Mesia Trump, ose ëndrra në diell e të korruptuarve

2024-11-07 11:14:41 / EDITORIAL NGA ALBI XHUNGA

Mesia Trump, ose ëndrra në diell e të korruptuarve

Rikthimi i presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë ka ngjallur reagime të forta edhe në katundin tonë. Politikat e presidentit Biden me dekretin e famshëm antikorrupsion, i cili e shpallte korrupsionin si një rrezik kombëtar për SHBA, pati jehonë edhe në Shqipëri. Përkrahja për SPAK dhe politika e shpalljes non gratta të politikanëve të korruptuar shkaktoi viktima në Tiranë mes politikanëve më të rëndësishëm. Bilanci është impresionues. Dy ish presidentë e ish kryeministra të arrestuar, ministra të arrestuar, kryebashkiakë të arrestuar. Loja pritej të vazhdonte me të njëjtin ritëm. Ndaj është e natyrshme që të korruptuarit që po shikonin tokën t'u hapej nën këmbë, të shpresojnë në një ndryshim politike nga presidenti i sapozgjedhur. Për më tepër që Trump ishte vetë viktimë e drejtësisë. Shumë hetime ndaj tij dhe një dënim nga një juri popullore.

Të dy krahët e politikës së korruptuar kanë shfaqur entuziazëm. Nga Foltorja kjo shprehet hapur prej eksponentëve kryesorë. Vetë i shpalluri non gratta dhe i burgosuri për korrupsion, Sali Berisha, i bëri një urim të nxehtë presidentit të ri. Emisarët e tij gjenden në Uashington për të lobuar fatin e liderit, që lidhet ngushtë edhe me të ardhmen e tyre politike.

Nga krahu tjetër, përgjatë fushatës rilindësit kanë qenë më të rezervuar në prononcimet publike. Por snajperat e tyre mediatikë nuk e kanë fshehur preferencën e tyre për kandidatin kontrovers. Ama pas fitores së Trump edhe përfaqësuesit politikë nuk e fshehin ekzaltimin. Mesazhi i urimit të Edi Ramës ishte euforik. Kryeministri prej kohësh tashmë ka vënë bast për fitoren e Trump. Jo më kot i ofroi Sazanin dhëndrit të tij. Një ishull i virgjër i Mesdheut duket një qokë e denjë për një familje miliardere.

Këtu lind pyetja: Si është e mundur që dy parti, njëra e majtë në pushtet dhe tjetra e djathtë në opozitë të duan të njëjtën gjë? Përgjigjia është e thjeshtë. Kanë hall të përbashkët dhe halli i tyre quhet SPAK. Ky hall i përbashkët i detyroi të bashkëpunonin haptas në sy të të gjithë shqiptarëve. Bashkuan votat për të liruar të korruptuarit e dënuar nga SPAK dhe bashkuan votat për të mbyllur listat. Janë formalisht dy parti të ndryshme, por realisht përbëjnë një pol të vetëm politik. Polin e të korruptuarve që duan të ruajnë status quo-në. Trump duket të jetë shpresa e tyre e fundit.

Mirëpo nëse e shohim në retrospektivë sjelljen e administratës Trump përgjatë mandatit të tij të parë, mund të themi se shpresa e të korruptuarve nuk ka asnjë bazë solide. Reforma në drejtësi në Shqipëri vërtet nisi nga administrata Obama me votën e detyruar pro ndryshimeve kushtetuese në vitin 2016, por ajo reformë mori jetë me përkrahjen e fuqishme të administratës Trump. Votimi i ligjeve të reformës dhe instalimi i SPAK u bë me investimin e fortë të administratës Trump.

Edhe politika e non gratta-ve në Shqipëri ka nisur nga administrata Trump. Vërtet presidenti Biden e shpalli korrupsionin një rrezik për sigurinë e SHBA-ve, por në Shqipëri politikën e non gratta-ve e nisi administrata Trump, me shpalljen non gratta të ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, të Tom Doshit e të Vangjush Dakos.

Edhe bileta one-way e Sali Berishës është prerë nga administrata Trump. Yuri Kim ishte e para ambasadore e SHBA që nuk e takoi kurrë Sali Berishën. Deri në atë kohë Sali Berisha ishte një interlokutor i pashmangshëm i amerikanëve për shkak të peshës së tij reale në Partinë Demokratike. Yuri Kim nuk e takoi kurrë, jo sepse nuk e pëlqente Sali Berishën, pasi ajo as nuk e njihte, por se të tilla i ka pasur urdhrat nga eprorët e saj në Uashington. Fati i Sali Berishës ishte paracaktuar kohë përpara se të shpallej botërisht non gratta nga sekretari Blinken. Ambasadorja Yuri Kim, e emëruar nga presidenti Trump gjatë mandatit të tij të parë, është ambasadorja amerikane që ka punuar më fort se cilido amerikan apo europian për reformën në drejtësi.

Pra e shkuara e afërt na tregon qartë se shpresat e të korruptuarve për amnistim nga mesia Trump janë ëndrra në diell. Të korruptuarit janë të lirë të ëndërrojnë, por fati i tyre duket i vulosur.

ideas