Uldedaj njofton shtyrjen e ndeshjes në Tiranë, shkak dëmtimi dhe protestat

2026-10-20 23:49:00 / SPORT ALFA PRESS

Uldedaj njofton shtyrjen e ndeshjes në Tiranë, shkak dëmtimi dhe

Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj ka njoftuar shtyrjen e ndeshjes për mbrojtjen e titullit kampion bote në versionin IBO, e planifikuar të zhvillohej më 23 tetor në Tiranë, kundër ish-kampionit të botës, Blake Caparello.

Përmes një reagimi drejtuar tifozëve dhe sportdashësve, Uldedaj bëri të ditur se gjatë përgatitjeve ka pësuar një dëmtim në stërvitje, nga i cili pritet të rikuperohet brenda një kohe të shkurtër.

Përveç dëmtimit, në vendimin për shtyrjen e eventit ka ndikuar edhe situata e pazakontë që po kalon Tirana. Sipas boksierit shqiptar, vendimi është marrë në bashkëpunim me organizatorët dhe organizatën IBO.

Uldedaj theksoi se përballja nuk është anuluar, por vetëm shtyrë, ndërsa data e re pritet të bëhet e ditur së shpejti. Ai konfirmoi gjithashtu se dueli do të zhvillohet brenda këtij viti, sërish në kryeqytetin shqiptar.

“Të dashur miq dhe sportdashës,

Me keqardhje ju njoftoj se ndeshja ime për mbrojtjen e titullit Kampion Bote IBO, e planifikuar për më 23 tetor në Tiranë, kundër ish-kampionit të botës Blake Caparello, do të shtyhet për një datë tjetër.

Gjatë përgatitjeve kam pësuar një dëmtim në stërvitje (sparring), nga i cili pritet të rikuperohem shumë shpejt. Duke marrë parasysh këtë dëmtim, si dhe situatën e pazakontë që po kalon Tirana, në bashkëpunim me organizatorët dhe IBO-n, është marrë vendimi për shtyrjen e eventit.

Të mbroj titullin botëror në vendin tim, përpara publikut shqiptar, është një ëndërr dhe një moment që e kam pritur prej shumë kohësh. Dua që kjo përballje historike të zhvillohet në kushtet më të mira, ashtu siç e meriton çdo shqiptar.

Dua t’ju siguroj se ndeshja nuk është anuluar, por vetëm shtyrë. Shumë shpejt do të njoftoheni për datën e re të ndeshjes, e cila do të zhvillohet brenda këtij viti, në Tiranë. Të gjithë ata që kanë blerë bileta do të informohen gjithashtu për detajet përkatëse.

Falënderoj nga zemra të gjithë tifozët, sponsorët, partnerët, institucionet dhe organizatorët për mbështetjen dhe mirëkuptimin. Më vjen keq për të gjithë ata që kishin planifikuar të ishin të pranishëm më 23 tetor.

Rikthimi im në ring, përpara jush, do të duhet të presë edhe pak. Por një gjë është e sigurt: dua ta mbroj titullin botëror në shtëpinë time, përpara shqiptarëve!”, shkruhet në reagimin e Uldedaj.

Po ndodh...