentët dhe qytetarët që prej muajsh protestojnë për një Shqipëri më demokratike, me institucione të përgjegjshme, drejtësi dhe mundësi reale për të ardhmen. Përtej bindjeve politike, duhet të na bashkojë një shqetësim themelor njerëzor: asnjë familje nuk duhet të presë me frikë kthimin në shtëpi të një të riu që ka dalë në protestë për të kërkuar një të ardhme më të mirë.
Në deklaratën tonë të parë theksuam se protestat nuk janë reagim ndaj një ngjarjeje të vetme, por shprehje e një pakënaqësie të thellë shoqërore, të krijuar nga dështime të përsëritura politike dhe institucionale. Pas muajsh mobilizimi dhe kërkesash të vazhdueshme, mungesa e përgjigjeve të besueshme ka thelluar mosbesimin ndaj institucioneve. Distancohemi nga çdo formë dhune. Megjithatë, zhvillimet e fundit nuk mund të shkëputen nga historia e protestave dhe shkaqet që i kanë nxitur ato. Përgjigjja ndaj kësaj krize kërkon të kuptohen dhe të adresohen këto shkaqe, jo të zhvendoset vëmendja nga kërkesat e protestuesve.
Në qendër të kësaj krize qëndron edhe pyetja se çfarë të ardhmeje u ofron Shqipëria të rinjve të saj. Nënfinancimi i arsimit dhe kërkimit shkencor, mungesa e meritokracisë, ndërhyrjet politike dhe perspektivat e kufizuara profesionale nuk janë probleme të shkëputura nga kriza demokratike. Kur dijes dhe punës së ndershme nuk u jepet vlera që meritojnë, dobësohet jo vetëm mundësia e të rinjve për të ndërtuar jetën në vendin e tyre, por edhe besimi se institucionet u shërbejnë qytetarëve. Arsimi, shkenca dhe inovacioni duhet të jenë në qendër të ndryshimit institucional dhe të një kontrate të re shoqërore.
Qeveria dhe klasa politike kanë përgjegjësi të veçantë për t'iu përgjigjur kësaj krize. Nuk mjafton t'u kërkohet qytetarëve qetësi dhe durim, ndërsa kërkesat e tyre mbeten pa përgjigje. Nevojiten dëgjim i vërtetë, llogaridhënie dhe angazhime publike me masa e afate të qarta, veçanërisht për arsimin, kërkimin shkencor dhe mundësitë e të rinjve. Përgjegjësia e atyre që kanë autoritetin dhe mjetet për të vepruar nuk mund të barazohet me atë të qytetarëve që kërkojnë ndryshim.
Forcat e rendit kanë detyrimin të mbrojnë qytetarët edhe kur ata protestojnë kundër qeverisë. Pamjet dhe dëshmitë e publikuara mbi përdorimin e forcës kërkojnë shqyrtim serioz, të pavarur dhe transparent, duke vlerësuar domosdoshmërinë dhe proporcionalitetin e ndërhyrjeve, si dhe përgjegjësitë e drejtuesve. Siguria publike dhe respektimi i lirive themelore nuk duhet të trajtohen si qëllime që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Shoqëria civile dhe mediat kanë përgjegjësinë të mbrojnë hapësirën e protestës demokratike dhe të mos e zhvendosin vëmendjen nga kërkesat e qytetarëve. Partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht institucioneve të Bashkimit Evropian, Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadës së SHBA-së, u bëjmë thirrje të ndjekin me vëmendje zhvillimet, të kërkojnë respektimin e të drejtave demokratike dhe të nxisin llogaridhënien institucionale.
Në letrën tonë të mëparshme drejtuar Komisionit Evropian kemi shprehur shqetësimet tona për arsimin dhe të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Këto shqetësime mbeten aktuale dhe kërkojnë angazhim të vazhdueshëm, përtej thirrjeve të përgjithshme për qetësi.
Paqja shoqërore nuk është thjesht mungesa e protestave apo e konfrontimeve. Ajo kërkon drejtësi, institucione që dëgjojnë dhe mundësi reale që qytetarët të ndikojnë në vendimmarrje. Përgjigjja ndaj krizës nuk mund të kufizohet në ruajtjen e rendit publik, por duhet të adresojë kushtet politike dhe institucionale që kanë cenuar besimin e qytetarëve.
Mbështetja jonë për kërkesat legjitime të studentëve dhe qytetarëve mbetet e palëkundur. Të rinjve u detyrohemi një Shqipëri ku të mund ta ndërtojnë jetën me dinjitet dhe të kërkojnë ndryshim pa frikë. Ata duhet ta ndiejnë se ky vend i dëgjon, i mbron dhe ka nevojë për ta.
Po ndodh...
The elites are silent, Rama bargains, Albanians pay!
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
