Strategjia

Pak muaj më parë, kryeministri Edi Rama bëri një “premtim bombastik”: Shqipëria do të jetë pararojë globale, vendin e parë në botë pa para fizike, brenda pesë viteve të ardhshme.
Sipas tij, strategjie e qeverisë “cashless” (pa para në gjendje cash) “është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”.
Por, ajo që nuk tha dhe, logjikisht, as nuk pritej të thuhej nga kryeministri Rama, është fakti që, në Shqipëri, licensa për emetimin e parasë elektronike e kanë edhe personazhe, të dyshuar fuqishëm nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), për përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Banka e Shqipërisë, me vendimin nr. 51, dt. 26 nëntor 2021, ka licensuar si subjekt emetues i parasë elektronike kompaninë “Soft & Solution”. Kompania është krijuar në vitin 2011 dhe ajo u mor në kontroll nga Ermal Beqiri në korrik të vitit 2021, vetëm 5 muaj pasi “Soft & Solution” të merrte licensën për ementimin e parave elektronike.
Biznesmeni Ermal Beqiri aktualisht është në kërkim, pasi ai akuzohet nga Prokuroria e Posaçme si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me aktorë më të dukshëm Mirlinda Karçanaj, drejtoresha në detyrë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe sipërmarrësi kontravers, Ergys Agasi.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme njoftoi se akuzonte Agasin dhe Beqirin për disa vepra penale, përfshirë “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Përdorimi i parasë elektronike ka disa përparësi në ekonomi, pasi zëvendëson nevojën për të mbajtur me vete para cash, si edhe kursen kohën për të shkuar në bankë.
Por, nga ana tjetër, përdorimi i parave elektronike, sidomos në një ekonomi masive informale, si ajo e Shqipërisë, ka disa avantazhe dhe rreziqe të forta.
“Një prej shqetësimeve më të mëdha është që falsifikatorët mund të krijojnë llojin e tyre të parasë elektronike, e cila do të ishte e padallueshme nga paraja e vërtetë. Këto probleme duhet të merren parasysh, në mënyrë që të fitohet besimi i publikut. Në një sistem të pakontrolluar pagesash elektronike, pastrimi i parasë dhe evazioni fiskal mund të përhapen me shpejtësi. Kështu, është e rëndësishme që autoritetet të monitorojë qarkullimin e parasë, për të zbuluar këto aktivitete të paligjshme”, thuhet në manualet ndërkombëtare.
Pra, përdorimi i parasë elektronike kërkon disa parakushte, disa masa për shmangien e falsifikatorëve dhe fitimin e besimit të publikut që emetuesit e tyre nuk janë persona potencialisht të përfshirë në pastrim parash dhe evazion fiskal.
Kritere, të cilat, Ermal Beqiri i “Soft & Solution” duket se i shkel të gjitha.
Prokuroria e Posaçme thotë se “shtetasit e dyshuar, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal (përfshirë Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasi, Ermal Beqiri), kanë kryer veprime të kundërligjshme, duke konsumuar elemente të veprës penale; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe konkretisht në përcaktimin e kritereve specifike jo të përcaktuara në ligj, për favorizimin e disa kompanive kundrejt të tjerave”.
Gjithashtu, nga hetimet, është krijuar dyshimi se personat e dyshuar kanë konsumuar veprën penale, “Konkurrencë e paligjshme përmes dhunës” dhe kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, kësisoj, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara, për të cilat shqyrtimi i ankimimit mund të sillte edhe ndryshimin e renditjes së listës së fituesve.
Gjithashtu masë sigurimi është kërkuar edhe për administratorë të disa kompanive, të cilët “me veprime të kundërligjshme, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, kanë marrë pjesë formalisht në procedura tenderimi, kanë lëshuar fatura tatimore fiktive si dhe kanë realizuar transaksione kundrejt kompanive të cilat nuk ishin pjesë e procesit të tenderimit”./BoldNews
Happening now...
The New Republic that Basha proclaimed 10 years ago is coming!
ideas
US and Trump sign sanctions against Rama and Berisha
"Preliminary sentence for Belinda Balluku", response to Baton Haxhiu
Teatri që fsheh prapaskenën
top
Alfa recipes
TRENDING 
services
- POLICE129
- STREET POLICE126
- AMBULANCE112
- FIREFIGHTER128
