Zbulohet mekanizmi i depresionit dhe pse ilaçet shpesh nuk funksionojnë

Mbërrin papritur duke pushtuar trurin tonë. Vendoset duke na shkëputur nga bota, duke na bërë të jetojmë nën një perde trishtimi.
Profili i depresionit është i njohur, por deri dje nuk ishte i qartë mekanizmi biologjik që e shkakton, shkruan repubblica.it.
Përgjigjja ka ardhur nga një studim i ri italian, i kryer nga Instituti i Neuroshkencës Cavalieri Ottolenghi (NICO) i Universitetit të Torinos dhe i publikuar në revistën “Scientific Reports”: ekziston një proces kyç përmes të cilit depresioni ndikon në aktivitetin tonë cerebral, duke na rrëzuar.
Një “ushtri” njerëzish me depresion
Janë të shumtë në mbarë botën dhe janë në rritje. Rastet e depresionit janë shtuar pas pandemisë së Covid-it.
Sot kjo sëmundje prek më shumë se 300 milionë njerëz.
Edhe grupmosha mbi 65 vjeç preket ndjeshëm. Faktorë si ankthi kronik, krizat ekonomike dhe izolimi kanë rritur rastet, duke e bërë një nga sëmundjet kronike kryesore.
Nëse shohim shkaqet, ndër më kryesoret janë paqëndrueshmëria socio-ekonomike, izolimi social, papunësia dhe situatat e pasigurta që zgjasin në kohë.
Sa i përket simptomave fizike dhe psikologjike, depresioni shfaqet me lodhje, pagjumësi, ndryshime në peshë dhe dhimbje të përhapura në trup.
Sipas parashikimeve, deri në vitin 2030 do të bëhet një nga sëmundjet kronike më të përhapura në botë.
Kur ilaçet dështojnë
Për këtë numër të madh njerëzish që përjetojnë depresionin, si veprojnë ilaçet?
Përgjigjja vjen nga ekipi kërkimor i neurofiziologjisë në Torino, i udhëhequr nga profesori Filippo Tempia dhe i përbërë nga studiuesit Eriola Hoxha, Francesca Montarolo, Anita Maria Rominto, Luna Berrino, Matilde Loddo dhe Francesco Corleone.
Në studimin e tyre ata theksojnë: “Problemi kryesor është mungesa e terapive farmakologjike efektive. Midis personave që trajtohen me antidepresivë, 30–50% (mesatarisht 40%) nuk reagojnë: një e treta arrin shërim të plotë, një e treta tjetër ka përmirësim të pjesshëm, ndërsa pjesa e mbetur nuk përgjigjet fare”.
Pse ilaçet aktuale janë pak efektive? “Sepse nuk bazohen në një teori të qartë shkencore dhe ende nuk janë kuptuar plotësisht mekanizmat cerebralë të depresionit”.
Pikërisht për këtë arsye, studiuesit e Torinos kanë zhvendosur fokusin nga mungesa e serotoninës drejt një problemi tjetër: ulja e aktivitetit nervor në korteksin prefrontal medial, një zonë kyçe e trurit për rregullimin e humorit dhe stresit.
Ata përdorën një model eksperimental të depresionit të bazuar në stres kronik nga “humbja sociale”. Vetëm kafshët që ishin të ndjeshme ndaj këtij stresi treguan sjellje shmangieje sociale dhe ndryshime në aktivitetin elektrik të trurit.
Ndërsa ato rezistente ose jo të ekspozuara ndaj stresit nuk treguan këto ndryshime, duke treguar një lidhje të drejtpërdrejtë mes ndjeshmërisë ndaj stresit dhe uljes së aktivitetit neuronal.
“Tek kafshët që zhvillojnë sjellje depresive pas stresit kronik, neuronet bëhen më pak të ndjeshme dhe e kanë më të vështirë të mbajnë aktivitetin elektrik”, shpjegon Tempia.
Kjo do të thotë se truri nuk arrin të përpunojë siç duhet sinjalet nga zona të tjera.
Ndërsa studiuesja Rominto shton: “Ne zbuluam se neuronet humbasin aftësinë për të reaguar në mënyrë të qëndrueshme ndaj stimujve. Ky deficit mund të jetë baza biologjike e aktivitetit të ulët të trurit te pacientët me depresion”.
Analiza e aktivitetit të neuroneve
Nga analizat u pa se kjo ulje e aktivitetit lidhet me kanalet e kaliumit (K⁺), të cilat rregullojnë ritmin e sinjaleve nervore. U vu re një rritje e pragut të aktivizimit dhe një frenim më i madh i neuroneve, duke e bërë më të vështirë krijimin e impulseve nervore.
Këto rezultate sugjerojnë se aktiviteti i lartë i këtyre kanaleve mund të jetë një nga shkaqet e mosfunksionimit të trurit në depresion. Kuptimi i këtij mekanizmi hap rrugë për trajtime të reja.
Shpresë për ilaçe të reja
Kjo kërkim hap perspektiva të reja. Korteksi prefrontal është një nga zonat më të prekura në depresion dhe teknikat si stimulimi magnetik transkranial kanë treguar efekt pozitiv.
Studimi i ri jep një shpjegim biologjik pse këto trajtime funksionojnë dhe sugjeron që kanalet e kaliumit mund të jenë objektiva për ilaçe të reja.
Shpresa është që ky mekanizëm të jetë i njëjtë për të gjithë pacientët, duke çuar në terapi më efektive dhe të qëndrueshme në të ardhmen.
Happening now...
ideas
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128