Baçi: Nuk do e votoj nëse vjen një Kod Zgjedhor sërish me listë të mbyllur

2026-11-09 22:40:00 / POLITIKË ALFA PRESS
Baçi: Nuk do e votoj nëse vjen një Kod Zgjedhor sërish me

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, deklaroi me bindje të plotë se nuk do e votojë një Kod Zgjedhor me listë të mbyllur.

“Që të ndryshojë sistemi, duhet që deputetët të kenë mendimin e pavarur. Unë e kam deklaruar që nëse në Parlament do të vijë një Kod Zgjedhor sërish me listë të mbyllur, unë nuk do ta votoj. Absolutisht që nuk do ta votoj, jam për listë të hapur”, tha Baçi në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Deputeti demokrat shtoi se “Partia Demokratike duhet të negociojë dhe të lëshojë çfarë duhet, por lista e hapur duhet bërë për qytetarët”.

“Të gjithë në listë të hapur, askush të mos mbrohet”, theksoi Luan Baçi.

Pak më herët, Baçi kishte nënvizuar se PD-ja nuk duhet të pranojë që lista të jetë e mbyllur, qoftë edhe në një përqindje shumë të vogël.

“Për herë të parë, Partia Demokratike me opozitën ka dalë shumë e qartë me propozime për sistemin zgjedhor: listë 100% e hapur. Jo listë e hapur, por me 10% të mbyllur që të ruajmë ata që nuk duhet të futen në garë. Do të jetë për turpin e Partisë Demokratike që të pranohet një listë me përqindje sado të vogël të mbyllur, për të ruajtur 10-15 deputetë që, për mendimin tim, i tremben elektoratit dhe votës së qytetarëve”, tha Baçi. (A2 Televizion)

Po ndodh...